Haradinaj i fton të gjithë në qeveri
Kosova doli me një votë të fragmentuar nga zgjedhjet e së dielës, ku asnjë prej partive apo koalicioneve nuk bën dot qeverinë e vetme. Në këto kushte zgjidhjet që ofrohen nga ata që mund të quhen fitues orientohen drejt konjukturave që kanë për qëllim marrjen e pushtetit dhe ndarjen e pushtetit edhe me ata që mund të quhen kundërshtarë. Kështu kandidati i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj në një intervistë për Radion Europa e Lirë i fton të gjithë të bëhen pjesë e qeverisë, duke nisur nga koalicioni kundërshtar i udhëhequr nga LDK, Lëvizja Vetendosje dhe Lista Serbe.
“Nuk mund ta precizoj nëse është ftesë, por ne jemi në përgatitje e sipër të marrëveshjeve potenciale me partnerët. Pra, unë kam një traditë pune me LDK-në nga e kaluara. Kemi një komunikim, ta quaj ashtu ,të hapur dhe është e mundshme, por nuk mund ta paragjykoj kaq herët ose si do të shkojë rrjedha”- theksoi Haradinaj.
Të njëjtën predispozitë Haradinaj tregon edhe për një mundësi bashkëpunimi me Vetevendosjen që në këto zgjedhje dyfishoi rezultatin dhe praktikisht është parti e parë.
“Njihemi edhe me ta po ashtu. Me siguri do të komunikoj edhe me ta që të shohim si është perspektiva e punëve në të ardhmen. Mirëpo, ju thash që jemi në nivel punë që votuesit kanë vendosur kush është fitues i zgjedhjeve. E kemi numrin e caktuar të deputetëve, i kemi komunitetet që në bazë të Kushtetutës e kanë rolin e vet kushtetues edhe në Qeveri edhe në Parlament, do të diskutojmë edhe në organizimin e politikës shqiptare, por s'dua ta precizoj si do të rrjedhë”-shtoi kreu i AAK-së, që nëse arrin të formojë qeverinë do të dekretohet për herë të dytë kryeministër i Kosovës.
Add new comment