Bilanci pa bilanc i bashkimit qeveritar të Shqipërisë me Kosovën

Postuar në 26 Maj, 2017 12:42

Intervistë e Ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati për televizionin RTK në Kosovë

Gazetarja: Z. Bushati, përveçse jeni Ministër i Punëve të Jashtme, sot jemi këtu për t'iu dedikuar një emision të bisedës, mes të tjerash edhe pse jeni bartës i listës së Partisë Socialiste në Shkodër. Pra, në fakt, jeni edhe i yni, i Malësisë sonë e jo veç i juaji. Do të hyjmë në detaje e do të flasim për shumë gjëra mes të tjerash. Por a mund të fillojmë menjëherë duke bërë vlerësimin e punës suaj. Më intereson sa i përket vlerësimit të asaj çka keni bërë për shqiptarët e rajonit. Çfarë do të vlerësonit pas 4 viteve? Jeni që prej 2013 Ministër i Punëve të Jashtme. Çfarë do të thonit që dallon? Çfarë do kishit theksuar si sukses për shqiptarët e rajonit në katër vitet e fundit? E çka mendoni që është jo sukses e ku keni pritur diçka më shumë e nuk keni mundur të arrini në katër vitet e fundit lidhur me shqiptarët në rajon?

Ministri Bushati: Shqipëria si vendi kryesor, le të themi ku jetojnë sot shqiptarët në rajon apo vendi amë, është në një pozitë më të avantazhuar nga ç'ishte para katër vitesh. Është një vend i cili ka një dinamikë tjetër në hapësirën e Europës adriatike, përmes instrumenteve dhe përmes bashkëpunimit që ne kemi zhvilluar sidomos me Kroacinë dhe Malin e Zi, një vend i cili ka një dinamikë gjithashtu besoj për t’u lavdëruar në procesin e Berlinit, duke qenë se edhe projektet kryesore të Procesit të Berlinit mbajnë në një mënyrë a në një tjetër, vulën e Shqipërisë.
Shqiptarët në rajon mendoj që janë në pozitë më dinjitoze seç ishin para katër viteve. Sot kemi një Kosovë, e cila është pjesë e tryezave dhe nismave rajonale më të rëndësishme, platformave më të rëndësishme. Është një Kosovë e cila ka një marrëveshje stabilizim-asociimi me Bashkimin Europian. Kemi punuar kryesisht me të dhe me partnerët tanë për të pasur një afatizim të afrimit të Kosovës me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Gazetarja: Mirë, por për çfarë krenoheni ju me ç'keni bërë për shqiptarët e rajonit gjatë qeverisjes suaj në këtë mandat 4-vjeçar. Ose më lejoni, po përmend dy gjëra kryesore të cilat mendoj se njerëzit do i mbajnë mend jashtë Shqipërisë. Sepse qytetarët e Shqipërisë do ju japin notën në zgjedhjet e ardhshme. Datat i vendosni ju. Do t’iu vlerësojnë për çka keni bërë brenda Shqipërisë. Por për ne, shqiptarët jashtë Shqipërisë, ka qenë qenësor momenti që keni mbërritur të bëni shqiptarët e Maqedonisë bashkë. Diçka që nuk është bërë përpara. Dhe që keni mbërritur gjithashtu shqiptarët e Malit të Zi t'i bëni bashkë dhe t'i përafroni tek vendimi i shpalljes së Tuzit si një Bashki e re. Përderisa këto të dyja, unë mundem t'i vlerësoj ndoshta nga jashtë si sukses. Më lejoni të flas për çka nuk kanë qenë aq të suksesshme. Dua menjëherë ta filloj bisedën për investimin më të madh që është bërë mes Shqipërisë dhe Kosovës. 70 milion janë dhënë për rrjetin elektrik të shtruar mes Shqipërisë dhe Kosovës edhe gjatë këtyre katër viteve nuk arritët me t'i vlerësoni. E keni afruar por nuk arritët ta jetësoni. Po përfundon kjo qeverisje dhe nuk është kryer. Ende nuk është lëshuar që të ndikojë në çmimet e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Pse?

