Blerja e votës në distancë ka filluar dhe hapur
Kreu i PD-së po bën fushatë i qetë, me mesazhin dhe idenë se edhe sikur të marrë vetëm votën e tij, do jetë në pushtet. Ai propozon disa gjëra programore që mbeten interesante, si heqje taksash, ulje TVSH-je, likujdim të taksës së transaksionit të pronës dhe kalimin e saj në tarifë fikse, por me to nuk po merret njeri, sepse shohin Lulzim Bashën e Marrëveshjes.
LSI-ja po bën fushatë thuajse iracionale, duke folur në përgjithësi për rininë, vendin e parë dhe punësimin.
PS-ja me kryeministrin po bën një fushatë atipike, fyese për çdo njeri që ka një familje në shtëpi. Kryeministri poston fotot e shesheve të rehabilituara, shan LSI-në, pak PD-në dhe nuk propozon asgjë. Ai premton lugën e floririt nëse shqiptarët nuk votojnë më Ilir Metën, apo ndryshe siç njihet me ironi, Ilir Floriri. Kryeministri ka kapur një tezë këtu, nevojën për pastrimin e administratës nga lësëistët që për eufemizëm quhen thjesht militantë:
“Në të gjithë planetin bëhen në bazë programit, ndërsa në Shqipëri në bazë të drejtorive: sa drejtori marr unë, sa agjenci marrë unë, sa gjoba do vë unë, sa gjoba do vësh ti. Kjo është skandaloze, është kancer”, tha ai nga Ksamili.
Siç mund të kuptohet kjo është blerje në distancë e votave me ofertën e punësimit në administratë tani që LSI-ja nuk do të jetë më. Mirëpo këtu çështja është se ne sot kemi në qeveri ministra teknikë të propozuar nga PD-ja, të cilët ky kryeministër i mori në kabinet pa kontrolluar asgjë dhe një ditë pasi i pranoi, ndërseu mediat e veta për t’i cilësuar si militantë. Më tej akoma, ai po na thotë që këta ministra do jenë në detyrë edhe pas 25 qershorit nëse PS-ja nuk fiton e vetme. Këtu pyesim: Si do të arroihet që të bëhet një koalicion programor, pa këto drejtorllëqet e deritanishme, nëse PS-së i duhet të bëjë aleancë me PD-në?
Si do të përshtaten politikat e dy partive që sot flasin krejt të kundërta? Nuk ka asnjë nga këto. Janë llafe. Si Rama edhe Basha po blejnë votat me administratën, duke zëvendësuar LSI-në.
Add new comment