Rrumpalla mes rilindjes dhe republikës së re

Postuar në 03 Qershor, 2017 20:17

Situata e tanishme elektoralo-politike po provon një paradoks që është i tillë vetëm në dukje, ose kur ankorohet si rrjedhojë logjike në idenë e të majtës dhe të djathtës. Në fakt nuk është fare kështu dhe për ta kuptuar sesi sot PD-ja lufton LSI-në përmes vendimmarrjes administrative, ndërkohë që vetë LSI-ja është në pushtet, do të duhej që premisa "e majtë - e djathtë" të eliminohej fare. Kemk të bëjmë me grupe interesi dhe asgjë më shumë. Grupe që mbahen nga paraja publike dhe nga një heshtje kriminale, impotente dhe tërësisht e paprecedentë e asaj që konsiderohet si kategoria e intelektualëve. 

Shkarkimi i disa drejtorëve të LSI-së është një sinjal i hapur se oferta e vetme e PD-së në këto zgjedhje është Zero. Dhe zero është baraz me mbijetesën e saj. Partia e Republikës së Re po lufton vetëm për të mbijetuar duke goditur rrugët ku mendon se i rrjedh elektorati: punësimi në administratë. Ajo po godet LSI-në për të kompromentuar këtë të fundit në pikën e fortë të ofertës së vet edhe më antishtet: "bëhu me ne që të të gjejmë punë"

Kjo shfaqje që po jetësohet në kryqëzimin e Rilindjes me Republikën e Re, pra në atë realitet amorf ku nuk merr vesh i pari të dytin, kondenson një situatë distopike për ata që mendojnë se një standard etik e moral duhet të ketë. Kjo jo vetëm që nuk ndodh dhe nuk respektohet, por më keq, instrumentalizohet në mënyrë cinike. Kryeministri Edi Rama, aktualisht në kohë të plotë vetëm kryetar PS-je, foli dje për atë që e quajti “bosnjëzim të shtetit”, duke patur parasysh ndarjen e posteve administrative sipas përkatësisë partiake. E ndërkohë që thoshte këtë dhe fliste sesi dikur në të ardhmen, ai patjetër që do bëjë shtet po ta lënë, dëgjonte në heshtje cinike sesi PD-ja kryente shkarkimet e njerëzve të LSI-së. Mbani parasysh që ky person paguhet si kryeministër i këtij vendi. 
Natyrisht që pas 25 qershorit do të jetë matematika ajo që do të kualifikojë edhe këto dëngla “të pushtetshmish”, të cilët sigurisht që do ulen e do shtrëngojnë duart. Mirëpo mbi cilin parim, apo premisë shteformuese do të zgjidhet ky bosnjëzim kur të gjithë po luajnë për plaçkën e pushtetit? Mbi asnjë, ose më saktë mbi parimin sot është sot.

Teorizimet për shtetin, rilindjen apo republikën e re janë teza televizve, titra për berihanë. Kjo klasë politike nuk ka as vullnetin, as formimin dhe as forcën që të ngrejë një minimum normën e sjelljes politike. Teatri që jeton nga gënjeshtrat dhe gënjeshtrat që gëlltiten nga vërfëria - ja skema e zgjuar e kësaj politike që po luan serinë më të fundit të Rrumpallës që nuk do të marrë fund në këtë vend

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.