Flakje e relativizmit etik

Postuar në 07 Maj, 2017 14:26
Ferid Muhiq

Dikur gjithçka do të kalojë. Edhe për botën do të kujtohesh si për lumin e turbullt! Kjo sentencë melankolike e Dhiatës së Vjetër zgjon tek unë dy emocione kundërthënëse: ndjesinë se ajo universalisht është e vlefshme dhe, kryesisht, e saktë, por edhe ndjesinë se ajo në ndonjë detaj të rëndësishëm është thelbësisht e gabueshme! Dhe, e di edhe përse: nëse kalon dhe asgjë s’mbetet, atëherë krejt njësoj është se çka bëjmë, madje krejt njësoj është se përgjithësisht a kemi jetuar – unë ose tërë njerëzimi!

Hutimi i ngjashëm m’u paraqit edhe kur për herë të parë u ballafaqova me këshillën Carpediem! M’u bë sikur dëgjova thirrjen dëshpëruese të njeriut që mbytet, i cili e ka humbur besimin në të gjitha idealet. I promovuar në parimin etik të hedonizmit konsekuent “Kape ditën!”, ky pohim përputhet me atë urti popullore të shënuar (pse jo, enciklopedi me shumë vëllime e marrëzi popullore!), që rekomandon: “Ha, pi, këndo, kënaqu, se vetëm kjo do të të mbetet!“ E pranoj: as këshillën edukative, as urtinë popullore, asnjëherë s’i kuptova. Nuk jam kundërshtar i hedonizmit, aq më pak jam përfaqësues puritan i asketizmit, por “Kape ditën!” më tingëllonte e lirë, ndërsa pohimin se ajo që kemi ngrënë e që kemi pirë do të na mbetet, e konsiderova si banalitet dhe pakuptimësi: pasi t’u ketë kaluar gëzimi e t’u jetë ndalur kënga, njerëzve u mbeten dhimbja dhe lotët. Në distancë të fundit, me gjithë qëllimin e mirë ndaj sentencës latine dhe urtisë popullore, fakt është që çdo ditë do të kalojë pavarësisht asaj se çka kemi bërë!

Në të vërtetë, ashtu siç kalon dita gjatë së cilës e kemi lënë pa u kënaqur me të ngrënë, me të pirë, me të kënduar, ashtu kalon edhe dita gjatë së cilës gjithë këtë e kemi bërë! Kur do të kalojë njëherë, prej ditës nuk mbetet asgjë! Me çfarëdo që ta kemi harxhuar, dita që ka kaluar nuk kthehet më! Thonë: mbeten kujtimet! Punë e madhe! Harta nuk është e njëjtë si me territorin, kujtimet nuk janë të njëjta ashtu siç është jeta! Pasi e ngrëna do të tretet, ndërsa e pira do të kalojë nëpër veshka, pasi kënga të hesht e kënaqja të mos jetë, sikur dielli i kthyer pas kodrinës së malit, prej kësaj nuk do të mbetet kurrgjë!

Fillova të besoj se vërejtja e Dhiatës së Vjetër, megjithatë, ka qenë e saktë dhe se ndjesia ime për ndonjë gabim të fshehtë thelbësor më ka mashtruar: dikur gjithçka do të kalojë! Edhe trungu i vjetër një mijë vjet dikur do të rrëzohet dhe do të bëhet pluhur e hi; edhe çelikun më të fortë dikur do ta hajë ndryshku; edhe shtyllat nga graniti i gdhendur dikur do të kthehen në pluhur; edhe velenxat e endura më shpesh dikur do t’i hanë molat.

Por, sërish këtu më kthehej dyshimi: nëse dikur gjithçka ka qenë dhe në fund nuk është, a dëshmon kjo domosdoshmërisht se asgjë nuk mbetet!? Në dukje, pyetje absurde, por nëse gjithçka që njëherë ka qenë, në fund nuk do të jetë (e si duket, me të vërtetë edhe nuk do të jetë!), si të shpjegohet fakti se gjer më tani nuk ka shkuar në theqafje gjithçka? Nëse gjithçka kalon dhe shkon në theqafje, gjer më tani patjetër do të shkonte gjithçka në theqafje, përfshirë edhe Botën!