Ministri Bushati: Në radhë të parë, mendoj se duhet të bëjmë një diferencë kur flasim për shqiptarët në rajon. Kur flasim për shqiptarët në rajon, ka dy shtete shqiptare në rajon: Shqipëria dhe Kosova. Që kanë secili prej këtyre dy shteteve qeveri legjitime. Dhe kur unë përmenda raportin me Kosovën dhe arritjet që ka pas Kosova në këtë drejtim, duhet të jem shumë i qartë me ndjekësit e këtij programi. Këto janë arritje të klasës politike në Kosovë, qeverisë dhe institucioneve në Kosovë. Në të cilën, ne si Shqipëri jemi një prej avoketërve kryesorë, për të mos thënë avokati kryesor por me peshën specifike që ka Shqipëria. Kur vjen puna për rastin e shqiptarëve që jetojnë  në Maqedoni  apo në Malin e Zi apo në Luginën e Preshevës, roli i vendit amë siç është Shqipëria, merr një tjetër dimension për shkak se dinamika në shtetet ku jetojnë shqiptarët është e ndryshme prej dinamikës në Shqipëri dhe në Kosovë. Na është dashur shumë punë dhe shumë vrull për të mbështetur një kuazion të shqiptarëve në Maqedoni apo një kuazion të shqiptarëve në Malin e Zi. Na është dashur shumë punë për të punuar me shqiptarët e Luginës dhe nuk besoj se jemi aty ku do të duhet të ishim. Jo thjesht ne, por aty ku në fakt janë aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Gazetarja: Le të flasim për ne, për Kosovën.

Ministri Bushati: Kur flasim për Kosovën, unë mendoj, që kishte shumë njerëz që na tallën, na përqeshën nga të dyja anët, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova.

Gazetarja: Unë mendoj që as s’duhet të kalojmë kohë, zoti Bushati, me komplekset që ju nuk duhet të bëni për ne. Kosova është shtet i ri dhe i vogël dhe ka nevojë për ndihmën e çdo shteti tjetër, lëre më të Shqipërisë. Prandaj po ju pyes dhe po insistoj. Investimi që është bërë në transmision është bërë edhe në shtetin tuaj dhe në shtetin tim. Është investim i madh energjetik që ka mundur të jetë një rrugë si treg i parë mes dy shteteve që kanë raport strategjik me njeri-tjetrin. Pse nuk e keni thjeshtësuar transmisionin edhe sot e kësaj dite kur jeni ndoshta në ditët e fundit si ministër?

Bushati: Unë e kam përgjigjen shumë të thjeshtë për këtë çështje, sepse kjo është një çështje ku ka pasur një vullnet politik të qartë nga ana e qeverisë ku unë bëj pjesë dhe dihet që kishte një vonesë të madhe nga ana e qeverisë Berisha, sikurse ka pasur raportime serioze në media në lidhje me afera të supozuara korruptive për sa i përket tenderit dhe procedurave të tenderimit të jetësimit të autostradës energjetike Shqipëri-Kosovë. Ky një investim….

Gazetarja: Po përsëri nuk u çua deri në fund...

Bushati: Tashmë çështja është politike. Kemi dy lloj pengesash jo thjesht në raportin Shqipëri - Kosovë, por përgjithësisht me jetësimin e një tregu rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ka pengesa politike siç është rasti i Serbisë dhe mos njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Ka presion pozitiv dhe konsistent kryesisht të Gjermanisë, i cili është partneri kryesor në këtë projekt që ne po flasim për t’i krijuar këtij projekti frymëmarrjen e domosdoshme në mënyrë që secili jo thjesht Shqipëri-Kosovë,  por edhe vende të tjera, do të merrnin përfitime nga zbatimi i këtij projekti.

Gazetarja: Çfarë presioni është duke bërë qeveria juaj?

Bushati: Dakord, vetëm se unë duhet të them një gjë që, kur flasim për politikën e jashtme, kur flasim për politikën në përgjithësi është pak a shumë si ndërtimi i një shtëpie, secili prej nesh ka qëndruar në bark të nënës për nëntë muaj dhe nuk është një proces i cili mund të ndodh brenda ditës. E thashë.

