Banka e Shqipërisë jep versionin e saj për rikonstruksionin e ish-hotel "Dajti"

Postuar në 14 Qershor, 2017 08:53

Banka e Shqipërisë ka dalë dje me një deklaratë të posaçme përmes së cilës jep versionin e saj pëër rikonstruksionin e hotel “Dajti”. Rikonstruksion që sipas saj do të kushtojë 16 milionë euro, në sajë të rivlerësimeve që iu bënë shifrës fillestare prej 18 milionë eurosh. Banka i cilëson të pavërteta lajmet e publikuara në media, ndonëse ato kanë qenë thjesht lajme që lidhen me faktin se Banka nuk ka bërë publike asnjë procedurë për këtë çështje, nuk ka kthyer përgjigjie informuese, siç pretendohet në disa media, dhe mbi të gjitha, edhe me njoftimin e fundit, nuk jep emrin e fituesit duke shtuar më shumë dyshimet.

Banka sqaron se “Projekti për rikonstruksionin e ish-hotel Dajtit nisi me miratimin më 27 maj 2011 të “Procedurës së veçantë të prokurimit për realizimin e projektit të zbatimit të rikonstruksionit të ndërtesës së ish-hotel Dajtit”. Kjo procedurë u realizua po gjatë vitit 2011 dhe u finalizua me nënshkrimin e kontratës me Ark. Marco Petreschi”.

Sipas BSH, kjo kompani u zgjodh me garë. Buxheti për rikonstruksionin e ish-hotel “Dajti”, pronë e blerë nga banka për 33 milionë euro, u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës me vendimin nr. 86, datë 28.12.2011 në vlerën rreth 16 milionë euro, mbi bazën e projektit zbatimit të prezantuar nga projektuesi dhe të kontrolluar dhe pranuar nga Banka e Shqipërisë. Rritja në 18 milionë euro u bë në vitin 2013 për shkak siç thuhet në deklaratë “të ndryshimeve në projektin teknik që reflektuan gjendjen teknike aktuale të strukturës së objektit”.

Për vijimin e punës është marrë edhe dakordësia e Institutit të Monumenteve, ndërkohë që pjesa që ka zgjuar debate është “Procedurat për përzgjedhjen e kompanisë zbatuese”. Në këtë pikë BSh dhe në njoftimin aktual nuk thotë se kush është fituesi, duke u mjaftuar të nxjerrë përpara mbrojtjen se tenderi është njoftuar në Financial Times.

“…Në vijim, u ndoqën të gjitha procedurat e tenderimit për objektin e prokurimit "Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-hotel Dajtit”, procedurë që do të përfundojë me nënshkrimin e kontratës mes palëve”, thuhet në deklaratë.

Banka shton se çdo vendim i Këshillit Mbikëqyrës është marrë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, duke kujtuar se “vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës dhe gjithë veprimtaria institucionale e Bankës së Shqipërisë është subjekt llogaridhënieje pranë Kuvendit të Shqipërisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Komitetit të Auditit që drejtohet nga anëtarë joekzekutivë të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe Inspektorit të Përgjithshëm”. Duke dalë me një tekst që ngjan më shumë si avokati mbrojtëse sesa sqarim për publikun, Banka nuk jep asnjë të dhënë me interes, ndërkohë që ndaj saj në lidhje me këtë procedurë është njoftuar edhe një padi nga shoqata e ndërtuesve.

https://www.bankofalbania.org/web/NJOFTIM_PER_SHTYP_7795_1.php?kc=0,26,0...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.