Se qëndrimi për kalimin dhe zhdukjen e përgjithshme as në formulimet më radikale, megjithatë, nuk është aq rigoroz, as vlefta e tij është aq universale, mund të shihet edhe nga dy shembujt e këtij teksti: 1. Për nga rigoroziteti apodiktik i qëndrimit të parë: “Dikur gjithçka do të kalojë.“, sentenca e Dhiatës së Vjetër mbaron me premtimin hutues: “Edhe për botën do të kujtohesh si për lumin e turbullt!” Prej nga kjo tani!? Nëse dikur gjithçka do të kalojë, do të kalojnë edhe të gjithë njerëzit dhe nuk do të ketë se kush të kujtohet për botën – as si për lumin e kulluar, as si për lumin e turbullt!; 2. E njëjta vlen edhe për qëndrimin “Kape ditën!” të Horacit. Dhe, këtu theksohet vetëm pjesa e parë e fjalisë, e cila në mënyrë integrale thotë: Carpediem, quam minimum credulapostero, që do të thotë: Kape ditën e sotme, sa më pak mbështetu në të nesërmen. Nga aksioma e filozofisë hedonistike, mbi të cilën mbështetet çdo relativizëm etik, nuk ka mbetur asgjë! Qëndrimi i Horacit, në të vërtetë, është një paralajmërim pragmatik – Çka mund të kryesh sot, mos e lë për nesër!, por jo sepse dita e sotme do të kalojë, por për shkak se rrethanat që sot janë të volitshme për ndonjë punë, nesër mund të bëhen të pavolitshme! Dhe, çka është veçmas e rëndësishme: edhe pse Horaci nuk ka besim të madh në atë çka e sjell dita e nesërme, ai, megjithatë, fort beson në ardhjen e saj! Do të thotë, edhe për Horacin, edhe për urtarin e Dhiatës së Vjetër, edhe pse gjithçka kalon, asnjëherë nuk do të kalojë gjithçka! Kjo do të thotë se, edhe sipas atyre, diçka mbetet!

“Ajo që ka qenë dikur e tash nuk është – është e njëjtë me atë që asnjëherë nuk ka qenë!” – e ashpërson debatin Artur Shopenhauer-i, filozof i cili njëherë i ka pasur të gjitha dhe të cilit nuk i ka mbetur asgjë – siç besojmë në të vërtetë se asgjë nuk i mbetet askujt! Problemin e kalimit dhe të asaj që mbetet autori i debatit filozofik të kultit “Bota si vullnet dhe si shfaqje” e zgjidh në mënyrë radikale, me procedurën e njohur nën emrin reductio adabsurdum. Nëse gjithë ajo që dikur ka qenë, pasi të kalojë, do të bëhet e njëjtë si ajo që asnjëherë nuk ka qenë, atëherë gjithçka që ngjet dhe gjithçka që ndodhë, janë vetëm sekuenca, përmes të cilave e kalueshmja “diçka” kalon dhe thërrmohet në “asgjë” të përjetshme. Teza diametralisht e përkundërt për kthimin e përhershëm të së njëjtës, sipas secilës të gjitha gjërat tashmë kanë ndodhur pa numër herë dhe do të ndodhin edhe shumë herë pa numër, edhe atë në mënyrë absolutisht identike, formuluar nga gjeniu tragjik Fridrih Niçe, për shkak të ndërlikueshmërisë së argumentimit e vë në kllapa për ndonjë rast tjetër dhe e pranon pohimin apodiktik të Shopenhauer-it se gjithçka ndodhë vetëm një herë dhe se, rrjedhimisht, asgjë nuk përsëritet.

Dhe, sërish, me gjithë respektin ndaj filozofit me flaut, e kam të njëjtën ndjesi: asgjë këtu nuk është në rregull! E pranoj pjesën e parë të argumentit se paraqitja e njëfishtë e të gjitha dukurive dhe ngjarjeve vërteton se në botë nuk ka përsëritje, por jo edhe të dytën, sipas së cilës ajo që ka qenë, pasi të ketë kaluar një herë, barazohet me atë që asnjëherë nuk ka qenë! Është e saktë se gjithçka ndodh vetëm një herë, por kjo nuk implikon se ajo që një herë ka qenë, pasi të ketë kaluar, bëhet e njëjtë sikurse ajo që asnjëherë nuk ka qenë!