Gazetarja: Ju thatë që fëmija rri nëntë muaj në bark të nënës, ajo bebe nuk është duke lindur hiç.

Bushati: Mund t’ju them një gjë që është interesante. Kur ne vendosëm programin tonë qeverisës, firmosëm një traktat, një marrëveshje strategjike me Kosovën. Ishin të shumtë njerëzit në të dy anët e kufirit, analistë, politikanë që na përqeshnin kur bëmë mbledhjen e parë të dy qeverive në Prizren. Ishin të shumtë njerëzit që bënin komente nga më të ndryshmet. Por fakti është që mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk kishte një dokument të partneritetit strategjik, nuk kishte disa shtylla rreth të cilave mund të grupohej bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Unë sot mund të listoj disa çështje ku ky bashkëpunim ka funksionuar më së miri, por ka dhe çështje….

Gazetarja: Që 16 vjet mbas luftës në Kosovë, të flasim për sukses të disa mbledhjeve që keni arritur, dy shtete që janë gati një popull, është pak “hajgare” ta konsiderosh sukses, që qeveritë tona po mblidhen edhe kjo është sukses? A presim shumë më shumë?

Ministri Bushati: E para, që të presësh shumë më shumë është legjitime dhe krejt normale, se kjo është arsyeja që gjallojmë në fund të ditës. Por që të them është “hajgare”, që mblidhet Franca dhe Gjermania tash 60 vjet, dhe bëjnë mbledhje të përbashkëta të qeverive. Makron vizitën e tij të parë, po ashtu si Holande e bëri direkt në Gjermani. Kjo është normale dhe për herë të parë kjo praktikë nisi dhe u institucionalizua më 2014. Aq më tepër që ky është një fakt në favor të argumentit që unë po jap. Fakti që francezët dhe gjermanët janë dy popuj të ndryshëm, ndërsa ne jemi një popull. Pra ne duhet ta kishim institucionalizuar ndoshta këtë gjë shumë kohë më përpara, por mos të harrojmë edhe për të pasur një mbledhje të përbashkët ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur presion pozitiv edhe nga ata që janë dorëzanes të pavarësisë së Kosovës. Ne kemi firmosur marrëveshje të partneritetit strategjik me Italinë, me SHBA, me Francën, por mund t’ju them që dokumenti që kemi firmosur me Kosovën është një dokument, i cili ka kaluar në llupë të disa prej partnerëve të cilët kanë qenë vendimtarë për fatin e Kosovës.

Gazetarja: A flasim pak çfarë të mira kanë sjellë këto takime mes qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë? Çfarë të mira konkrete në terren i kanë sjellë qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë? Çfarë u bë me vendimet që keni marrë, në këto mbledhje të qeverisë?

Ministri Bushati: Mund t’ju them në planin politik kemi një bashkëpunim dhe një bashkërendim shumë më të mirë seç e kemi pasur me Kosovën, si për sa i përket mbështetjes në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Ka tre vjet e dashur Jetë, që Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes, në çdo Ministrial apo Samit të NATO-s, përsërisin kërkesën për një afatëzim të procesit të anëtarësimit, apo afrimit të Kosovës me NATO-n. Nuk janë çështje të lehta kur në kushtet kur në NATO ka katër vende anëtare që nuk e njohin Kosovën dhe është një organizatë, e cila funksionon mbi bazën e konsensusit dhe jo mbi bazën e shumicës. Së dyti, kemi një Kosovë sot që është pjesë e të gjitha nismave rajonale, pjesë e projekteve të përbashkëta rajonale.

Gazetarja: Qeveria jonë po na thotë që ky është rezultat i dialogut, nuk po na thotë që është rezultat i takimeve të qeverisë së Shqipërisë me të Kosovës, po na thotë që është rezultat i dialogut.

