Protesta e PD-së një lajm i rremë/ Kryedemokrati Basha një ushtar i çiftit “Rama-Meta”

Postuar në 24 Prill, 2017 16:24
Ilir Sinanaj

Mbi më shumë se dy muaj, në bulevardin kryesor të Tiranës, midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, qëndron një çadër, që na kujton se Partia Demokratike ekziston. Kaloj çdo ditë afër saj rreth orës 08:45 çdo mëngjes dhe çdo herë ka qenë pothuajse e zbrazur. Më duket gjithmonë e çuditshme zbrazëtira mëngjesore e çadrës, kur më vonë, rreth orës 10, me zërin e tij të ngjirur melodioz, kryedemokrati Lulzim Basha çirret për karakterin mbarëkombëtar të protestës si edhe për vendosmërinë e paepur për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama (i cili, në mendimin tim, duhet të largohet sa më shpejt). Në fakt ekzistenca e kreydemokratit Basha brenda çadrës, përfshirë edhe vetë çadrën e protestës, ekzistojnë për faktin e vetëm se media në Shqipëri u jep hapësirë. Në të kundërt, askush nuk do të interesohej për çadrën. Me pak fjalë përmasa mediatike e çadrës së PD-së më atë që është në të vërtetë, të çon të mendosh se është një lajm i rreme.

Zanafilla

Protesta e PD-së nis më 18 shkurt 2017 me një tubim. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se në këtë tubim morën pjesë 500 mijë persona. Nga një përllogaritje e thjeshtë, del që kjo është një lajm i rremë. Le ta marrim të mirëqenë se atë ditë kishte protestues përgjatë bulevardit nga Sheshi “Skënderbej” e deri tek Kryeministria, pra në një gjatësi rreth 500 metra. Le të marrim të mirëqenë se lëvizja e protestuesve, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” shtrihej në një gjerësi 50 metra. Në bazë të këtyre të hipotezave sipërfaqja me protestues do të ishte 25 mijë metra katror. Nëse për çdo metër katror, po themi se ishin 4 protestues, nguc e nguc, atëherë numri i protestuesve nuk do të mund të ishte më i madh se 100 mijë!

Videoja e Bashës

Vetëm 62 ditë pas protestës, kryedemokrati Basha postoi në faqen e tij të rrjetit social “Facebook” (20 prill 2017) një material me figura, muzikë dhe fjalë (1 minutë e 20 sekonda) për të bërë një përmbledhje të kauzës së protestës. Po sa e vërtetë është mesazhi i kësaj videoje? Më poshtë disa pjesë nga mesazhet e videos.

“Bashkimi i më i madh popullor në demokraci”

Tërësisht një lajm i rremë. E para një herë, personat që janë aty, në pjesën më të madhe, përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Së dyti, çadra gjatë gjithë ditës, përjashto rastet kur shkon të flasë kryedemokrati Basha, është pothuajse e zbrazet ose në rastet më të mira gjysmë e mbushur. Çdo mëngjes është pothuajse e zbrazur. Duke pasur parasysh “qëndresën e madhe ndaj së keqes” që predikohet në atë çadër, pjesëmarrja lë shumë për të dëshiruar. Pra si mund të jetë kjo çadër bashkimi më i madh popullor në demokraci. Madje vlen të theksohet, është ngulitur çadra, pa ka njerëz aty...

“Mijëra njerëz të thjeshtë”

Vazhdon fushata e lajmit të rremë. Pjesa më e madh në atë çadër janë militantë të Partisë Demokratike, ish-pjesëtarë të administratës së kohës së qeverisë “Berisha”, si edhe të rinj, që me shumë të ngjarë shpresojnë të marrin një punë shtetit, në rastin kur të vijë PD-ja në pushtet. Fenomen ky që është i përhapur në të gjitha partitë e vendit. Nga ana tjetër nuk përjashtoj edhe demokratë me ide dhe me energji që ndodhen ke çadra, që ndryshojnë nga masa e përfituesve të rëndomtë partiakë, por që për momentin, duke parë konceptin e PD-së të kryesuar nga Basha, janë në minorancë dhe të mënjanuar.

“Janë ngritur për demokracinë e vërtetë”

Më shumë se sa një lajm i rremë është një lajm qesharak, të mendosh se pjesa dërrmuese e njerëzve në çadër janë aty për demokracinë e vërtetë. Shumica janë aty për t’u dukur përpara partisë, se kushedi më vonë mund të marrin ndonjë vend pune në shtet... Sepse po të kishte pjesëmarrje për demokracinë e vërtetë, sheshi do të ishte plot e përplot me qytetarë brenda dhe jashtë çadrës, ditë e natë.

“Për zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Shumë mirë që PD-ja ka kauzë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kauza e zgjedhje të lira të ndershme duhet mbështetur nga të gjithë. Unë e mbështes personalisht, madje fuqishëm. Por a ka besueshmëri PD-ja në mbajtjen e flamurit të kauzës së zgjedhjeve të ndershme?

“Kundër drogës, krimit dhe korrupsionit”

Pjesa e opozitës e udhëhequr nga Lulzim Basha e ka përkrahur drogën, krimin dhe korrupsionin. E kundërta do të ishte lajm i rremë. Po të ishin vërtet kundër drogës. kryedemokrati Lulzim Basha do t’i kishte urdhëruar deputetët demokratë që me praninë e mediave dhe me sëpata në dorë të shkonin në plantacionet e hashashit dhe të shkatërronin bimët narkotike. Mendoni se po të ndodhte kjo, ata “langaraqët” që ruajnë dhe mbjellin hashashin do të guxonin t’i sulmonin deputetët demokratë? Sa për krimin dhe korrupsionin, me burimet informative të shumta që ka PD-ja në mbarë vendin, me siguri do ta kishte ndaluar që në momentin e parë që do të bëhej problematik... nëse do të kishte dashur...

Protesta “O njerëz ne vazhdojmë të ekzistojmë”

Të hënën (24 prill 2017) PD-ja organizoi një protestë ku bllokoi disa rrugë në vend për rreth një orë. Çfarë arriti me këtë protestë PD-ja? Asgjë. Thjesht nëpërmjet mediave u dha mesazhi se kryedemokrati Basha me raste edhe del nga çadra. Me anë të mediave, nëpërmjet kësaj proteste PD-së iu dha një imazh me shtrirje në hapësirë gjeografike (pasi mbi dy muaj i kemi parë vetëm të mbyllur tek çadra dhe sigurisht çadra nuk është gjithë Shqipëria). Pra me anë të kësaj proteste, me pak zhurmë dhe duke ruajtur plogështinë, PD-ja dha mesazhin “O njerëz ne vazhdojmë të ekzistojmë”.   

Basha ushtar i çiftit Rama-Meta

Duke marrë parasysh sa u tha më lartë si edhe me anë të çadrës, kreydemokrati Basha po mundohet të ndrydhë shpirtin opozitar të vendit, të përqendruar në hapësirën gjeografike midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Mesazhi është i qartë: nëse nuk ju pëlqen ”rilindja”, alternativa jemi ne dhe ju duhet të na pranoni kështu si jemi. Me plogështinë e fjalimeve me zë të ngjirur dhe me mungesën e demokratëve në Parlament, kryedemokrati Basha duket sikur u bën një shërbim çiftit Rama-Meta, për t’u ruajtur status-quo-në dhe për t’i mbrojtur nga opozita e vërtetë e shqiptarëve intelektualë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.