Por, t’i hulumtojmë argumentet një nga një. Krahas të tjerave, në favor të Shopenhauer-it flet edhe shprehja gjermane “Einmalistkeinmal!” – “një herë është si asnjëherë!” Duket bindëse, për shkak se një gjë që ka ndodhur vetëm një herë, sipas definicionit nuk përsëritet, e nëse nuk mund të përsëritet, nuk mund të kontrollohet dhe të konfirmohet! Por, çka të bëjmë me faktin se gjithçka është vetëm një herë? Thjesht – gjithçka! Çdo ditë që do të kalojë, është vetëm një herë. Çdo moment është vetëm një herë. Përfundimisht, tërë jeta është vetëm një herë! E kuptuar në mënyrë strikte, kjo do të thotë se, meqë jetojmë vetëm një herë, është e njëjtë sikur të mos kemi jetuar! E zhveshur në serinë e mashtrimeve të njëfishta, të lidhura me pëlhurën e merimangës për vetëdijen e një iluzioni monumental, jeta e humb substancën dhe kthehet në hologram! Zbatuar ndaj të gjithë njerëzve dhe ndaj tërë historisë, ky konkluzion depresiv njerëzimin, me tërë historinë e tij kulturore, e shndërron në përmbledhje kumulative të iluzioneve parciale, të mbledhura në virtualitetin e një mashtrimi të përbashkët gjithëpërfshirës!

Po qe se është ashtu, mbetet të shpjegohet në mënyrë racionale vetë mundësia e një mashtrimi kështu të besueshëm ose, nëse doni, iluzioni! Bindshmëria e truqeve të iluzionistëve mbështetet në faktin se duart e tyre janë më të shpejta se sytë tanë. Sipas analogjisë, mund të postulohet se edhe për shkak të shpejtësisë së duarve të tij dhe të ngathtësisë së shikimit tonë, besojmë në realitetin e iluzionit të madh të quajtur Botë, madje edhe në realitetin e jetës personale!

Le të jetë edhe ashtu, megjithatë, ajo që ka qenë, tashmë nuk mund të mohohet! Truku i iluzionistit një herë është bërë, iluzioni ka ndodhur – dhe kjo nuk mund të mohohet! Iluzioni i madh i Botës, iluzioni i jetës sonë, ka ndodhur një herë dhe po ashtu nuk mund të mohohet! Gjithçka që ka ndodhur, tashmë asnjëherë nuk mund të mohohet! Nëse është e saktë se ajo që ka qenë, patjetër një herë të kalojë, nuk është e saktë se ajo që ka kaluar, me vetë faktin që ka kaluar, është e njëjtë me atë që asnjëherë nuk ka qenë, për shkak se ajo që një herë ka qenë – ka qenë! Gjithçka që ka qenë – qoftë të ketë qenë edhe vetëm një herë – pakrahasueshëm është më shumë nga ajo që nuk ka qenë asnjëherë, për shkak se sillet si “diçka” (sado që kjo të jetë temporale dhe e njëfishtë!), ndaj “asgjësë” absolutisht joekzistuese. Përkundër Shopenhauer-it dhe përkundër shprehjes “Një herë është si asnjëherë!”, më saktë është të thuhet: “Ajo që ka qenë një herë – ka qenë për përherë!”.

Ajo që ka qenë një herë, pamohueshëm – ka qenë! – dhe kjo nuk mund të mohohet! Ngjyra e të qenit nuk fshihet nga ajo që, qoftë edhe për një çast, ka qenë e fundosur në oqeanin e ekzistimit! Edhe pse vetë thotë që ajo që ekziston tani “…me vetë faktin që është pafundësisht më shumë nga ajo që dikur ka qenë, por që më nuk është, për shkak se sillet si Diçka ndaj Asgjësë”, Shopenhaueri në të njëjtën fjali tërësisht e harron dallimin radikal ndërmjet asaj që dikur ka qenë dhe asaj që asnjëherë s’ka qenë, duke rezultuar me suicidë ndaj logjikës së vet! Në të vërtetë, pasi që me të drejtë e ka absolutizuar, ai këtë dallim më parë e relativizon, që në fund tërësisht ta anulojë, duke thënë: “Edhe Perandoria Romake mijëvjeçare, e cila dikur ka qenë, por tash më nuk është, pafundësisht është më pak se fija e barit, e cila tani dhe këtu para meje rritet, për shkak se sillet si Diçka kah Asgjëja! Por, tashmë në çastin vijues, edhe kjo fije bari nuk do të jetë! E, gjithçka që dikur ka qenë, por tashmë nuk është, është e ngjashme me atë që asnjëherë nuk ka qenë!”