Ministri Bushati: Këto janë procese që ndihmojnë njëra-tjetrën, sepse unë nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk besoj se asnjë në Kosovë mendon që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian, apo drejt nismave rajonale kalon përmes Beogradit. Është e kundërta. Besoj se rruga e Kosovës në procesin e integrimit europian kalon nga procesi i shtet-konsolidimit në radhë të parë dhe në radhë të dytë, nga konstruktiviteti i Kosovës në planin rajonal. Por këto janë dy procese shumë të rëndësishme që sot kanë vendosur Kosovën në pozitë më të mirë se çka qenë para katër vitesh. A mund të kishim ne një koordinim edhe më të mirë? Natyrisht që po. A ka pas raste kur ne nuk kemi pasur komunikimin e duhur siç ka qenë rasti i anëtarësimit së Kosovës, apo procesit të anëtarësimit në UNESCO? Natyrisht që ne duhet të kishim një koordinim edhe më të mirë, jo thjesht mes nesh dhe Kosovës, por dhe mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, por besoj që….

Gazetarja: Z. Bushati, a mund të bëheni real? Kosova sivjet ka për të konkurruar përsëri ndoshta për UNESCO. Pse nuk arriti Kosova të kishte koordinim të mirë, madje as me Shqipërinë, as me disa vende që kanë njohur Kosovën për t’i marrë votën e tyre? Çfarë duhet të bëjë Kosova këtë herë që të mos dështojë?

Ministri Bushati: Të jap përgjigjen e UNESCO-s, por nuk mbylla dot gamën e çështjeve ku unë të paktën mendoj se ka lëvizje pozitive, siç kam unë personalisht dhe institucioni që përfaqësoj, qeveria ku bëj pjesë dhe një listë çështjesh ku mendoj që ne duhet të jemi më radikal në raportet tona të bashkëpunimit. Por, meqenëse doni që unë t’i përgjigjem rastit të UNESCO-s, mund të them që nuk ishte thjesht dhe vetëm një çështje që kishte të bënte me koordinimin mes nesh dhe Kosovës. Konteksti gjithashtu ishte shumë i rëndësishëm, për shkak të faktit që SHBA nuk ishin pjesë në bordin e UNESCO-s, për shkak të faktit që Rusia ka një peshë dhe një traditë mjaft të konsoliduar brenda organizatës, për shkak të faktit që votimi për anëtarësim në kushtet kur kandidati për t'u anëtarësuar nuk është vend anëtar i OKB-së e kërkonte 2/3 e votave sepse një mazhorancë shtetesh ishin për Kosovën dhe mazhoranca….

Gazetarja: Ajo që varet nga Kosova, çfarë mund të bëjë Kosova më mirë këtë herë? Çfarë mund të bëjë më mirë, çfarë varet prej saj?

Ministri Bushati: Natyrisht që Kosova ka bërë në gjykimin tim gjithçka ka mundur si në fushatën promovuese të saj ashtu edhe në kontaktet që ka zhvilluar, por momenti i zgjedhur ndoshta mund të mos ishte momenti më oportun për të jetësuar një ëndërr të caktuar në kushtet kur organizata ka rregulla shumë strikte dhe kërkon 2/3 e votave. Por mund të vazhdoj më tej. Ne kemi një kalendar të përbashkët për çështjet kulturore me Kosovën, ne kemi një proces të njehsimit të teksteve shkollore me Kosovën. Ne kemi një linjë të gjelbër sot ku duhet të kalojnë tragetet apo….

Gazetarja: Le të ndalemi pak te tekstet. Akoma nuk kemi një tekst shkollor të konsoliduar midis dy shteteve.

Ministri Bushati: Nuk është e thënë që të kemi një tekst shkollor sepse sot për sot në sistemin që ne kemi…

Gazetarja: Çfarë vendimi është marrë?

Ministri Bushati: Vendimi është për të njohur tekstet dhe tekstet janë të njohura. Pra një tekst se si shkollohet një fëmijë në Shqipëri, apo në Kosovë të njihet nga të dyja anët e kufirit. Ky vendim është marrë. Nga ana tjetër, ne nuk mund të shkruajmë për realitetin e teksteve shkollore. Në Shqipëri, sot, një shkollë ka autonomi për të përzgjedhur tekstet me të cilët do të shkollojë brezin e ri dhe kjo nuk është e njëjtë për çdo shkollë. Po flasim për tekste, të cilat janë të njohura nga dy qeveritë nga dy instancat tona.

Gazetarja: Çfarë problemesh ka pasur?

