18 qershori nuk është histori, por thjesht interes i disave
Edhe zgjedhjet e 18 qershorit janë historike. Po të hapësh gazetat apo kronikat e televizioneve, sheh se kështu janë quajur thuajse të gjitha zgjedhjet. Etiketa historike është vënë mbi çdo proces elektoral që është bërë vërtet histori, por për arsye nga më komiket deri te më dramatiket. Por asnjëherë për produktin e tyre. Zgjedhje historike mund të cilësohen vetëm ato të vitit 1992, por për arsye që nuk lidhen me këtë klasë politike. Duhet mbajtur parasysh kjo për të krijuar një distancë sigurie nga përrallat e Kongresit elektoral të PS-së që po zhvillohet sot, por edhe nga premtimi për një Republikë të Re që bën PD-ja. Kryeministri ka përsëritur sërish:
“Zgjedhjet këtë radhë janë historike, për më shumë se një arsye, për më shumë se një dekadë. Sepse më 18 qershor shqiptarët s’do të vendosin kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme por ku do të jetë nesër Shqipëria e atyre që do të lindin sot”.
Po pse? Nëse shohim qeverisjen e këtyre katër viteve, ose nëse shohim këto katër vite, shohim një vazhdim të asaj Shqipërie që ishte. Po ajo varfëri, po ai korrupsion në mos më shumë, arrogancë e re, mashtrime ngado, demagogji, propagandë. Pse vallë në 18 qershor na ndryshoka gjithçka? Kuptohet sepse kështu duhet thënë në fushatë.
Një fushatë që duket se do të zhvillohet nga një palë për veten.
“Ne nuk jemi njësoj, edhe pse jemi vëllezër e motra të të njëjtit gjak, që flasim të njëjtën gjuhë. Por nuk jemi njësoj si ata, prandaj ne nuk e vëmë asnjëherë veten mbi Shqipërinë. Për ne nuk vjen kurrë i pari shembulli i forcë, por forca e shembullit. Dhe jemi të qetë sepse bëra dicka, aq sa edhe ata kurrë nuk e cuan ndër mend për ne kur ne ishim në opozitë dhe ata në pushtet. U dhamë mundësinë e parë që gjatë fushatës të mbikëqyrnin qeverinë nga brenda, refuzuan gjithçka. Sepse ata nuk e kanë hallin te procesi zgjedhor, as te krimi, as te droga. E kanë hallin te divorci i pamundur me gjykatësit e korruptuar. S’na ka mbetur gjë tjetër vecse t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara drejt 18 qershorit”, tha kryeministri. I cili qeveris një popull të cilit i ka mbetur një gëzim: Llotaria amerikane, apo ndonjë gjë e ngjashme. Përtej fjalëve dhe gënjeshtrave, një gjë mbetet e vërtetë: Zgjedhjet nuk janë mundësi, apo shans, por interes. Dhe nëse fjalët e Ramës i vendosim në këtë konteskt ai mund të ketë të drejtë. Por për të vetët, për socialistët, që janë ndryshe nga të Tjerët, që thjesht le të mbathin opingat e të ikin.
Add new comment