Avokati i Popullit, KQZ-së: Shfuqizoni vendimin për kasetat e partive
Avokati i Popullit, Igli Totozani në një rekomandim drejtuar Kryetarit të KQZ-së Denar Biba i kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së që detyron mediat të transmetojnë “materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës”. Sipas Avokatit të Popullit, dispozitivi i vendimit në fjalë, përbën në mënyrë të qartë ndërhyrje të KQZ-së në lirinë e shprehjes që medias i garantohet me Kushtetutë, duke e kufizuar atë rast pas rasti me anë të vendimmarrjes me karakter administrativ.
Totozani shpjegon se votimi i kryer për këtë akt është ezauruar nga vetëm 4 anëtarë dhe ky kuorum faktik është mëse i kuptueshëm, për shkak të dorëheqjes së dhënë nëkohën e nxjerrjes së këtij akti, nga tre anëtarët e tjerë të KQZ-së. Edhe pse 4 anëtarët votues janë shprehur “pro” këtij akti, nuk është plotësuar dhe respektuar procedurialisht kuorumi i nevojshëm ligjor prej 5 anëtarësh votues dhe miratues të aktit, siç përcaktohet në gërmën “d”, të pikës 1, të nenit 24, të Kodit Zgjedhor, të Republikës së Shqipërisë”
“Ndërhyrja e shtetit përmes vendimmarrjes së KQZ-së cenon hapur lirisë e shprehjes, në kundërshtim të dukshëm edhe me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.Ky kontroll i partive poltike mbi politikat editoriale, ndonjëherë madje i kamufluar nën petkun e lirisë dhe të drejtave të drejtorit të programit zgjedhor për të zgjedhur të ftuarin në program, çoi në mungesën e zërave dhe mendimeve që mund të konsideroheshin si kritike, apo të pavolitshme për preferencën politike të një kanali të caktuar televiziv”.
Përpos trajtimit ligjor të pavlefshmërisë absolute së këtij akti administrativ, duhet të kuptojmë se, në rast se liria e shprehjes zhvishet nga e vërteta dhe thelbi informues, atëherë ajo diskretitohet në sytë e publikut dhe roli i saj publik, i dëshiruar nga të gjithë asnjëanësohet”- thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit thotë se vendimi i KQZ-së nr.503 datë 3.06.2013, “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionin privat bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore”, duhet të konstatohet si një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, për të mos prodhuar pasoja që realisht ai nuk mund tí prodhojë ligjërisht.
Add new comment