Ministri Bushati: Nuk ka qenë e tillë, kemi një marrëveshje që është firmosur nga dy Ministritë e Arsimit, kemi programe të bashkëpunimit në këtë fushë që fillojnë nga….

Gazetarja: Kemi diploma të studentëve që studiojnë dhe kërkojnë të punësohen në dy vende të ndryshme, d.m.th shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë dhe ata të Kosovës në Shqipëri. Nuk u njihen diplomat të gjithëve. Meqë po flasim për sukseset duhet të flasim edhe për dështimet.

Ministri Bushati: Nuk e di se cilat janë diplomat që nuk njihen sepse duhet të jemi shumë konkretë. Ka një procedurë se si ta ekuivalentojmë një diplomë, apo njehim një diplomë. Unë për vete kam bërë studime pasuniversitare jashtë Shqipërisë dhe di se cila është procedura. Ajo nuk njihet automatikisht, pavarësisht se është një universitet prestigjioz në Holandë, nuk njihet automatikisht. Siç di, njerëz apo kolegë që kanë studiuar nëpër kolegje të rëndësishme, por për shkak sepse quhet kolegj dhe nuk quhet universitet, mund të kenë një procedurë tjetër për t’u njohur. Ka një procedurë se si njihet një universitet në kushtet kur ne kemi disa universitete private si në Shqipëri si në Kosovë e nuk e di për ato universitete të cilat ju i referoheni, a e kanë kaluar testin e akreditimit etj., etj., etj.

Gazetarja: Por ato ekzistojnë, janë të hapur, kanë dhënë diploma dhe studentët e tyre po merren ….

Ministri Bushati: Ata ekzistojnë. Në rastin e Shqipërisë po them që është bërë një tranzicion, ku janë mbyllur universitetet, por investimi i prindërve, investimi i fëmijëve për diplomën, për dijen nuk ka shkuar dëm, sepse në rastin e Shqipërisë, (nuk jam në dijeni se çfarë ka ndodhur në Kosovë për këtë çështje), në rastin e Shqipërisë, ka pasur një tranzicion për t’i kanalizuar nëpër ato universitete, të cilat i kanë rezistuar testit.

Gazetarja: Përderisa…..

Ministri Bushati: Vazhdojmë më tej me pikën e përbashkët doganore dhe këtu kemi një mangësi, pavarësisht përpjekjeve maksimale që janë bërë në këtë drejtim dhe ende nuk kemi arritur të kemi një pikë të përbashkët doganore në Durrës, që do të thotë se kamioni, kontejneri që do të vinte në Durrës dhe e ka destinacionin final në Kosovë, nuk do të kishte nevojë për procedura burokratike të kryente çdo procedurë. Ka një vonesë nga ana e qeverisë së Kosovës. Nuk është kjo për të hedhur topin në derën e Kosovës.

Gazetarja: Çfarë vonese?

Ministri Bushati: Me procedurat. Sepse normalisht aty duhet të ketë doganier nga shteti i Kosovës për të kryer procedura dhe për të krijuar mundësinë dhe lehtësinë për të shkuar më shpejt malli në destinacion. Ende nuk është finalizuar kjo gjë. Po të shohësh është pjesë e marrëveshjes që ne kemi bërë me Kosovën . Para dy tre vitesh po flisnim për konsullatën e përbashkët dhe sot kemi të paktën tre konsullata të përbashkëta.

Gazetarja: Ku i keni ato?

Ministri Bushati: I kemi në Milano, i kemi në Mynih, i kemi në Bari dhe kemi në plan gjithashtu për në Australi, kemi në plan për në Stamboll, kemi në plan për në Danimarkë. Pra janë procese të cilat kërkojnë kohën e duhur …

Gazetarja: Si po shkon ky bashkëpunim me konsullatat?

Ministri Bushati: Ky bashkëpunim mendoj që po shkon shumë mirë, por unë prapë nuk jam shumë dakord me ty, bie dakord me Kryeministrin tim që është kërkues më shumë ndaj këtij procesi, që ne mund të kishim bërë më shumë, pra të kishim 5, 6, 7, 8 dhe jo 3 për fazën e….

