Maskarada e ndarjeve politike
1. Këtë çerek shekulli, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë alternuar njëratjetrën në pushtet. Njëra njihet si e djathtë, tjetra si e majtë. Në thelb, politikat e tyre të zhvillimit janë të ngjashme dhe nuk ndryshojnë aq sa e kërkojnë përkufizimet “e majtë – e djathtë”. Vështirë të thuash se njëra parti është investuar dukshëm për qeverinë dhe tjetra për tregun, njëra për politikat e rishpërndarjes dhe tjetra për sipërmarrjen e lirë, njëra për barazinë dhe tjetra për traditën e hierarkinë.
Dhe kështu me radhë mund të përmendim gjithë shkallët e kësaj dihotomie dhe të shohim se dallimet “e majtë e djathtë”, më shumë se në realitet, gjenden në ligjërim a, më shqip, në propagandë. Dhe është e kuptueshme. Gjatë këtij çerek shekulli politikat e zhvillimit janë hartuar jo duke marrë për bazë modele të djathta a të majta, por duke u orientuar nga sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Europian etj.
Është kjo, me sa duket, arsyeja pse partitë që na qeverisin kur janë në opozitë dhe u duhen vota bëjnë premtime të majta, kurse kur vijnë në pushtet dhe u duhen fonde, ndjekin politika në thelb të djathta. Dobësimi i kufijve mes të majtës dhe të djathtës është dukuri jo vetëm shqiptare, por mbarëbotërore. Tipik shqiptar mbetet vetëm fakti se sa më i zbehtë shfaqet në realitet kufiri mes të djathtës dhe të majtës, aq më i thekshëm dhe konfliktual bëhet në ligjërimin publik.
Dhe për këtë nuk kontribuojnë vetëm partitë politike, por edhe shumica prej nesh, si individë e si qytetarë.
2. Por edhe këtu diçka mbetet e paqartë dhe të grish për diskutim: Si shpjegohet që hyjmë kaq seriozisht në rol? Jemi naivë dhe besojmë vërtet rolin që zgjedhim, apo shtiremi ngaqë kështu na e do interesi? Vështirë të bësh përgjithësime dhe të kërkosh një shkak të vetëm.
Arsyet që na shtyjnë në këtë lojë janë nga më të ndryshmet. Megjithatë, të gjitha na nxjerrin në të njëjtën qafë, si për të vërtetuar se të gjitha rrugët të shpien jo në Bugjejovicë, por te maskat. Dhe thuajse të gjithë vëmë maskën e të djathtit a të majtit për ta kthyer jetën publike në një ballo me maska a maskaradë. Kjo fjala e fundit ka marrë edhe një ngarkesë të theksuar negative në shqip. Jo se, si popull kemi ndonjë alergji ndaj ballove me maska, por sepse fjala “maskaradë” ka krijuar lidhje gjysmilegale me fjalën “maskarallëk”.
Secili ka arsyet e veta për të marrë pjesë në këtë maskaradë. Disa shtiren. Hiqen të djathtë a të majtë që të bëhen pjesë e klanit e të përfitojmë diçka. Secili sipas takatit: ca përfitojnë tendera e koncesione, d.m.th. llokma Shqipërie; ca të tjerë thërrime, fjala vjen, një ndihmë sociale a një vend pune. Ka të tjerë që i mbushin mendjen vetes se qenkan të majtë a të djathtë ngaqë i lodh e i mërzit fukarallëku shpirtëror dhe duan ta bëjnë jetën vetjake më të bukur e më të begatë.
Njeriut s’i pëlqen ta shohë veten bosh e mediokër, ndaj sublimohet dhe vetësugjestionohet, duke menduar se lufton për gjëra të mëdha, se ia kanë nevojën, se bën pjesë në taraf apo thjesht është një nga duaxhinjtë e parisë. Një pjesë duket se i ngatërron keqkuptimi masiv që është krijuar gjatë tranzicionit. Ky keqkuptim, të persekutuarit e diktaturës i konverton mekanikisht në të djathtë, kurse mbështetësit e saj në të majtë. Le të jetë socialdemokrat në thelb “Dekalogu i Ballit Kombëtar”, nipërit dhe stërnipërit e sotëm vetëshpallen të djathtë safi.
Por mbase ka edhe një shkak më të thellë, më gjithëveprues e më substancial. Përvoja historike botërore dëshmon se ndarja në grupe, që luftojnë njëri-tjetrin, është zakon universal i shoqërive të varfra. Të mirat materiale e shpirtërore i kemi pasur dhe vazhdojmë t’i kemi të pakta. Nuk dalin për të gjithë, ndaj ca do hanë e ca do qajnë. Kjo na ka shtyrë historikisht të stërtheksojmë ndarjet në sojlinj dhe harbutë, në turq e kaurë, në partizanë e ballistë, në të majtë e të djathtë. Këto grupe gjithnjë demonizojnë njëritjetrin. Jo se tjetri është vërtet i lig, por se duhet përjashtuar nga ndarja e të mirave, që i kemi me pakicë.
3. Dhe komedia e komedive është se taborret e të majtëve dhe të djathtëve dallojnë vetëm nga emri, nga etiketa që i vënë vetes. Shumica e të djathtëve, p.sh., s’e kanë për gjë të fajësojnë shtetin se nuk pastron rrugicat nga bora, apo se u mbeten luleshtrydhet pa shitur, ngaqë sheh komshiu-komshiun dhe gjithë krahina prodhon të njëjtën kulturë. Kurse shumica e të majtëve kanë alergji ndaj frymës kolektive dhe digjen nga veneracioni për autoritet e hierarki. Mund të qëmtosh me dhjetëra qëndrime të tilla që vijnë ndesh me thelbin social të dihotomisë “e majtë – e djathtë”.
Por edhe këtu s’ka gjë për t’u çuditur. Tradicionalisht në këto anë ka pasur rëndësi binishi e jo mishi. Situata mund të ngjajë e zymtë dhe pothuajse e pashpresë. Po mbase nuk mund të ishte ndryshe. Pas barazitizmit ekstrem që krijoi regjimi totalitar, duhet kohë dhe zhvillim që shoqëria të strukturohet në grupe të dallueshme e të qëndrueshme, grupe që orientohen nga interesa dhe jo nga retorika boshe, grupe që organizohen e bashkëveprojnë për të drejtat e tyre, por edhe për liri e drejtësi sociale. Deri atëherë do të zdërhallemi në maskarada me të djathtë e të majtë. Jo të idesë, po të midesë.
"Panorama"
Add new comment