Thirrja e Policisë së Shtetit, nul përpara një Çadre që ka flamurin dhe nis mëngjesin me himnin kombëtar

Postuar në 23 Prill, 2017 14:15

Policia e Shtetit ka dalë sot me një deklaratë përmes së cilës bën thirrje ndaj qytetarëve që të shmangin manifestimet e mundshme të ditës së nesërme, duke paralajmëruar se çdo cenim i ligjit do të përballet me ligjin.

Zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cënim të rëndë të rendit publik. Asnjë shkak ligjor dhe asnjë motiv tjetër me interes publik nuk e justifikon zhvillimin e kësaj proteste në këtë mënyrë. Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë.  Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetareve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm. Të gjithë ata që do të marrin përsipër t’u shkojnë pas politikanëve të kujtdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave, dëmtuar bashkëjetesën shoqërore dhe ekonominë e bizneseve, do të përballen me ligjin.

Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminal me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet. Ndaj ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin pjesëmarrjen në aktivitete të tilla të paligjshme, të jenë vigjilentë dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre, si dhe të tregojnë kujdes të madh, nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme”, tha drejtori Altin Qato.

Kjo thirrje është vetëm për protokollim, pasi asgjë nuk zgjidh instrumenti policor në rastet kur kriza është politike. Partia Demokratike ka ngritur një Çadër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në të cilën çdo ditë kryen ritualin e protestës dhe të uljes dhe ngritjes së flamurit kombëtar. Protesta nis çdo mëngjes me himnin kombëtar duke njoftuar bashkë me bojkotin e Parlamentit dhe mesazhin për Republikën e Re, se PD-ja de jure dhe de facto nuk e njeh qeverinë aktuale. Këto sadoqë janë momente formale referojnë në Kushtetutë dhe e bëjnë nul thirrjen e Policsë.

Neni 2 i Kushtetutës thotë:

Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti...”.

Neni 47

1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.

2. Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.

PD-ja ka deklaruar edhe sot se protesta do të jetë paqësore, ndërkohë që vetë PS-ja dikur bënte thirrje për Mosbindje Civile dhe kaloi në protestë të dhunshme më 21 janar. Referimi i ligjit nga Policia e Shtetit bart edhe një aspekt tjetër mosbesueshmërie në kushtet kur vetë kryeministri ka bërë të qartë se kundrejt disa kushteve të caktuara, gatishmëria për të shtyrë afatet e regjistrimit të PD-së në zgjedhje është e plotë.  Pra vullneti për të shkelur ligjin nuk mungon as nga pushteti, që në fakt me këtë thirrje thjesht kërcënon qytetarët që të mos marrin pjesë në një protestë të thirrur nga PD.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.