Gazetarja: Duke qenë se jeni kaq i hapur dhe po shkoni drejt sferave të caktuara, e kaluam çështjen e doganave, më lejoni t’ju them se cila është sfera ku pritet shumë më shumë edhe ku bilanci…

Ministri Bushati: Më lejoni t’iu them se sot propozohet zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Rajonit.

Gazetarja: Do të flasim edhe për të. Para se të shkojmë tek ai, bilanci tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është çka ka mbetur i turpshëm. Më lejoni t’ju kujtoj se Serbia ka importe në Shqipëri, ka importe në Kosovë shumë më të mëdha përderisa importi mes Shqipërisë e Kosovës ka mbetur i dobët. Nga ana tjetër, çdo vit….

Ministri Bushati: Nuk e di çka do të thotë ka mbet mjaft i dobët sepse unë kam …

Gazetarja: A keni zëvendësuar diçka që keni marrë deri dje? Keni marrë prej njeri-tjetrit, Kosova dhe Shqipëria, si një vend i caktuar dhe përnjëherë keni zëvendësuar dhe tani e merrni prej njeri-tjetrit?

Ministri Bushati: Zhvillimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës është vetë cënimi. Nga ana tjetër, është shumë e vërtetë ajo çka thatë, që në ish-Jugosllavinë, pjesë e së cilës ka qenë edhe Kosova, ka pasur një trend të caktuar sipas të cilit Serbia, për fat të keq, ka qenë motor ose qendra kryesore rreth së cilit kanë gravituar ish republikat e tjera. Dhe ky ka qenë një trend i konsoliduar në shumë e shumë dekada. Siç është po kaq e vërtetë, në planin politik e diplomatik, në rast se do të shohim 25 vite më parë dhe do të bëjmë një analizë mes asaj që është sot në rajon dhe mes asaj çka ishte 25 vite më parë rajon dhe do të shihnim se ambasadat kryesore e shtetet kryesore i kishin përfaqësitë e tyre në Beograd. Mirëpo Beogradi ishte i mbipërfaqësuar krahasuar me Sofjen e Bukureshtin, e jo më me Zagrebin, Tiranën, Prishtinën.

Gazetarja: Megjithatë jemi në 2017...

Ministri Bushati: Një sekondë, më lejoni të mbaroj argumentin. Po kështu, për sa i përket nismave rajonale, për herë të parë, në Shqipëri ka dy nisma rajonale: është Bordi për Ballkanin Perëndimor dhe Zyra për Bashkëpunimin Rajonal Rinor. Është hera e parë që për një shtet si Shqipëria, me mbi 100 vite histori, arrin të marrë dy nisma rajonale. Unë nuk dua t’i bëj terapi Kosovës e as t’i them kujt në Kosovë që mos të jetë i paduruar sepse në fund të ditës kërkesa e llogarisë nga ana juaj besoj se është e shëndetshme dhe e çon shoqërinë përpara. Por nga ana tjetër, duhet të jemi realistë që janë procese të cilat kërkojnë kohë. Dhe kemi dy lloj kategorish në gjykim: kategoria e parë janë ato procese që kërkojnë kohë por vizioni është aty, strategjia është shumë e qartë dhe rrugës mund të kërkojmë praktika për t'u realizuar. Sikundër...

Gazetarja: Kompetenca, strategji, praktika komode, patriotizëm komod, gjëra komode. A mund të flasim për atë?

Ministri Bushati: Sikundër po të them me sinqeritet të plotë, ka interesa ekonomike që në momente të caktuara e pengojnë potencialin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, siç mund të jetë në këtë rast mes Shqipërisë e Kosovës.

Gazetarja: Siç është tranzicioni që po shohim. Shumë njerëz do të thonin që tranzicioni është njëri prej tyre dhe as në qeverinë Rama ku pritëm, s’ka interesa ekonomike, nuk po bëni dot presion për ta lëshuar. Sa vjet ka nevojë për t’u lëshuar tranzicioni?

Ministri Bushati: Mund t’ju them që qëndrimi në vitet e qeverisë Rama për sa i përket autostradës energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës është i qartë si kristali.

