Zgjdhjet më të këqija që do të shpallen si më të mirat*

Postuar në 11 Qershor, 2017 14:07
Sherefedin Shehu

Përveç korrupsionit, Qeveria Rama-Meta-Idrizi favorizoi edhe dy fenomene të tjera, kriminalizimin e shtetit dhe kanabizimin e vendit. Tashmë është i njohur fakti që Shqipëria është i vetmi vend që ka miratuar një ligj të ashtuquajtur “për dekriminalizimin”, “… është një burim kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE” (Raporti i EUROPOL-it për vitin 2016) dhe “… prodhon dhe eksporton sasi të mëdha të marijuanës, kryesisht në vendet europiane, si dhe është vend tranzit për transportin e heroinës afgane dhe kokainës, duke shërbyer si portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Europën” (Raporti i DASH për vitin 2016).

Fushata elektorale po shkon në zbritje dhe partitë politike nuk po thonë një fjalë për këto fenomene që mbajnë peng zhvillimin e vendit. Asnjë parti nuk ka prezantuar politika dhe mekanizma që do të përmirësojnë këtë situatë të rëndë. Kjo është e kuptueshme për partitë e ish-qeverisë, por as PD nuk po flet asnjë fjalë për hashashin, i cili deri dje konsiderohej rreziku më i madh kombëtar, e futi PD në çadër, i dha 6 ministritë kryesore të Qeverisë, i dha drejtorët më të rëndësishëm që kontrollojnë shumicën e parave dhe të administratës publike dhe i rriti PD-së kredibilitetin te partnerët ndërkombëtarë.

Ky qëndrim nuk mund të justifikohet as me marrëveshjen Rama-Basha, sepse paratë e drogës janë ndara midis trafikantëve dhe partnerëve në ish-qeveri, Rama-MetaIdrizi, të cilët do t’i përdorin ato për të blerë vota. Duhet pranuar që marrëveshja Rama-Basha është një standard i ri në politikën shqiptare, por mbyllja e gojës së demokratëve ngre dyshime se në marrëveshje nuk janë shkruar të gjitha ato për të cilat është folur midis Ramës dhe Bashës.

Mungesa e transparencës dhe goja e mbyllur e PD-së tregojnë se në të ka shumë dritëhije dhe se “nuk kemi parë gjë akoma”. Sido që të jetë e vërteta, kjo marrëveshje i ka hequr PD-së mundësinë e kontestimit të zgjedhjeve, por i ka dhënë mundësinë për t’i fituar ato. Ajo bëri që PD, de facto, të futet në zgjedhje në koalicion me aleatët e saj, ndërsa PS do të futet pothuajse vetëm dhe asaj do t’i mungojnë votat e ishaleatëve të saj qeverisës, LSI dhe PDIU, ose edhe mund të gërryhet prej tyre. Harresa e hashashit tregon se PD nuk po e përdor sa duhet këtë avantazh.

Përveç kësaj, në fushatë nuk po dominon kontrata e PD-së me qytetarët, por po bëhet më shumë retorikë dhe “lloqe” për kundërshtarët kryesorë politikë, Rama dhe Meta. Ky model, sidomos për partinë që synon qeverinë, nuk frymëzon dhe nuk krijon besim te votuesit e zhgënjyer. Pjesa e votuesve “gri” gjykojnë mbi “ofertën” që bëhet, si edhe mekanizmat dhe ekipin që garantojnë zbatimin e saj. Marrëveshja Rama-Basha jo vetëm i mbylli gojën PD-së, por siç po duket nuk do të garantojë as zgjedhje të qeta, të barabarta, të drejta dhe të ndershme.

Rama, menjëherë pas nënshkrimit të saj, nxitoi që t’i bindë qytetarët se “ministrat teknikë nuk kanë kompetenca dhe vetëm do të shikojnë nga brenda se si punon qeveria e tij” dhe për çdo rast ju vuri si roje zëvendës kamikazë politikë shtesë. Ndërkohë, çdo ditë shikojmë trimërimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të ministrive teknike, që nuk largojnë nga puna nëpunësit që punojnë për partinë dhe jo për shtetin.

