Korea e Veriut nuk bën mbrapa: Do të vijojmë testet. Luftë, nëse SHBA ndërmerr veprime ushtarake
Korea e Veriut ka bërë të ditur sot se do të vazhdojë me testimin e raketave, pavarësisht se kjo sjellje mund të kërcënojë një luftë me SHBA dhe disa aleatë të saj. BBC-ja referon burime zyrtare nga Pheniani sipas të cilave “testimi i raketave do të vazhdojë në një bazë javore, mujore apo vjetore”. Kjo deklaratë është bërë për rrjetin britanik nga zv.ministri i Jashtëm koreanoverior, Han Song – Ryol. Ai ka shtuar se lufta mund të nisë vetëm nëse SHBA ndërmerr veprime ushtarake , një qëndrim ky që e kufizon shumë hapësirën e manovrës nga SHBA, pas deklaratës së zv.presidentit Pence, se “era e durimit strategjik ka mbaruar”.
Duket se administrata e Trump do të lajë duart njëherë e mirë me Phenianin dhe lëvizjet e tij të paparashikueshme. Fushata e fundit i bën jehonë edhe analizave të një dekade që e kanë parë strategjinë e Koresë së Veriut mbi logjikën e përfitimit të konçesioneve maksimale si pasojë e gjesteve të forcës më tepër sesa politikave të vërteta. Deklrata e zv.ministrit korean është e vështirë të lexohet sa kohë që sot qarkulluan të dhëna se dështimi i testit të parë të raketës, javën e kaluar, erdhi si pasojë e sulmeve kibernetike nga SHBA. Teknikisht ky është angazhim në fushën ushtarake, ndonëse jo sulm konvencional.
Add new comment