O burazera, më mirë vazhdoni gënjeni!
Ankohen nga mediat dhe manipulimi dhe vetë janë kudo. Në mëngjes, në darkë, në drekë, pasdite, në fshat, në qytet, në përurime e në kriza. Ata gjejnë konsensusin, ata e prishin konsensusin, udhëheqin integrimin dhe progresin; janë në Facebook, tëitter dhe instagram. Like andej, share këtej, të parët në festa e në fatkeqësi. Janë më të mirët dhe më të këqinjtë. Xhepin plot me statistika. Mundet edhe të jemi takuar ndonjëherë, nuk na mbajnë mend, por mbase edhe kemi pirë ndonjë kafe. Tani kanë nisur ta quajnë njëri – tjetrin politikej. Politikejtë kryesorë, liderët siç u thonë na kanë mbirë 24 orë në 7 ditë. I shohim më shumë se familjarët. Nuk na shqiten.
Kryeministri qëndron në vend të parë. Një dashnor epik i vetvetes, një artist që i shpiku vetes shown sapo hyri në politikë, e brenda këtij show ka përfshirë edhe pikturën e vet. Një sakrificë sublime kjo por e kuptueshme për një njeri që ka frikë vdekjen. Më saktë harresën.
I dyti është Lulzim Basha. Komedian i lindur. Përherë pas një tjetri edhe kur është i detyruar të sillet sikur është i pari i vendit.
I treti Ilir Meta, Babagjyshi më i mirë që ka parë Shqipëria. Ky i bëri shqiptarëve dhuratën më të bukur: LSI-në. Ose pa shaka: dhuratën më të vërtetë. Sepse ne jemi të gjithë nga pak lsi...sta.
Këta të tre dihet se gënjejnë. Gjithë ditën e gjithë natën. Por sot çuditërisht, d.m.th këto ditë, ishin treguar të sinqertë.
Edi paska thënë që i pëlqen poçaria. Madje e ka pasion të ri. Deri te fotografia edhe mund të mendohej, por Ed poçari ishte e paparashikuar. Një mendje të thotë se po e bën këtë për të nxitur artizanatin meqë ka rikonstrukuar pazarin e vjetër në Korçë. Një mendje tjetër të thotë që ky po përgatit ndonjë ekspozitë poçarie.
Ja artikulli i qindra viteve më vonë: “Në atë që në antikitet quhej Shqipëria e Mesme, Albanistan, në lagjen çeçene, u gjet një thesar. Punime antropomorfe që paraqesin njerëz me dy gishta lart dhe një tjetër, më kompleks, një figurinë e stërgjatë me një shkop si prej dirigjenti në dorë. Kemi të bëjmë me pjesë të një koleksioni të pasurish dhe nga analizat e face recogniton përpunuar në kompjuterat rezulton se individët janë pjesëtarë të elitës shqiptare të kohës. Kjo vërtetohet edhe nga softuerët e kriminalistikës. Mendohet se koleksioni ka qenë vjedhur qysh në atë kohë, pasi ai është gjetur afër strukturave megabetonike që i përkasin periudhës Mziu”.
Basha ka gënjyer aq shumë saqë rezulton të ketë thënë të vërtetën. I pyetur pse u kthye në Shqipëri ai tha:
“Isha para disa vendimeve, kisha një ftesë për të punuar në një institucion ndërkombëtar në Hagë që sapo themelohej, kisha një ftesë për të punuar në New York, po kështu për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një ftesë të përsëritur nga opozita, nga Partia Demokratike, nga Sali Berisha, për t’iu bashkangjitur përpjekjes opozitare dhe me thënë të drejtën, shpirti më qante prej vitesh…”.
Mos more qerrata! Paske kopjuar Kastriot Islamin që një e më dy thotë se: "unë lashë Gjermaninë për të kontribuuar në Shqipëri". Unë kam dyshime nëse z. Basha e di himnin, atë variantin e pas 1992 me strofat e shtuara. Jo se nuk e mëson dot, se ai ka mësuar përmendësh gjithë atë që duhet të thotë nga viti 2013 e deri në vitin 2048. Ditë për ditë. Mendje gjeniale. Por vështirë se në Hollandë të bie ndërmend për Shqipërinë. Vetëm nëse ti e ndjen veten si Koço Kokëdhima: Misionar. Mundet edhe të ta japin misionin, se helbete ca gjëra vijnë edhe nga rastësia. Ky person nuk ka aftësi të jetë më i sinqertë se kaq. Dekodimi i nesërm i këtij i ngjan dorëshkrimit Vojnich. Mundet edhe të mos ketë asnjë kuptim.
Me qetësi dhe dashuri... Lili Meta dora vetë ka rrëfyer dëshirat e fëmijëve të tij. Vajza do të bëhet artiste, kurse djali aktor. Lili nuk është dakord me të dytin. Por më fal: çfarë rëndësie ka kjo? Kujt i hyn në punë?
E them këtë jo për të qenë i pasjellshëm, por ky rrëfim për çështje private, për pasione e për projekte familjare është invadimi final i asaj hapësirës që krijon televizioni. Nuk dihet pse presupozohet që çfarë bën me llucën Edi Rama, se çfarë bën Basha me bredhin, apo Ilir Meta në familje, janë kureshti për të gjithë ne! Ja ta zëmë ne për Bamir Topin nuk dimë asgjë, ndonëse ai na e ka lënë të kuptohet vetë se çfarë pasionesh ka. Po kështu edhe Erjon Veliaj e të tjerët.
Nuk është se do na e marrë dorën njeri pse u ankuam për këtë trazim rropullish, por në emër të interesit tonë, një kërkesë e kemi: O vlla, o Edi. Luli, Lili! Më mirë vazhdoni gënjeni!
Shaptilografisti
Add new comment