Presidenti: Nuk mund të votoj kur nuk ka alternativë në proces
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dhënë një intervistë në emisionin “Fol me Mua” në Televizionin Publik Shqiptar, përmes të cilës ka përcjellë disa mesazhe dhe qëndrime politike. Nishani ka vlerësuar si kushtetuese dhe legjitime zgjedhjen e Ilir Metës president të vendit, ndërkohë që ka vlerësuar edhe kandidaturën e kreut të LSI-së. Ai ka nënvizuar se nuk përjashton një rikthim në jetën politike të vendit, por duke shmangur pretendimin për një detyrë të re administrative.
“Njeriu kurrë nuk duhet të thotë kurrë në politikë. Por unë mendoj që jeta parlamentare ka një dimension ndryshe, por ajo që unë nuk mund të pretendoj më është një tjetër post administrativ, sepse kur arrin atë të Presidentit të Republikës, nuk mund të pretendosh pozicione të tjera që në hierarki janë të tjera”, thotë Nishani.
Lidhur me krizën aktuale, presidenti e ka shprehur në këtë formë qëndrimin e vet që siç shprehet ai buron nga angazhimi I I tij si qytetar dhe bindjet e veta, që vijnë në llogari përpara statusit si president i Republikës.
“Unë, përpara se të jem President i Republikës, jam qytetar. Si qytetar, kam parimet e mia, kam bindjet e mia, kam gjykimet e mia dhe një nga parimet kryesore janë ato që lidhen me lirinë. Jetësore në një sistem politik janë zgjedhjet, është liria. Votimet janë procedura, përmbajtja janë zgjedhjet. Në momentin që unë nuk kam alternativë për të zgjedhur, unë nuk mund të bëhem pjesë e një procesi normal procedure votimi. Votimi si procedurë është për të dhënë të drejtën e zgjedhjes. Nëse kemi vetëm një palë që ofron mundësinë e saj dhe nuk ke mundësi zgjedhjeje, unë si qytetar e kam shumë të vështirë që të shfrytëzoj procedurën e votimit, kur nuk kam mundësinë e zgjedhjes”, thotë kreu i Shtetit.
Add new comment