Mediat gjermane: “Të mbyllen negociatat e anëtarësimit me Turqinë”. A mund të kërkohet referendum edhe në Maqedoni?
Çfarë duhet të bëjë Europa me Turqinë e personalizuar të presidentit Erdogan? Përgjigja është e vështirë, pasi qoftë edhe me marrëveshjen për refugjatët presidenti turk e mban të lidhur veprimin e kontinentit të vjetër, apo më mirë të plakur. Por mediat gjermane, të konvertuara së fundmi në zëdhënëset më të zjarrta të europeizmit ashtu siç është formësuar ai në BE, po sugjerojnë politika të rrepta ndaj Ankarasë.
“Turqia në udhëkryq”, ky është titulli i një shkrimi në faqen kryesore të agjencisë “Deutsche Welle”, seksioni shqip.
“Në fund referendum rezultoi me një Po edhe pse një Po e dobët”, shkruan kjo agjenci. Sa është kjo dobësi? Është rreth 51.5%(http://www.tnp.sg/news/world/erdogan-wins-turkey-referendum), pasi kaq është vota pro ndryshimeve kushtetuese. Por mediat, përfshirë ato gjermane nuk panë asgjë kaq dramatike te përqindjet e BREXIT, referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. 51.9% ishin britanikët që vendosën të ndryshojnë historinë.
Problemi këtu po shtrohet te vlera e referendumit si instrument vendimmarrës I shkallës më të lartë. Sot që flasim populli turk vendosi. Dhe thuhet kjo sipas përcaktimeve demokratike të imponuara nga Perëndimi. Por ka edhe një anë tjetër. Kjo anë tjetër është politike: nuk na pëlqen rezultati, ndaj hajde të marrim disa masa. Këtë opsion sugjeron revista e njohur “Spiegel” e cila përmes një opinioni mendon se negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE duhen ndërprerë.
“Referendumi mbi Kushtetutën turke është një tjetër shembull që pason Brexit, për vlerën e dyshimtë të referenumit. Për BE-në gjithsesi, mund të ketë vetëm një rrugë: Negociatat e anëtarësimit me Turqinë duhet të mbyllen. Turqit votuan për autokracinë, për represionin e kundërshtarëve politikë dhe me gjasë, për ligjërimin e dënimit me vdekje. Asnjë prej këtyre aspekteve nuk mund të jetë e pranushme me anëtarësimin në BE”, shkruan revista.
Çështja nuk duket kaq e thjeshtë kur dëgjon përherë Erdoganin që thotë se kemi 52 vjet që negociojmë për anëatrësim. Në finale, Turqia ka ecur shumë përpara, ka ndërmarrë ndryshime, por asnjë lëshim nga BE-ja dhe në këtë rast përkatësia fetare është një aspekt i pangelizhueshëm. Po kështu është bërë zakon të thuhet se edhe Hitleri erdhi me zgjedhje në pushtet, ndonëse në histori pak njerëz njihen të kenë kryer krime të atyre përmasave. Zgjedhjet e lira janë kërkesë e përhershme e BE-së, por edhe kusht për demokracinë. Si ta zhbësh një votë si ajo e të djelës pa cenuar një standard? Për këtë nuk ka përgjigje, por e qartë është se presidenti turk ka mësuar se negociata të vërteta janë ato që bazohen mbi forcën. Dhe këtë e mësoi mirë me marrëveshjen për refugjatët, por edhe me ndërhyrjen në Siri, ku Ankaraja ndoqi dhe ndjek një politikë të pavarur dhe të pakontrolluar.
Pyetja që mund të bëhet qysh tani është nëse referendum në Turqi mund të provokojë një ide të ngjashme në Maqedoni, ku mund të kërkohet që Platforma e Tiranës, të votohet në mënyrë plebishitare, për të goditur në mënyrë fatale kështu një ekuilibër shumë të brishtë? Edhe dokumenti i partive shqiptare është në fakt ndërhyrje në Kushtetutë dhe nëse kjo ndodh, projekti europian në Ballkan mund të konsiderohet i vdekur.
Add new comment