Zgjedhjet presidenciale në Francë: fitorja e Trampit po ndihmon Evropën
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë duket se ka përcaktuar presidentin e ardhshëm të këtij vendi, i cili me shumë mundësi është Emmanuel Macron. Duke qenë se Franca është dhe mbetet motori kryesor i kontinentin evropian dhe modelit të BE-së, këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë jo vetëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian si strukturë metamoderne thuajse 70-vjeçare, por edhe për dinamikën ideologjike evropiane e globale.
Edhe pse kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen kishte mundësinë për të korrur suksesin elektoral në raundin e parë, ajo pati fatin e kandidatit të ekstremit të djathtë në Holandë Geert Wilders, si dhe të Austriakut Norbert Hofer. Emërtimi i përbashkët i rezultateve zgjedhore është qëndrimi i brishtë në këmbë i Europianizmit, përkundrejt Euroskepticizmit diskriminues.
Edhe pse zgjedhjet presidenciale në Austri u mbajtën relativisht afër në kohë me zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fitorja e pro-evropianit Mark Rutte në Holandë në marsin e këtij viti ka një arsye më shumë të jetë ndikuar, midis të tjerash, nga presidenca e shumëpërfolur e Trampit në Amerikë. Ndërsa humbja në proçes e Le Pen-it në Francë thuajse vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të Trampit për të realizuar në terren retorikën e tij parazgjedhore. Kjo ndodhi edhe pse Le Pen u ndihmua nga akti terrorist në Paris vetëm një ditë para fillimit të proçesit të votimit.
Presidenti Amerikan Donald Tramp duket se është rehatuar tashmë me poltronin e politikës globale amerikane, e cila i gjen rrënjët e saj qysh pas revolucionit të vitit 1917 në Rusi, kur superfuqia e atëhershme gjeopolitike evropiane filloi të synonte shtrirjen e saj globale ideologjiko-strategjike. Lufta e Ftohtë dhe sistemi bipolar ndërkombëtar i solli të dy superfuqitë përballë njëra-tjetrës, ndërsa rritja e fuqisë relative materiale e Rusisë së Putin shihet si kërcënim për prezencën hegjemoniste të Uashingtonit pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Retorika pro-putiniane e Trampit gjatë fushatës elektorale duket se nuk kishte si synim të vërtetë goditjen e traditës amerikane, por vazhdimin e saj me nota akoma më nacionaliste. Kthesa e menjëhershme e Uashingtonit gjatë krizës së Sirisë dhe tensioni në rritje në gadishullin Korean, i dhanë fund delirit të Putinizimit të Amerikës, ndërsa po rikthehet edhe një herë atmosfera e krizave globale të Luftës së Ftohtë. Interesat kombëtare mposhtën iniciativat – e reklamuara – individuale. Siç thoshte dhe Marksi “njerëzit bëjnë historinë, por jo siç duan ata...tradita e brezave të vdekur peshon si makth mbi mendjen e të gjallëve”.
Në një kontekst të ngjashëm, retorika e Le Pen për nxjerrjen e Francës nga Bashkimi Evropian dhe NATO nuk mori nga opinioni publik peshën që pritej, pasi kjo flluske sapuni u ezaurua dhe u përtyp një herë nga SHBA. Gjithashtu, proçesi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja jo vetëm që nuk e përmbysi eksperimentin evropian, por nxiti lidershipin e vendeve anëtare të zotohen për hapa më të mëdha gjatë përvjetorit të Traktatit të Romës.
Tashmë Evropa duhet të përballet me Euroskepticizmin, jo përmes retorikës të llojit Tramp dhe Le Pen, por nëpërmjet investimit real në minimizimin e mungesës së demokracisë, rikthimin e zhvillimit ekonomik përmes kujdesit social dhe jo politikave të kursimit, përshtatjes normative dhe zgjeruese të BE-së me sfidat e reja, si dhe investimit evropian në dhënien fund të krizave në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, duke ndalur në këtë mënyrë rrymat e pafund të refugjatëve dhe imigrantëve. Dështimi i retorikës populiste po i fryn zjarrit në drejtim të balonës së përbashkët të BE-së.
Add new comment