Rreziku i Çadrës së PD-së sipas Rexhep Qoses

Postuar në 29 Prill, 2017 22:09

Shkrimtari i njohur nga Kosova, Rexhep Qosja ka bërë një parashtrim të gjatë lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri duke dhënë disa konsiderata për çadrën e opozitës dhe duke përkrahur kryministrin në detyrë Edi Rama po ashtu edhe bashkëqeverisjen e tij me Ilir Metën.Logjika e gjithë parashtrimit është se nëse në Shqipëria e Edi Ramës ka drogë, e tillë ka qenë edhe në kohën e Berishës, nëse Shqipëria e Edi Ramës ka vjedhje votash e tillë ka qenë edhe në kohën e Sali Berishës.

Shkrimtari që thotë se gjen një lloj përputhje intelektuale me kryeministrin aktual bën një lloj amnistie për Shqipërinë e kriminalizuar dhe gjysmë demokratike  të Edi Ramës. Paralele që nuk mund të jetë argument për të legjitimuar “të keqen më të vogël” siç na e prezanton zoti Qose një qeveri, një zyrtar i së cilës si Klement Balili është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge me dyshime të forta për rolin e policisë në arratisjen e tij.

Për të mos folur për tonelatat e drogës, rekord i madh kriminal ky dhe më e papranueshme futja në parlament e njerëzve me rekorde kriminale. Të mos i shohësh këto dhe të shohësh çadrën e Lulzim Bashës si kërcënim për njeriun (Edi Ramën) që do ta kthejë Shqipërinë “në shtet të gjasave të barabarta në të cilin të gjithë do të kenë dinjitet të pa fyer, të pa nënçmuar e të pa cenuar, shtet në të cilin të gjithë do të jenë njësoj të sigurt dhe njësoj të trajtuar prej shtetit e prej drejtësisë së tij, shtet njëmend të evropianizuar” është miopi e rëndë intelektuale, në mos njëanshmëri. 

Të shohësh ultimatume staliniste në një çadër ku njerëzit vetëm kanë thënë të vërtetën e tyre është të lartësosh autokracinë që kërkon t’i shpëtojë përgjegjësive duke demonizuar të vërtetën e pakicës. Sepse Shqipëria e sotme ka bërë hapa mbrapa në cilësinë e demokracisë dhe kjo me firmën dhe vullnetin personal të Edi Ramës, i cili përveçse nuk ka ndërmarrë asnjë operacion demokratik, ka bërë të kundërtën, ndryshoi në thelb kushtetutën duke sanksionuar listat e mbyllura të partive dhe kësisoj legjitimoi deputetët memecë, kukullat e demokracisë. Pasojat e këtij operacioni antidemokratik po i vuajmë edhe pse zoti Qosja nuk ka sy t’i shohë ose i sheh me sytë e një aristokrati në mendje siç thotë ai.

Çadrën e opozitës shkrimtari i njohur e ka lidhur me një konspiracion ndërkombëtar që ndërvepron me zhvillimet në vendet fqinje e me fatin politik të zotit Rama.

 Ja se çfarë shkruan shkrimtari Qosja: “Çadra fatkeqe, provokuese, mosduruese e sulmuese ndaj institucioneve shtetërore shqiptare nuk u ngrit në pranverën e sivjetme vetëm në Tiranë. Çadër e ngjashme kundër Qeverisë së sotme shqiptare në krye me Edi Ramën u ngrit këtë pranverë edhe në tri vende fqinje: u ngrit edhe në Greqi, edhe në Maqedoni, edhe në Serbi. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama, sipas të gjitha gjasave, është njëri prej kryeministrave më të sulmuar prej fqinjëve në historinë njëqind e pesëvjeçare të shtetit shqiptar! Pse jo? Ai është kryeministri që ua tha atyre disa të vërteta të hidhura që s’ua kishin thënë kryeministrat e tjerë shqiptarë.”.

Mbetet e paqartë çfarë ka ndërmend zoti Qosja ku i referohet kësaj teze. Aq sa shkruan nuk mjaftojnë për të na bindur se Edi Rama po sulmohet nga opozita për vetëdijen e lartë patriotike kundër “paudhësive”  apo skenarit shovinist të fqinjëve. Zoti Qosja  e ka parë pajtimin me Serbinë që kryeministri Rama e promovoi nga Beogradi dhe kësisoj duhet të ndihet më i lehtësuar nga ky hap historik. Për analogji me një roman të shkrimtarit nga "të tilla sy vetëm vdekja mund të vijë" ajo e demokracisë apo e liriaë që nuk e kemi pasur ndonjëherë, por që po mundohemi ta ndërtojmë.

Shënim: Titulli i këtij shkrimi është ndryshuar nga redaktori i faqes, për shkak se u gjykua se titulli i parë ishte agresiv dhe deri diku fyes për z. Qose. I cili pavarësisht mendimeve dhe ideve të veta për politikën, pavarësisht se mbetet figurë polarizuese, është autoritet në lëmin e studimeve letrare dhe ka patjetër një kontribut të vetin, origjinal edhe në çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare. Për këtë arsye titulli i parë u ndryshua në funksion të ruajtjeje të një etike dhe një respekti, pa ndryshuar asgjë në përmbajtje. E bëjmë këtë sqarim për të gjithë ata që hamendësojnë presione, apo lloj lloj idesh.

Për të hequr çdo spekullim po e rivendosim këtu titullin e parë: “Z. Qose, më mirë shkruaj romane: “Vdekja na vjen prej syve të tillë”.  

Së fundmi rikujtojmë se çdo koment me natyrë personale, që merret me redaktorët e faqes, apo që insinuon teori sabotatore ndaj Shqipërisë, do të postohet drejt koshit të llozhrave virtuale, që po rezulton një aksesor shumë i dobishëm dhe disapërdorimësh. Falemnderit!

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Kryeredaktoro....te fala Putinit....dheee...po po, e kam ngrene persheshin pa merak....

Submitted by Intermeco (not verified) on

Ohh ky fosil i "revolucioneve kulturore " dhe i "anti revolucioneve komuniste " akoma dërdëlon me "analizat " e tij enveriste. Mendoje se ky zotri nese ka humbur afinitetin e letersise, do ishte mire qe Mos të merret me analiza politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.