Gazetarja: S’ka hiç qëndrim. Ajo qeveri duhet t’i lehtësojë gjërat por edhe duhet t’i thotë.

Ministri Bushati: Për t'i lehtësuar gjërat. Por dallimi mes qeverisë së Berishës me qeverinë Rama...

Gazetarja: Nuk dua të krahasoj me qeverinë Berisha. Unë dua që qeveria Rama të kryejë punë. Si qytetar i Kosovës, të di pse nuk e ka kryer punën e nuk ka lëshuar.

Ministri Bushati: Po pra, edhe unë atë po të them. Si qytetar i Kosovës po të them që qeveria e Ramës e ka kryer punën. Sepse në dallim nga qeveria tjetër e ka kryer investimin, e ka përfunduar procedurën me transparencë të plotë dhe ka kanalizuar vullnetin e taksapaguesit gjerman për këtë linjë. Tanimë jemi në çështjet e një bllokazhi politik të bërë nga Serbia.

Gazetarja: Çfarë masash keni për të ndërmarrë? Do të lini Serbinë gjithmonë të bëjë bllokada?

Ministri Bushati: Faleminderit. Të cilin ne jo vetëm e kemi kundërshtuar, por edhe e kemi denoncuar dhe jemi duke punuar dhe vazhdojmë duke punuar në bashkëpunim kryesisht me Kancelaren gjermane për t’i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi.

Gazetarja: Po s’mjafton. Edhe sa do të prisni?

Ministri Bushati: Kjo nuk është një çështje që zgjidhet me trupa ushtarake. Në qoftë se më pyet sot edhe sa do presë Kosova, nëse më pyet si Ministër i Jashtëm i një vendi në NATO, nëse më pyet sot edhe sa do presë Kosova për t’u anëtarësuar në NATO, unë nuk jam sot në gjendje për t’ju kthyer një përgjigje precize.

Gazetarja: Po të pyes për Shqipërinë. Po pyes për shtetin tuaj jo tonin. Investimet që janë bërë në shtetin tuaj. Sa do të prisni ju? Investimi 70 milionësh në autostradën energjetike për të mos u shlyer. Edhe sa do të prisni ju? Dhe sa masa të tjera diplomatike do të përdorni që nuk i keni shfrytëzuar deri më sot, që ende nuk i keni shfrytëzuar?

Ministri Bushati: Nuk ka asnjë masë diplomatike.

Gazetarja: Jo?

Ministri Bushati: Nuk ka asnjë masë diplomatike. Nuk ka asnjë moment diplomatik, i cili nuk është shfrytëzuar nga ana e Shqipërisë apo nga ana e Kosovës për ta bërë këtë investim që është realizuar për ta bërë të prekshëm.

Gazetarja: Ka kufi?

Ministri Bushati: Ka një bashkëpunim të ngushtë me Kancelaren gjermane, me Komisionerin për Zgjerim, me Traktatin.

Gazetarja: Dhe krejt këta nuk po munden ta bindin një Serbi? Krejt ky presion?

Ministri Bushati: Ky është një presion të cilin Serbia e ka në kuadër të kapitullit të 35-të. Në momentin që Komisioni Europian do të dalë me analizën e vet, siç ka dalë me mënyrën si Serbia ka zbatuar detyrimet e veta që burojnë prej kapitullit të 35-të, ne do të jemi në gjendje të kuptojmë në mënyrë përfundimtare edhe qëndrimet e Komisionit Europian. Por nga ana tjetër, le mos të harrojmë që ka vende, ku kemi pasur dy vitet e fundit, komisioner për zgjerimin, zyrtarë të lartë të departamentit të shtetit etj., etj., të cilët janë përfshirë me shpresën për t’i dhënë zgjidhje krizave të ndryshme politike dhe ato vende sot vazhdojnë të jenë në krizë politike. Pra, dua t’ju them që nuk janë çështje të cilat zgjidhen me bombardime.

