Turqi – ShBA, në kurs përplasjeje
Revista “Time” paralajmëron në një shkrim të vetin të datës 27 prill se marrëdhëniet mes Turqisë dhe ShBA-së po shkojnë drejt një kursi përplasjeje. Si shkak për këtë acarim që mund të çojë në konflikt është mbështetja që ShBA i jep kurdëve që janë aktualisht krahu i armatosur i politikës amerikane në Siri. Por kohët e fundit, Turqia ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj pozicioneve kurde në Siri dhe Irak, konkretisht në rajonin e Sinjar. Si pasojë e sulmeve janë vrarë 18 persona të milicisë peshmerga që janë më aktivët në krah të ShBA. Sipas “Time” peshmergatë janë për ShBA forca më e besueshme për kapjen e qytetit të Raqqa nga Shteti Islamik, duke realizuar kështu një objektiv strategjik që i jep ShBA-së pozitë negociimi mbi krizën siriane, menaxhuar aktualisht nga Rusia, Irani dhe Turqia, përmes konferencës së Astanas. Turqia sheh te ky faktorizim i kurdëve rrezikun e madh për një shtet kurd që përbën në leximin e saj kërcënim më serioz sesa ISIS apo regjimi i Assad.
“Kursi i përplasjes po afron. Ai ka ardhur në disa drejtime dhe është çështje sesa keq do të shkojë”, citon revista Michael Hanna, nga fondacioni “Century” që nuk përjashton se përplasja e armatosur mund të ndodhë shpejt. Peshmergatë janë të afërt me Partinë Punëtore të Kurdistanit që kërkon autonomi, me të cilën dikur Erdogan kërkoi negocime. PKK listohet si organizatë terroriste, ndërkohë që kriza siriane ka hapur mundësi të reja për të gjitha palët. Ankaraja zyrtare kundërshton me forcë rolin e kurdëve në çështjen siriane dhe kjo mund të çojë në konflikt me ShBA-të që nuk kanë aset tjetër më me vlerë në terren.
http://time.com/4757298/turkey-united-states-militias-kurdish-ypg/?xid=t...
Add new comment