Karriera e Medvedev u dëmtua, në mos u prish. Keni parë një gjë të tillë në Shqipërinë europiane?
Në vende me tendenca autoritare si Shqipëria ka një ide se beniaminët e atij që ka pushtetin janë të pacenueshëm në ambiciet e veta politike. Shembuj konkretë: Lulzim Basha u zgjodh në krye të PD-së thjesht se kështu donte Sali Berisha. Një tjetër: Erjon Veliaj u bë kryetar bashkie në Tiranë dhe po lejohet të kultivojë ambicien për kryetar PS-së dhe kryeministër me lejen e qartë dhe bekimin e Edi Ramës.
Kështu ndodh në vende ku elitat alternojnë njëra-tjetrën në një Pazar të mbyllur dhe që nuk pyet për institucionet. Por ka një mënyrë për ta hedhur në erë këtë proces që çon në apati sociale dhe plogështi të plotë. Shembull? Rusia e Vladimir Putinit. Mjaftoi një investigim nga opozitari Alexei Navalny, publikimi I tij në mediat online, popullarizimi(që ka arsye të shumta) dhe mandej nisin protesta. Në qendër të sulmit është kryeministri Dimitry Medvedev, një politikan që ka qenë dikur president dhe që në marrëveshje me Putin u alternua në postin e kryeministrit. Gazeta “The Mosocow Times” e quan Duumvirati, duke shtuar se Medvedev kishte për ambicie presidencën, pas largimit të Putin. Mirëpo tani këto perspektiva e nxorën atë jashtë loje. Ndonëse mori një ftesë të veçantë nga Putin, më 28 mars, për një udhëtim në Veri, analistët dhe njerëz afër Kremlinit, thonë në kushte anonimati, se Medvedev e ka thuajse të pamundur të vijojë lojën e tij bashkë me Putin. Madje sipas tyre, ai e ka të pamundur të qëndrojë në detyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018. Për rrjedhojë, qysh tani kanë nisur të përmenden emra të tjerë, si kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, apo edhe përfaqësuesi i presidentit në Lidndjen e Largët, Yuri Trutnev. Rasti i Medvedev duket se ka kushtëzuar edhe fushën e veprimit të presidentit rus që sipas anlaistëve duhet të zgjedhë mes “një kryeministri për elitën dhe një kryeministri për kombin”.
https://themoscowtimes.com/articles/Medvedev-is-out-57576
Këto kanë pak rëndësi tashmë. Rëndësi ka që një investigim nga një opozitar i panjollosur katalizon procese të cilat deri më dje kanë qenë të pamendueshme. Ky rast nuk ka analogji në Shqipëri, ku edhe opozita zyrtare është njësoj arbitrare dhe e uzurpuar si pushteti. Para disa kohësh u hap një çështje publike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, që kishte të bënte me vdekje personi. Veliaj është I akuzuar për falsifikim firme, e megjithatë kuotat e tij rriten. Pse? Sepse opozita bën pazarin me të dhe mediat po ashtu. Nga kjo pikëpamje ata që thonë se Rusia është vend më autoritar sesa Shqipëria, apo qoftë edhe se Maqedonia është më autoritare se Shqipëria, ndoshta duhet të rimendohen. Së paku në këto vende krizat janë më të vërteta përderisa shkatërrojnë karriera. Keni parë ndonjë karrierë të prishur në Shqipëri jashtë vullnetit të liderëve? Me gjasë përgjigja është jo. Këtu vjen në vështrim edhe morali i një shoqërie, e cila në rastin tonë thjesht I shkel syrin vetes dhe “shefave” sa kohë që edhe pas 25 viteve, dhe edhe kur është evidente se plaçkitja është aktivitet zyrtar, parti si LSI-ja, apo njerëz si Veliaj, mbahen për modele suksesi.
Add new comment