Këtyre shfaqjeve u shtohet edhe pjesa e padukshme e keqpërdorimit të qeverisjes 4-vjeçare për shtimin e votave. Edhe pse është e padukshme, pranohet gjerësisht se Rama dhe aleatët e tij, LSI dhe PDIU, i kanë kthyer llokmat e tyre qeveritare në vende për të punësuar sekserët e blerjes së votave, për të bërë para edhe nga një sigël ose firmë që sekserët dhe ministrat venë në shkresat zyrtare, për t’iu dhënë tenderë me fonde publike sponsorëve të tyre elektoralë dhe për të ndarë paratë e drogës me trafikantët. Dhe këtë po e shikojmë çdo ditë, mbasi ata nuk po japin llogari para votuesve por vetëm bëjnë “lloqe” me ta.

Mungesa e llogaridhënies po shoqërohet edhe me mashtrimet për çudirat që do të bëjnë në mandatin e ri. Në këmbim të tyre Rama kërkon që t’i japin 71 mandate. Ai ka ndërruar dhe lëkurën dhe i kërkon votat, duke u lutur, por në fakt lutjet e tij janë kërcënime. Nënteksti i tyre është “provoni të mos jepni 71 mandate”. Rama ka thënë hapur se kush nuk i jep votën të mos presë projekte dhe financime, a thua se Rama është mbreti dhe jo kryeministri i radhës. Nganjëherë thotë se votat i duhen që të bëjë reforma kur e kemi parë që ai vetëm reforma nuk di dhe nuk do që të bëjë.

Dhe për këtë e kemi modelin mbasi me reformën e energjisë u rrit çmimi i energjisë dhe u rikthyen ndërprerjet e saj, me reformën tatimore u rrit barra për qytetarët dhe bizneset dhe u arkëtuan më pak para në buxhet, me reformën e subvencionimit të bujqësisë u hoq subvencioni për fermerët dhe u shpërnda për një grusht sponsoresh të PS dhe LSI, dhe së fundi vetingun po na e shet si reformën më të thellë të tij, kur në fakt e ka penguar duke e çuar 3 herë në Komisionin e Venecias dhe disa herë të tjera në Gjykatën Kushtetuese. Mungesës së llogaridhënies dhe modelit të kontratave me qytetarët i shtohet edhe mungesa e kulturës demokratike dhe traditës së votimeve.

Filozofi grek Sokrati thotë se: “Votimi në zgjedhje është aftësi e zhvilluar dhe jo një perceptim rastësor dhe kjo aftësi duhet që t’u mësohet njerëzve sistematikisht”. Ndërsa shqiptarëve kjo aftësi u ka munguar historikisht dhe nuk ka pasur përpjekje apo mekanizma për zhvillimin e saj. Faktorët e mësipërm të bashkuar edhe me varfërinë e rritur në Shqipëri bëjnë që votat të jepen në këmbim të parave, ose edhe të “lloqeve” politike që Sokrati e quan “sistemi i rrezikshëm i demagogjisë”.

Demagogët keqpërdorin fuqinë e votës së qytetarëve, duke u shtirur si shpëtimtarë të shtresave më të dobëta të popullsisë me oferta aventureske dhe akuzua për dobësi dhe mungesë vullneti nga ana e kundërshtarëve më të moderuar dhe të matur. Mungesa e përgjegjshmërisë së politikanëve dhe mosndëshkimi i politikës nga qytetarët i favorizojnë demagogët. Fatkeqë- sisht, ka një konkurrencë të shfrenuar në retorikën elektorale, ku liderët politikë përpiqen t’ia kalojnë njëri-tjetrit me premtime pa thënë një fjalë për asgjënë që bënë në këto vite dhe pa dhënë asnjë garanci për ato premtimet e ardhshme.

Demagogjia shqiptare shkon akoma më tej, duke keqpërdorur grupe me influencë shoqërore dhe elektorale siç janë gratë dhe rinia. Ramën e shikojmë në takime vetëm me gratë, ndërsa Meta vetëm me rininë. Të gjitha këto janë presion mbi votuesit dhe më 25 qershor do të ndodhë ajo që Sokrati përshkruan për Athinën e lashtë që në Kuvend “… ne të zgjedhim shumë pronarë dyqanesh ëmbëlsirash dhe shumë pak mjekë”. Fatkeqësisht, këto zgjedhje që pritet të jenë të këqija do të shpallen më të mirat, mbasi do të kenë vulën e marrëveshjes Rama-Basha.

*Titulli i ResPublica

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.