Rimodelimi i PD, Berisha një hap para reformatorëve online
“Kërkoj heqjen dorë nga një qasje qorre dhe shurdhe e drejtimit dhe funksionimit të PD-së. Nga një mënyrë që e ka në përmbajtjen e saj vetëshkatërrimin e ngadaltë, por të pandalshëm të çfardo organizate, pavarësisht emrit që ka”- shkruan Majlinda Bregu nga fejsbuku për debatin që ka shpërthyer në PD, nëse duhet të ikë apo jo Lulzim Basha pas humbjes në zgjedhje.
Pyetja është kujt ia kërkon zonja në fjalë këtë gjë dhe pse duhet marrë në konsideratë një opinion që vjen nga Facebook-u për reformimin e Partisë Denokratike dhe largimin e kryetarit e saj të vetëngrirë. Këtë kërkesë mund ta bëjë kushdo. është e vërtetë që teknologjia ka krijuar një lloj rehatie në komunikim, që për standardet shqiptare mund të të njihet edhe si kontribut civil apo politik.
Por Partia Demokratike e Shqipërisë nuk është rasti i një partie të hapur dhe të atashuar me funksionimin on line, si disa parti moderne sot në botë që janë një platformë e hapur kmunikimi dhe bashkimi idesh, parimesh apo interesash që konkretizohen edhe në diskutime edhe në votime online. Parti tradicionale si ajo e PD-së funksionojnë parimisht sipas modelit klasik të mbështetur në një organizim strukturash, forumesh, aksioni politik, platformash, statut dhe konkurim me votë, paçka se as kjo nuk është respektuar.
"Kur flisja kohë më parë dhe vazhdimisht, e kur të gjithë benin sikur s’ dëgjonin, – “Se duhet parë nga vetja dhe duhet të flasim hapur për shkaqet se pse PD-ja po shkon nga një humbje në tjetrën dhe se nëse do të presim fundin për të thënë më në fund gjërat që mendojmë, atëherë do të jetë shumë vone”, - shkruan më tej Bregu.
Kujt i fliste kjo zonjë dhe në cilësinë e kujt funksioni fliste prapë nuk kuptohet. Nuk e pamë ndonjëherë gjatë karrierës së saj si ministre dhe deputetë zonjën Bregu të përfaqësojnë politikisht veten mbi një platformë idesh apo reformimi të PD-së, që t'i a kishte komunikuar fillimisht forumeve dhe pastaj publikut. Atëherë kujt i vlen opinioni i saj? Vetëm reformimit të PD-së jo.
Për ndryshimin që predikon nuk flitet nga Facebooku. Shkohet në selinë e Partisë dhe flitet që prej andej me akte drejtuar forumeve, për dijeni dhe të publikut, që nuk ka pse të konsiderohet si jashtë opozitës. Paradoksalisht rrugën e duhur fatkeqësisht apo fatmirësisht e ka ndjekur ish-kryetari i i hershëm i saj, Eduart Selami, që shpalli zyrtarisht nga selia, kandidimin për kreun e Partisë.
I paragjykuar dhe me shumë gjasë, i vënë në rolin e kamardares për të shpëtuar Lulzim Bashën në një garë manekine e stilit Edi Rama-Maqo Lakrori, Selami ndoqi procedurën dhe kjo e bën të jetë politikisht korrekt. Edhe nëse është manovër e Berishës për të rizgjedhur Lulzim Bashën në krye të PD-së sërish është brenda normës politike. Manovër që mund të asgjesohet vetëm me rrugë politike, të tjerat që llomotit zonja Bregu dhe bashkëluftëtarët e saj të fejbukut nuk kanë asnjë vlerë.
"Mjafton ta duash PD-në përtej inateve me disa, ndjenjës së hakmarrjes ndaj dikujt apo nevojës fëminore për të luajtur luftash në oborrin e lagjes"- shkruan Bregu duke mos i sqaruar realisht dhe në mënyrë bindëse publikut çfarë do të thotë dashuri për PD-në. Në krahun tjetër, Eduard Selami mund të jetë zgjedhur si njeriu i duhur në kohën e duhur për qëllimin e caktuar. Ai vetë shpalli ambicjen për kryetar duke thënë se demokratët duhet të zgjedhin më të mirin. Ky është një kriter shumë relativ deri sa të njihemi me një platformë që premton reformimin e PD-së dhe projekton një ekip më të mirë qeverisës se ai që kemi.
Add new comment