Arvizu kalon nga zyra e Bashës dhe Metës
Në kulmin e debatit mbi situatën e drogës dhe ngërçit politik që ka mbërthyer vendin, në Tiranë shfaqet ish-ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu. Në cilësinë e zëvendës/ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për çështjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, Arvizu është takuar me Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Vizita e tij në selinë e Partisë Demokratike është një lloj konfirmimi për shqetësimin e ngritur nga opozita për çështjen e trafikut të drogës. Në njoftimin për shtyp të zyrës së Partisë Demokratike thuhet se “biseda u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik” dhe se
“në këto kushte, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës”.
Rishfaqja e Arvizut, ish-diplomatit që do të mbahet mend për mbështetjen e hapur që i dha Lulzim Bashës në zgjedhjen si kryetar bashkie i Tiranës, çoi në selinë e PD-së edhe ambasadorin aktual Donald Lu, me të cilin opozita duket se i ka ndëprerë marrëdhëniet.
Arvizu pati një takim edhe me Ilir metën, i cili u shpreh se "Shqipëria e vlerëson mbështetjen e pandalur amerikane në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit duke nënvizuar se vendi ka nevojë për dialog e përgjegjshmëri për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për të avancuar reformat kyçe në vend si ajo e sistemit të drejtësisë".
Add new comment