Burg për shitblerjen e votës?! Pse nuk hiqet e drejta e votimit për “krimin elektoral”
Tallavaja parlamentare që hapi pazari dypalësh – apo më saktë Dykokësh – nuk po e sos dot komedinë e përhershme. Sot bëhet e ditur se në kuadër të këtij pakti, është rënë dakord që të sanksionohet në ligjin zgjedhor që shitblerja e votës dënohet me dy vjet burg. Kjo shoqëron kategorinë e krimit elektoral, një tjetër shaka kjo e dy partive që janë ustallizuar ndër dekada për të prishur zgjedhjet.
Xhanëm do pyetur: ka bythë ky gjoja shtet të mbajë në burg njerëz që shesin votën? Si e provon këtë gjë? Shitblerja e votës nëse u referohemi akuzave që kanë bërë këta gojëxhvaturit e politikës në vite lëviz diku te 5000 lekë të reja, apo në rastin më fatlum sa një iphone.
Shteti vlerëson se një ditë burg llogaritet në rast dëmshpërblimi me 5000 lekë, çka e bën sanksionin krejt qesharak. Ekstremizimi i sanksionit është prova se asgjë nuk është serioze, pasi në fund fare mundet që palët të binin dakord më mirë me heqjen e të drejtës së votës për ata që faktohen se kryejnë të ashtuquajturin krim elektoral, sesa të rrasin burgjeve(gjoja) njerëz që edhe mund të deklarojnë si mbrojtje: Unë për atë parti do votoja, edhe po të mos më jepnin lekë. Është edhe më e thjeshtë dhe pa kosto pasi operohet me listat e zgjedhësve. Nga ana tjetër mund të pyetet: nëse një i dënuar për shitje vote, e rikryen këtë akt në burg, çfarë ndodh? Apo deri atëherë do jetë bërë shtet në këto anë?
Të ecim pak fare mbrapa në kohë e të kujtojmë sesi ky që është kryeministër sot bashkë me deputetët e vet dilnin në konferenca shtypi duke u thënë votuesve: Merruani lekët, por mos ua jepni votën!
Sot ha burg pse shet apo ble votën, sanksion që hyn në fuqi me disa ndryshime urgjente që janë antiligjore si të tilla. Kodi Zgjedhor(burgun e ha edhe nga Kodi Penal ndoshta) nuk ndryshon 6 muaj para zgjedhjeve ndaj ndryshimet që kryehen në shkelje afatesh dhe procedure thjesht janë nul dhe nuk prodhojnë pasojë. Flasim në kuptimin juridik, pasi mjafton fakti që je në Shqipëri dhe pasoja nënkuptohet.
Add new comment