Muze përgjimesh në një botë të hipersurvejuar
Mund të kishte një muze të Luftës së Ftohtë, sikundër një Muze të Pavarësisë, apo të Mbretërisë. Kështu edhe Tirana do të niste t’u ngjante sadopak ëndrrave për ta bërë kryeqytet europian. Qeveria ka zgjedhur një tjetër rrugë: atë të improvizimit, duke rijetësuar siç e thotë edhe fjala e sotme, ndërtesa që dikur luanin funksione të caktuara për regjimin e Enver Hoxhës. Kështu me Bunk’Art 1, në objektin e tunelizuar të Shtabit të Përgjithshëm, kështu edhe me të ashtuquajturën Shtëpi e Gjetheve, apo godina ku dikur ishte instaluar njësia e përgjimeve e Sigurimit të Shtetit.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot disa foto në Facebook nga muzeifikimi i kësaj godine duke folur vetëm për aspektin e saj të jashtëm, pra rehabilitimin si godinë. Sepse ndërkohë që Shqipëria hap dyert e një muzeu të përgjimeve gjatë Luftës së Ftohtë, ajo nuk bën gjë tjetër veçse bën për të qeshur gjithkënd që jeton në një botë që ka hyrë në epokën e hipersurvejimit. Vetë kryeministri nuk do të hezitonte të deklaronte se përgjimet e kryera nga Gjermania në Shqipëri nuk janë problem pasi ne jemi dy vende miq. Në çdo rast teatri ditor është i siguruar me kujtesën ndaj të gjithëve se tashmë në Tiranë ka “një tjetër hapësirë europiane”.
Add new comment