"Të paktën sa për të ruajtur shpresën gjallë"
Fatos Lubonja shkruan sot në një analizë të vetën që publikohet nga gazeta “Panorama” se kjo është fushata më grotesket e 25 viteve të fundit. Sipas tij kulmi arrin me faktin se parti që kanë qeverisur këtë vend për një çerek shekulli sillen në fushatë si opozitare me atë që kanë gatuar po vetë. Marrëveshja Rama – Basha është sipas analistit në fjalë shkaku I krijimit të kësaj anomalie që në çdo rast sipas tij provon se këta që janë në politikë nuk dinë të bëjnë edhe aq mirë llogari.
“Në lojën e kalkulimeve – pa përgjegjësi për të shkuarën dhe pa vizion për të ardhmen (përveç parasë dhe pushtetit)- nuk është vështirë të kuptojmë se kalkulimet jo gjithmonë u kanë shkuar mbroth deri në fund. P.sh. kalkulimet e para Rama i bëri, edhe me ndihmën e disa ambasadorëve, që të hynte pa opozitën në zgjedhje. Ishte ky kalkulim që e shtyu të pranojë Metën në presidencë. Sikur ta dinte se do të bënte marrëveshje nate me Bashën them se nuk do të bënte këtë zgjedhje. Nga ana e tij Meta e pranoi këtë, duke braktisur PD-në në fatin e vet – edhe me idenë se kështu do të merrte votat e PD-së, ndërkohë që të dy do të qeverisnin së bashku me dhe pa opozitë. Pas marrëveshjes kalkulimet ndryshuam. Metës i dolën keq sepse Rama po përdor ministrat e PD-së dhe fushatën e PD-së për të dobësuar sa të mundë fuqinë klienteliste të LSI-së, të cilën edhe po e sulmon si shkaktaren kryesore të dështimeve të tij, duke kërkuar votën e votuesit të LSI-së. Ndërkaq, fjala e përhapur (e që po zë vend) se pas zgjedhjeve mund të ketë koalicion të madh PS-PD demotivon të zhgënjyerit gjatë këtyre katër vjetëve, një pjesë e të cilëve mund të votonin një PD me frymën e çadrës, por kurrsesi një marrëveshje Rama–Basha. Kjo lojë duket se po rrit shanset e Ramës që të kapë i vetëm 71mandate dhe, në këtë rast futja e PD-së në qeverinë Rama 2 me një LSI të dobësuar të mbetur në opozitë do të ishte një asgjësim i PD-së, që nesër do të quhet një shitje e aksioneve të PD-së nga Basha për përfitime personale e të klanit të tij”, shkruan Lubonja.
Ai merr në shqyrtim opsionet e shumta, mes të cilëve nuk përjashtohet në asnjë rast përsëritja e koalicionit PS-LSI, gjellë kjo që preferohet përherë nga të majtët. Lubonja shkruan se shpresë është “LIBRA” e Ben Blushit, parti që sipas tij ka deklaruar opozitarizmin e vet në çdo organizim parlamentar paszgjedhor.
“E vetmja shpresë për të dalë nga kjo tragjikomedi është që ata 56% shqiptarët që, sipas Gallupit, kërkojnë të lënë Shqipërinë, – kuptohet si rezultat i keqqeverisjes dhe zhgënjimit nga të tria partitë kryesore, – t’i japin një goditje të triave, duke votuar ndonjë parti të re si LIBRA e Ben Blushit, që i është kundërvënë të triave dhe që duket se kërkon të mbesë kundër tyre në opozitë edhe pas zgjedhjeve. Të paktën sa për të ruajtur shpresën gjallë”, shkruan Lubonja.
Add new comment