Letra e Kokëdhimës për Edi Ramën: Të rikthejmë Miqësinë tonë. Ne të dy jemi Zgjidhja për Shqipërinë

Postuar në 20 Qershor, 2017 11:26

I dashur Edi!

Të drejtohem kështu, pavarësisht problemeve në marrëdhëniet tona, jo në shenjë pendese, as përuljeje, pasi ti e di krenarinë time. Por në shenjë mirënjohjeje që ti më në fund dhe një moment sinqeriteti dhe njerzillëku, të cilin unë kisha kohë që nuk e shihja te ty.

Si kryetar i Zgjidhjes, është detyra ime të ndjek zhvillimet politike të ditës. E ndoqa edhe intervistën tënde të fundit me Ylli Rakipin, ku me mbeti në mendje sidomos ajo që ti deklarove se: “Unë jetoj për emocion”. Duke shtuar më pas fjalinë të cilën unë përherë e kam patur zët dhe e kam konsideruar si shenjë plakjeje: “Ne dikur do të ikim nga kjo botë”.

Prekëse i dashur Edi dhe shpresoj që edhe shumë të tjerë të kenë parë këtu Njeriun tek Kryeministri. Por më lejo ta them: herët për ty! Sigurisht edhe për mua.

Kam të drejtë ta them këtë, sidomos unë, sepse të njoh shumë mirë, politikisht dhe personalisht. Dhe siç e dimë të dy – t’i lëmë mënjanë zhgënjimet dhe divergjencat – ne kemi një Emocion të përbashkët: Shqipërinë. Aleanca jonë me Atdheun është e pakompromis.

Më bënë përshtypje këto fjalë të tuat, pasi përmes tyre për një çast, ulur aty në divan ku dikur rrije edhe ti me orë të tëra, kuptova edhe arsyen e goditjes time pak muaj më parë, shpërfilljen e madhe që mu bë, heqjen e mandatit dhe mandej izolimin. Të gjitha me urdhërin dhe vullnetin tënd. Kuptova se ky Emocion i Atvrasjes – politikisht po flas dhe me modesti(këtu më vjen ndërmend koha kur ti pranoje me qetësi mënyrën time të komunikimit: Biri im) – ishte në qendër të asaj që ndodhi mes nesh, e ku ti mendon se unë jam viktima. Nuk po flas për të tjerët, kufomat e gjalla që ecin në PS, të cilët janë fatkeqësia e përbashkët.

Aspak i dashur Edi.

Nëse unë të dhashë mundësinë që ti gjeje rrugën për t’u rritur duke hequr hijen time të rëndë nga rruga dhe ambiciet e tua, ja ku po të them – Biri im(ma lejo edhe njëherë të fundit këtë), ti më dhe rastin që unë të zbuloj fuqitë e mia të mëdha për të ndjekur Emocionin tim për Shqipërinë.

Edi, mendoj se ti duhet të pranosh se viktima e vetme në këtë mes, në këto ngjarje të pakëndshme dhe aspak dinjitoze, është Miqësia Jonë. E pas saj Shqipëria dhe punët e saj që nuk po ecin mirë. Unë nuk mund të pranoj – jo për kapriço, por për shkak të energjive që kam që ushqejnë atë mision që nuk e braktis dot– të ndaj me ty mendimin e një pleqërimi në Vuno, që ti me ironi e përdore atëherë për të njoftuar me takt spostimin tim.

Jo, i dashur. Koço Kokëdhima është në këtë botë për të bërë punë dhe punë të mëdha. Dhe ti e di shumë mirë këtë. 

Dhe në emër të kësaj po të drejtohem me sinqeritet: Mos lejo që Miqësia jonë, kaq e domosdoshme për Shqipërinë të zhbëhet për një keqkuptim apo rrethanë të pakëndshme. Kjo do të ishte fatale për Atdheun tonë të dashur. Ne jemi Zgjidhja dhe Zgjidhja e problemeve të Atdheut është Emocioni im dhe yti. Ndaj unë të ofroj sot dorën e miqësisë dhe pajtimit. Ti kthejmë gjërat siç ishin për të ecur përpara!

Koço!

Shënim: Letra i është dërguar Shaptilografistit në adresën e vet në e-mail.

Comments

Submitted by Toni (not verified) on

Kete e quan bir, veten At. Delirant.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.