Dalin të palarat e Tahirit,1.5 milionë euro abuzime me tenderat e policisë
Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar shkelje të mëdha në përdorimin e fondeve të buxhetit nga Policia e Shtetit dhe të mënyrës se si janë zhvilluar tenderat gjatë periudhës janar 2014 deri në gusht të 2016-ës. KLSH ka gjetur se në plot 43 prokurime publike, firmosja e kontratës është bërë duke shmangur tenderin. Televizioni Klan raportoi se disponon një pjesë të mirë të dokumentave të auditit, ku rezulton se në 3 kontrata të firmosura drejtpërdrejt me kompanitë, Policia ka shkelur ligjin e prokurimeve publike dhe ka shkaktuar një dëm ekonomik 1.5 milion euro.
Vetëm në tenderin për blerjen e sistemit të kamerave të trupit për patrullat e policisë, KLSH ka evidentuar se çmimi që ato janë blerë ka qënë 7 herë më i lartë se çmimet ndërkombëtare, duke rritur faturën me 1.4 milion euro. “Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme”-thuhet në raportin e KLSH.
Kontrolli i KLSH ka gjetur parregullsi të theksuara edhe në mënyrën e përdorimit të fondeve për zërin e shpenzimeve për investime. Në 2014-ën janë shpenzuar 88% më shumë se planfikimi, ndërsa në vitin 2015-të shpenzimet janë rritur me 143%. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar pranë prokurorit të Përgjithshëm kallzim penal për konsumimin e veprës “shkelje e barazisë të pjesëmarrjes e tendera” për 7 zyrtarë të policisë së shtetit.
Add new comment