Kryeministri: Gati të ulemi me PD-në në kuadër të nismës së Presidentit

Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama ka deklaruar sot se kërkesat e opozitës mund të diskutohen në një tryezë që është thirrur nga Presidenti i Republikës.
“Ka një nismë të Presidentit që ne e kemi përkrahur pa asnjë ngurrim, duke nënvizuar se jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e dialogut pa kushte dhe siç ndodhi në përpjekjen e mëparshme, ka një vonesë që shpresoj të mos jetë vonesë që paralajmëron dështimin e kësaj përpjekjeje tjetër. Koha nuk pret, PD dhe kryetari i saj nuk duhet të kenë frikë nga dialogu, nga tryeza ku të gjitha partitë parlamentare mund të shprehin pikëpamjet e tyre. Është një frikë e pajustifikueshme në raport me opinionin publik dhe në raport me zgjedhësit e PD”, deklaroi Rama.
Qëndrimi vjen ndërkohë që Parlamenti ka hapur procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur nga komuniteti ndërkombëtar është bërë e qartë se bojkoti I institucioneve dhe i zgjedhjeve nuk do të përkrahet në asnjë rast. Po kështu OSB-ja ka bërë gati 330 vëzhgues çka do të thotë se skenari i shtyrjes së zgjedhjeve nuk ka shumë gjasa të përkrahet. Mbetet për t’u parë edhe sfida e Kavajës më 7 maj, ku opozita ka deklaruar se nuk do të lejojë zgjedhje, pasi do të organizojë protestë.
Add new comment