Gazetarja: Ja ku po ju përcjell një ide. Ka njerëz që do të thonin s’ke nevojë të bombardosh Serbinë. Kosova importon 400 milion euro për vlerë bakri prej Serbisë. Shqipëria ndoshta jo 400 milion, ndoshta më pak. Me këto a mundemi si shtete t’i themi “jo” atyre 400 milionë? Ku t’i çojmë në rast se nuk i lëshon dhe ne nuk na mundëson për ta lëshuar autostradën e energjetikës? A e keni provuar ndonjëherë ta kërcënojmë Serbinë, të dy shtetet Shqipëria e Kosova për qytetarët tuaj, shqiptarët e rajonit? Ta  kërcënojmë me paret e transportit që po i çon?

 Ministri Bushati: E para njëherë, s’mund të flas në emër të qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për raportin që ka qeveria e Kosovës. Besoj se e kanë mirëkuptimin tim të plotë për këtë çështje. E dyta, nuk mendoj, edhe sikur të bëhemi të gjithë dakord, që kërcënimi është një zgjidhje në politikë të jashtme apo në rajon.

Gazetarja: S’është kërcënim luftarak.

Ministri Bushati: E treta, jua thashë edhe njëherë, që sfidat tona janë sesi shqiptarët të vazhdojnë të jenë promotorë të zhvillimit demokratizues në rajon. Dhe sesi shqiptarët, në këto kohë të turbullta, të jenë e të vazhdojnë të mbajnë aleancat e duhura.

Gazetarja: S’po them kushtëzim. Për shembull, a i keni mundësuar Serbisë, të fluturojë Serbia Lufthansa e Serbia Air për Tiranë. Tiranë- Beograd fluturon lirshëm, përderisa aeroplanët e Shqipërisë e Kosovës nuk munden të fluturojnë në hapësirën ajrore të Serbisë për shkak të ndalesave që i kanë nxjerrë.

 Ministri Bushati: E para, aeroplanët e Shqipërisë mund të udhëtojnë e fluturojnë në hapësirën ajrore të Serbisë.

 Gazetarja: Jo të kalojnë nga Kosova. Ju mund të fluturoni nga Serbia vetëm nëse i bini rreth Kosovës.

Ministri Bushati: E dyta, mund të them që siç fluturojnë avionët serbë në Shqipëri, ka investitorë shqiptarë të cilët janë duke ndërtuar pjesë të caktuara të Beogradit, të cilët unë i njoh dhe janë investitorë shumë seriozë. E treta, mund t’ju them që rajoni ynë ka vuajtur nga mungesa e komunikimit, nga mungesa e bashkëpunimit. Edhe ajo që sot konsiderohet Bashkimi Europian filloi si një liri ekonomike ku dy industritë e caktuara që kishin shërbyer si burim, si gjenerator i luftës, u vendosën në një autoritet dhe në një ekonomi të përbashkët në mënyrë graduale. Nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk duhet të kemi iluzionin që procesi i dialogut që ka Kosova me Serbinë do të hapë dyert e integrimit europian për thjesht dhe vetëm për Serbinë apo thjesht dhe vetëm për Kosovën.

Gazetarja: Ju nuk jeni në dijeni që shqiptarët e rajonit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e paguajnë biletën e avionit më të madhe për shkak se nuk munden aeroplanët të fluturojnë në drejtim Kosovë - Serbi. Kjo është realitet.

Ministri Bushati: Mund t’iu them që ka linja ku nga Kosova mund të fluturohet më lirë se nga Shqipëria dhe kjo është një çështje të cilën unë e njoh mirë për shkak të detyrës. Ndërtimi i aeroportit në Shqipëri është bërë para 15-20 vitesh dhe ka një kontratë koncesionare, e cila ishte shumë strikte dhe nuk lejonte që avionët low-cost apo avionët që ofrojnë çmime shumë të ulëta të fluturojnë nga aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza, siç ka avionë low-cost që fluturojnë nga aeroporti Adem Jashari në Prishtinë apo në Podgoricë, ku një pjesë e shqiptarëve fluturojnë. Ne jemi në negociata. E kemi çliruar pak a shumë këtë situatë. Jemi duke hulumtuar një fazë më pozitive ku kemi linjat e para low-cost që kanë hyrë edhe në Shqipëri. Kjo, më beso, nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me atdhe-dashurinë. Sa ne jemi të zotë për të konsoliduar shtetin këtu dhe në Kosovë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.