Republika e lajmësave dhe kapriçot e mosdialogut
Partia Demokratike serviri një lajm me burime sipas të cilave negociatorët e dy partive të mëdha janë takuar në përpjekje pët të dakordësuar mbajtjen e një tryeze dialogu. I mandatuari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe ai i Partisë Socialiste, Taulant Balla mësohet të kenë parashtruar qëndrimet e tyre për axhendën dhe formatin e tryezës. Po ashtu burime brenda takimit thanë se përfaqësuesi i opozitës ka kërkuar që të negociohet vetëm për qeverinë teknike dhe për mandatin e saj.
Ndërsa burime nga qeveria konfirmuan se në takim nuk u arrit asgjë dhe për çështjen e dialogut nuk pati asnjë përparim, ndonëse u la i hapur opsioni i një takimi të dytë në nivel negociatorësh. Në fakt praktika e lajmësave tregon se asnjë nga dy partitë nuk është seriozisht e intresuar për dialog, pasi Partia Demokratike në çdo rrethanë zgjedhore duket e humbur aq më tepër kur shikon në horizont një martesë të dytë Meta-Rama. Pra PD shkon për të negociuar një tryezë dialogu me kërkesën maksimaliste për qeveri teknike që nënkupton dorëheqje ose largim të këtij kryeministri, i cili e ka bërë të ditur se nuk ka shanse të tërhiqet. Ky i fundit duket më komod ndonëse nuk do të dëshironte t’i hapeshin në tavolinë çështje të problematikës me kanabisin dhe policinë apo kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
"Ne jemi gati të dialogojmë për çdo gjë, por për datën e zgjedhjeve dhe për qeveri teknike, ne nuk dialogojmë. Ne dialogojmë për çdo gjë, jemi të hapur të dialogojmë pa kushte, të ulemi në tryezë me opozitën, të diskutojmë çfarë të duan ata, por jo për mandatin e dhënë kësaj qeverive me 1 milionë vota"-tha nga Kavaja ministri i Financave dhe i deleguari i PS-se per zgjedhje, Arben Ahmetaj.
Në këto kushte kur palët i kanë të qarta premisat e mosdakordësisë kjo lloj negociate duket e pakuptimitë aq më tepër kur nga presidenti i Republikës ka bërë një thirrje për tryezë dialogu, për të cilën njëra palë nuk ka dhënë arsye të qarta të refuzimit, ndërsa pala qeveritare ka folur për njëanshmëri. Në këto kushte është Ilir Meta që mban leksione demokracie dhe jep mesazhe stabiliteti dhe paqeje sociale, duke bërë “budallain e mençur” ndërsa kryeministri me heshtjen pas takimit në hotel Tirana "te mençurin budalla”.
Add new comment