“I gjithë populli ushtar", sipas variantit Qeveri-OSBE
Dy struktura të reja do të mbështesin çështjet e sigurisë publike. Zyrat e Mobilizimit të ish-Ushtarakeve dhe Këshillit Vendor për Siguri Publike. Të parat do të jenë nga një në çdo qark dhe hapen me iniciativë të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa të dytat me mbështetjen e OSBE-së. Kështu në vijim të forcimit të nocionit të rezervistit, gjatë kësaj jave, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ka marrë pjesë në hapjen e Zyrave të Mobilizimit në Durrës, Berat dhe Lushnjë, duke njoftuar se ky kontribut do të shpërblehet nga Ministria e Mbrojtjes.
“Prezenca e tyre në raste emergjencash, në raste kërkim – shpëtimi, në rast nevoje për të pasur më shumë trupa në terren, është e domosdoshme dhe është e pazëvendësueshme. Eksperienca e tyre me profesione të veçanta, me dijet, me njohuritë që ata kanë dhe zanatet që kanë ushtruar brenda ushtrisë, është gjithashtu e pazëvendësueshme”,- theksoi Kodheli.
Ndërsa me mbështetjen e OSBE-së Librazhdi u bë qyteti i dytë, pas Elbasanit, që krijon Këshillin Vendor të Sigurisë publike, i cili mobilizon të gjithë aktorët vendas të trajtojnë së bashku me OSBE-në çështjet e lidhura me kriminalitetin, dhunën në familje dhe ekstremizmin e dhunshëm.
“Duhet të thyejmë stereotipin që siguria e qytetarëve është detyrë ekskluzive e Policisë. Është përgjegjësi e secilit prej jush, përfshirë vetë qytetarët. Për të pasur komunitete më të sigurta, duhet të angazhohen aktivisht të gjitha palët që të identifikojnë dhe të adresojnë sfidat e mundshme që mund të lindin. Këshilli vendor për siguri publike mund të jetë vendi i përsosur për të diskutuar këto përparësi dhe për të adresuar me hollësi të gjitha çështjet”-deklaroi ambasadori Boschard. Sipas njoftimit zyrtar prezenca e OSBE-së po punon për të krijuar Këshilla Vendorë për Siguri Publike edhe në shumë bashki të tjera.
Add new comment