Trafik droge me vulën e shtetit, policia kishte mohuar implikimin
Një hetim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda implikon strukturat e policisë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Bëhet fjalë për përfshirjen e 4 policëve të pikës kufitare të Qafë Thanës në trafikimin e 8 tonë kanabis nga Maqedonia drejt Belgjikës, me një kamion që kaloi tranzit nga Shqipëria dhe u kap në Ankona të Italisë.
Gjatë hetimit ka rezultuar se kamioni i kapur në Itali, me drejtues shtetasin maqedonas Z.S, rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me datë 04.02.2017 nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, Pogradec dhe, pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore të tij dhe dokumentacionit, është lënë i lirë për të udhëtuar tranzit në drejtim final të deklaruar, për në Belgjikë.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë në doganën e Qafë-Thanës u konstatua se policët, të cilët komunikonin shpesh me shoferin maqedonas kanë kryer një kontroll sipërfaqësor të kamionit, madje punojësi në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar nuk e rgjistroi në sistemin Tims.Po me datë 05.02.2017, në orën 15:50, ky mjet me të njëjtin drejtues është paraqitur në dalje nga Shqipëria nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Portit Durrës, i cili pasi i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit shoqërues të tij, pa u kontrolluar në skanër, është lejuar të vazhdojë udhëtimin duke u mbingarkuar në tragetin, i cili ka udhëtuar në linjën Durrës-Ankona (Itali).
Kjo pasi sipas rregullave të tranzitit kamioni ka qenë i plumbosur dhe i vulosur në gjendje të rregullt nga Autoritetet Doganore të Qafë Thanës.Për këtë rast policia shqiptare kishte sqaruar se organizata drejtohej nga maqedonas dhe pala shqiptare nuk ishte e përfshirë as në njerëz dhe as në mjete.
Add new comment