Rreziku nga matrapazët e "patriotizmit"*
“Shqiptarët shkelën flamurin grek” ulërin – dhe krijon ide të gabuar – titulli mbi ekranin e vogël, ndërkohë që prezantuesja e kanalit televiziv transmeton lajmin në mënyrë melodramatike. “Shqiptarët hoqën dhe shkelën me këmbë flamurin grek” bien dakord dhe ngrenë zërin edhe portalet informative. Ku ideja e gabuar dhe ku “retorika patriotike”? Në numrin shumës: “shqiptarët”, sepse flamurin grek e shkeli një shqiptar dhe jo një njeri i rastësishëm, një i zakonshëm, por shovinisti fanatik Tahir Veliu, kryetar i “Shqipërisë së Bashkuar”.
Mund të ndodhë që dikush, diku tjetër, shqiptarë të tjerë, një ose disa të shkelin flamurin grek, por të kalosh nga numri njëjës në numrin shumës, ndryshimi është shumë i madh. Dhe kur e mbulojnë me një përgjithësim të pamend, ekzagjerim dinak dhe rrezikshmëri për të ngacmuar “frymën politike” të teleshikuesit, atëherë e vetmja gjë për të cilën nuk mund të flasim është gazetaria e përgjegjshme. Kur përdorimi i numrit shumës, shkakton antipati dhe armiqësi karshi një populli të tërë, duke identifikuar kolektivin me një të vetëm, një flamurshkelës, atëherë do të duhet të rifillojë përcaktimi i abëcësë së etikës së gazetarisë.
“Atdheun e zemrës” nuk e ëndërron vetëm Taip Erdogani,”atdheun e bashkuar” nuk e ëndërron vetëm Tahir Veliu. Në Ballkan qarkullojnë shumë nacionalistë të pangopur me territor, të cilët i ngushtojnë kufijtë e sotëm dhe dëshirojnë të dyfishojnë apo trefishojnë vendin e tyre në kurriz të fqinjëve të tyre, të cilët janë gjithmonë “të egër” dhe “grabitqarë”. Në çdo vend të tyrin. Edhe në Greqi.
Irridentistë dhe megaloideistë hartëzojnë me fantazinë më të shfrenuar “Turqinë e Madhe”. “Serbinë e Madhe”, “Shqipërinë e Madhe”, “Bullgarinë e Madhe”, “Rumaninë e Madhe”, “Greqinë e Madhe”, shajnë kundërshtarët e tyre etnikë, rrahin ata që janë të veÇuar, kthejnë portat e futbollit dhe basketbollit në “bastione patriotike”.
Matrapazë të vegjël “patriotizmi”, qoftë kur bëjnë parti të vogla “çlirimtare”, që megjithëse duket se nuk bien dakord ndërmjet tyre, për dicka do ishin patjetër dakord: me traditën në zjarr të Rigas Fereos. Dhe po të kishin të dëgjuar poezinë “konfederata ballkanike” të poetit Kostis Palamas, me siguri do ta digjnin edhe atë bashkë.
Përshtati në shqip nga "Kathimerini": Gerta Banushi
Marrë nga "Vizion Plus"
*Titulli është i ResPublica
Comments
E vertete!
E vertete!
Add new comment