A mundet PD-ja të mbajë jashtë zgjedhjeve 600 mijë votues?
Vizita e sotme zyrtarit amerikan Yee në Tiranë mund të cilësohet si pika vendimtare për skenarin e mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 18 qershorit të Partisë Demokratike. Mjafton vetëm ky fakt për të kuptuar se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, edhe pse ato mund të mos kenë ndonjë ndikim të jashtëzakonshëm në një vend të mësuar me të papritura. Yee thuhet se do të bëjë një përpjekje të radhës për të bindur PD-në të hyjë në zgjedhje, në kushtet kur ajo kërkon largimin e kryeministrit. Në një vend tjetër sondazhet dhe besueshmëria e tyre do të kishin zhbërë këtë strategji, por sa kohë nuk e kemi këtë mundësi, do marrë në analizë opsioni i mbetur për PD-në. Duke marrë në analizë të thjeshtë opsionin që PD-ja dhe aleatët e saj nuk hyjnë në zgjedhje, në veprim hyn faktori bojkot elektoral, tanimë i detyrushëm të aplikohet në shkallë të gjerë. Kjo mund të kuptohet mirë edhe te fushata që ka nisur qeveria, kryeministri në vetë të parë, për të nxitur pjesëmarrjen në zgjedhje. Pjesëmarrja është çelësi i deligjitimimit të skenarëve reciprokë politikë mes PS-së dhe PD-së, por këtu sfida në nisje është më e madhe për këtë të fundit. Që PD-ja nesër të ketë mundësi te veprojë akoma si aktor politik do të duhet që minimalisht të mbajë jashtë zgjedhjeve 528 mijë votuesit e vet të vitit 2013. Në këtë vit rotacioni koalicioni i saj mori 680 677 vota nga të cilat 44 957 i mungojnë të paktën që sot e që janë votat e PDIU-së.
Jo më kot Basha dhe Berisha këmbëngulën se në protestën e 13 majit morën pjesë 600 mijë njerëz. Janë pikërisht 600 mijët vota të 2013-ës të cilët PD-ja, lidershipi i saj pretendon se i menaxhon edhe në një lëvizje masive bojkoti. Nëse kjo ndodh, pra nëse këtë kontroll e shohim virtualisht të kryer, në zgjedhje do të marrin diku te 1 100 000 zgjedhës, nga 1 724 779 që morën pjesë në vitin 2013.
Aritmetika komplikohet disi me faktorë të tjerë. Rama dje i cilësoi zgjedhjet e 18 qershorit si strategjike për Shqipërinë duke vënë në punë edhe propagandën e rrezikshme që merr Skënderbeun dhe Ismail Qemalin si pjesë terminologjike, flamurin kuqezi e të tjera përralla patrioti. Konvertimi i zgjedhjeve në proces tifozerie është taktikë që apelon ndaj emocionit të një brezi të ri që është në pavetëdije politike, në krizë perspektive dhe me paaftësi për të frenuar perceptimin e politikës si bastion nacionalizmi.
Sipas burimeve zyrtare në zgjedhjet e vitit 2017 marrin pjesë edhe 135 261 votues të rinj, pra që votojnë për herë të parë. Te këta zhvillohet një garë e vërtetë brenda vetë koalicionit, por edhe një garë për t’i angazhuar ata në votime, ose jo. Siç mund të shihet PD-ja e ka detyrën e kthimit të bojkotit parlamentar në bojkot të plotë elektoral shumë të vështirë, pasi në 600 njerëz që ajo pretendon se i menaxhon ka shumë interesa. Çdo gjë mund të ndodhë, por pjesëmarrja është në fakt basti i fundit i PD-së për të luajtur diçka nesër. Përndryshe, leximi që po marketon kryeministri se PD-ja thjesht bën blllof mund të rezultojë i vërtetë, por edhe fatal për një forcë që nëse hyn në zgjedhje duke hequr dorë nga kërkesat e veta, do të merret për e dështuar, dhe nëse nuk hyn por zgjedhësit votojnë, atëherë kjo do të lexohet si braktisje totale për të mos thënë se kalimi i votës drejt partive të tjera mund të lexohej në shumë mënyra.
Bojkoti i fundit i PD-së në këtë shkallë ishte referendum I Kushtetutës më 1998, e cila kaloi me 50.57% të pjesëmarrjes së zgjedhësve. Një arrritje po të mbajmë parasysh pretendimet e kohës së PD-së, ndërkohë që krahasimi çalon disi, pasi interesi për Kushtetutën ndryshon shumë nga interesat që luhen në zgjedhje parlamanetare. Mbetet për t’u parë.
Add new comment