Si munde të harrosh se çka ke folur vetë!? – më vjen për të pyetur? A nuk e sheh se edhe fijen më të imët të barit e barazon me Perandorinë Romake? Nuk është ajo që edhe të dyjat nuk janë, por pikërisht e kundërta – që edhe të dyja kanë qenë, kanë ekzistuar!? Ekziston një barazim ndërmjet të gjitha gjërave që kanë qenë – qoftë edhe një herë, qoftë edhe një çast! – barazim i cili përgjithnjë dhe absolutisht i barazon të gjitha perandoritë dhe të gjitha fijet e barit mbi bazë të faktit se kanë qenë, e jo mbi bazë të faktit se kanë kaluar! Gjërat që dikur kanë qenë, asnjëherë më nuk mund të jenë sikur nuk kanë qenë. Vetëm ajo që ka qenë është Diçka; ajo që s’ka qenë, ajo nuk është! “Diçka Është; Asgjë nuk Është”! Kujto leksionin e Parmenidit: “Qenësia Është; Joqenësia nuk Është!” – u desh vetëm ta lexosh, e kishe para sysh, vetë e formulove!

Kur filozofi ynë përfundoi se ajo që dikur ka qenë, pasi të ketë kaluar, bëhet e njëjtë sikur nuk ka qenë, dhe kur e ka pranuar maksimën “Një herë është si asnjëherë!”, ai bëri gabim fatal: “Ajo që ka qenë një herë – ka qenë përherë!” Gjithçka që kemi menduar, gjithçka që kemi thënë, gjithçka që kemi bërë – e kemi menduar, e kemi thënë dhe e kemi bërë për gjithnjë! Është ajo që mbetet. Madje, edhe pasi të ketë kaluar!

Këtu është dallimi i pakalueshëm ndërmjet asaj që ka qenë dhe asaj që nuk ka qenë: dhe, pasi të ketë kaluar, atë që një herë ka qenë, tashmë asnjëherë askush nuk mund ta mohojë! Ajo që s’ka qenë, as mund të kalojë, as të mbetet, as të mohohet, as të konfirmohet – kjo thjesht as nuk mund të mendohet! Ajo që ka qenë, pa marrë parasysh se ka kaluar, është ndarë nga Asgjëja anonime dhe është kristalizuar në Diçkanë konkrete, me të cilën gjë e ka bërë kërcimin më të madh cilësor, që përgjithësisht mund të mendohet! Kërcim ky, i cili asnjëherë tashmë nuk mund të mohohet! Ajo që një herë ka qenë – ka qenë; ajo që asnjëherë s’ka qenë – s’ka qenë! Atë të parën tashmë nuk e ke, por ka qenë! Këtë të dytën nuk e ke, as mund ta kesh.

Një fjalë e mirë, një gjest njerëzor, një puthje e butë, mbeten përgjithnjë për shkak se dikur kanë qenë. Gjithashtu, përgjithnjë mbeten edhe fjala e vrazhdë edhe vepra e pandershme. Veprat e mira mund të mbeten të papranuara, të pashpërblyera, t’i ekspozohen përqeshjes dhe nënçmimit, por nuk mund të mohohen. Edhe veprat e këqija mund të harrohen, të falen, bile të shpallen për vepra të ndershme dhe të trimërisë, por nuk mund të mohohen!

Kur kjo dihet, dy herë duhet të mendojmë para se ta themi fjalën e keqe, para se ta bëjmë veprën e keqe. Dhe, e kundërta: pa mëdyshje duhet të themi fjalë të mirë dhe të bëjmë vepër të mirë.

"Shenja"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.