“Ne, Populli…” dhe ëndrra presidenciale, 1994

Postuar në 21 Prill, 2017 17:58
Zamir Alushi

Do të mbeteni pa parlament, pa president, pa qeveri…Brukseli ia ka treguar qysh në fillim Tiranës fundin e kësaj krize. Deri tani kemi mbetur pa institucione të Drejtësisë, që duheshin ngritur sipas ndryshimeve në Kushtetutë, kur KLD ka mbaruar mandatin, (janë tejkaluar afatet për zgjedhjen e tyre). Tashmë skenarët janë hedhur në tavolinë dhe opozita intensifikon përpjekjet për realizimin e qëllimit të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndërgjegjja e Berishës që flet me zë të lartë tek çadra. Me mënyrën e zgjedhur për të bërë opozitë, evokohet rruga e Sali Berishës me kryengritjen e shtatorit të vitit 1998 dhe bojkotimin e hartimit të Kushtetutës që kemi sot në fuqi. Kushtetuta që u firmos në atë kohë nga i ndjeri Sabri Godo dhe nga deputeti PD-së, Aben Imami, (në atë kohë aleancist), u miratua me referendum popullor.

Kushtetuta që fillon me fjalët “Ne, Populli…” sanksionon republikën parlamentare. Berisha më vonë, ka ngulur gozhdë për ta ndryshuar Kushtetutën sipas interesit personal. Ai e urrente Kushtetutën, sepse populli i rrëzoi me referendum përpjekjen e tij për republikë presidenciale në vitin 1994. Kontribut i Berishës është ndryshimi në vitin 2008 i Kushtetutës që forcon pozitën e kryeministrit përballë mocioneve të mosbesimit dhe dobësimi i presidentit, që tashmë zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Kërkesa e re e opozitës, zgjedhja e presidentit nga populli, e bërë nga çadra, shkon sipas llogarive politike të çastit.

Por, zgjedhja e presidentit nga populli nuk është një fjalë goje. Ajo kërkon formatimin e Kushtetutës për republikë presidenciale, si në Francë, Rusi, Serbi, Poloni apo në Turqi me ndryshimet e fundit. Pra, presidenti nga populli kërkon edhe kompetenca ekzekutive që sot nuk i ka. Për ndryshimin e Kushtetutës do të duheshin minimalisht disa muaj diskutime në Parlament dhe në popull. Pra, kjo kërkesë thjesht hidhet në sirtarin e gjerave të pamundura që kërkon PD-ja (llogarisim që Rama këtë radhë nuk do të bëjë gabimin e vitit 2008). Nga ana tjetër, hartimi i Kushtetutave nuk bëhet nga pakicat, por nga fituesit.

Që të realizojë ato që dëshiron, PD do të nevojitej që të fitonte zgjedhjet, të cilat ajo nuk do që të zhvillohen. Që në krye të nisjes së protestës, është përmendur shpesh fraza “republika e re”, që nënkupton edhe një kushtetutë të re. Synimi është zhvleftësimi i Kushtetutës në fuqi, pjesë integrale e së cilës u bë së fundi Vetingu. Nga ana tjetër, Basha, (duke përjashtuar mundësinë se janë në komunikim me Metën), pasi ka lexuar portalet që i sulmon për “fake news”, i është mbushur mendja se ky do të bëhet president.

Kështu, vjen propozimi “surprizë”. Basha dhe Berisha të japin idenë se janë në një gjatësi vale me LSI-në, e cila e kushtëzon zgjedhjen e presidentit me konsensusin e opozitës. Të dyja forcat politike mundohen të ndihmojnë njëra tjetrën në distancë për t’a bërë të pamundur, qoftë zbatimin e Vetingut, qoftë zhvillimin e zgjedhjeve pa plotësuar kushtet e PD-së, sidomos qeverinë teknike apo të mirëbesimit.

Futja e PS-së në vallen treshe të ndryshimeve në tavolinë të Kushtetutës është një truk i njëjtë me atë të djegies së raundeve të presidentit. A do të ulet Edi Rama prapë me Berishën Bashën) për të ndryshuar Kushtetutën? Duhet që Rama ta marrë parasysh se populli i ka dhënë përgjigje “Jo” me referendum në 1994  kushtetutës me president të fortë. Përtej kësaj, opozita nuk synon as zgjedhjet as presidentin, por  neutralizimin e vetingut, prandaj nuk do të kënaqet me asnjë kërkesë të plotësuar.

Nëse PS futet në këtë lojë, kriza do të jetë e pafund dhe vendi do të mbetet pa institucione për një kohë të gjatë. Ka kohë që duhet të zgjedhim mes dy të këqijave, që në këtë rast janë: zgjedhje të kontestuara ose të mbetemi pa institucione kushtetuese.  

"TemaTv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.