Terapia e Plagës Sociale. Çfarë mësojmë nga dishepujt e Jezusit?

Postuar në 15 Prill, 2017 18:43
Sotiris Htouris/Pedagog i Sociologjisë në Universitetin e Egjeut

Tema e këtij punimi të shkurtër ka të bëjë me mënyrën sesi trauma në vetvete mban të lidhur marrëdhënien e veçantë të një komuniteti me gjithçka i ndodh, por edhe me traumën në vetvete. Vepra e Caravaggio-s  e titulluar  “Mosbesimi i Tomasit” (1601-1602) na  krijon mundësinë të shohim nëse përtej sjelljes së "Tomasit", i cili kqyr me mosbesim plagën e Jezusit pas ringjalljes, trauma është baza dhe konteksti që i bën dishepujt e Jezuit të përqëndrohen tek plaga e tij dhe jo rreth faktit të vdekjes apo ringjalljes.

Në sociologjinë e artit ne mund të përdorim një vepër arti si një dritare kuptimi për një lloj marrëdhënieje që përshkruhet optikisht dhe estetikisht, por që kuptohet qartë se përmban diçka përtej riprodhimit apo përfaqësimit të një ngjarje. Në pikturën në fjalë jobesimtari Tomaso është përkulur me një shikim tejçues, i përqëndruar në brinjën e shpuar të Jezusit. Shikimi është në të njëjtin drejtim me gishtin e tij, që njëkohësisht hyn në trupin e Jezusit, dora e të cilit drejton me mirësjellje dhe dhembshuri dorën e Tomasos. Jezusi këtu nuk shfaqet të ketë dhimbje dhe as mundohet të bindë nxënësit e tij për diçka.

Jezusi shfaqet  thjesht si një baba që i udhëzon të gjejnë të vertetën përmes plagës së tij. Fakti deklarativ i së “Vërtetës së Traumës” është pika e fortë e pikëtakimit mes mësuesit dhe nxënësve dhe në këtë pikë Tomaso duket i gatshëm të orientohet drejt një rruge të re që ndjek shikimin e tij.

Por pse insistoj në plagën e Jezusit dhe jo në ringjalljen e trupit, e cila është pika kyçe për transformimin e tij në entitet hyjnor, pranë Atit? Jezusi nuk shndërrohet në Zot i plagosur. Substanca e tij fizike përfundon me ringjalljen, në të cilën nuk ka as plagë dhe as dhimbje.

Nëse Jezusi ka diçka nga njeriu brenda tij është aftësia për të treguar dhembshuri për njerëzit dhe kjo pasi ka jetuar dhe ka kuptuar kontradiktat dhe konfliktet e brendshme të njerëzimit. Jezusi në momentin e ringjalljes dhe sidomos gjatë transformimit hyjnor shënon edhe tejkalimin nga kontradikta në diçka më të lartë. Jezusi i lë pas plagët. Ato mbeten në mesin e njerëzve, si akt demonstrativ i kërkimit të dhimbshëm të së vërtetës. Imazhi i plagës është historia e vërtetë e një komuniteti dishepujsh që do të bashkohen si komunitet i krishterë për të ndihmuar në tejkalimin e traumave.

Tabloja e Caravaggio-s, na lejon të shohim fillimet e këtij komuniteti të “nxënësve jobesimtarë”, të cilët ecin të përkulur në një rrugën që i udhëzon Jezusi përmes traumës së tij. “Incredulità di San Tommaso” është mundësia e ndryshimit nga nxënës në mësues dhe dishepuj, d.mth në një akt kalimi dhe marrëdhënie që do të sjellë një ndryshim katalitik për ata që e panë trupin e plagosur të Jezusit dhe që tani janë të detyruar të përshkojnë të "Vërtetën e Plagës" për të sjellë një ndryshim të madh në veten e tyre dhe bashkësinë njerëzore. Nuk ka ndryshim të vërtetë social në qoftë se përvojat traumatike sociale dhe kulturore në të kaluarën e afërt historike nuk i nënshtrohen "vuajtjes" së Tomasit dhe kërkimit të së vërtetës siç paraqitet në tablonë e Caravaggio-s.

Përkthyer nga: ResPublica

http://www.huffingtonpost.gr/sotiris-xtouris/-_11118_b_15963142.html?utm...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.