Ambasadori britanik “ngre flamurin” në çadrën e protestës
Një tjetër ambasador është shfaqur sot në media me dosjen e vet për shqiptarët. Ky është ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman. Ai ka thënë se shqiptarët kanë ecur jo keq në aktivitetet ekonomike kriminale në Britani dhe kjo është një nga arsyet pse shqiptarët dhe Shqipëria paskan rëndësi për Londrën zyrtare.
Shqipëria ka një rëndësi për Britaninë e Madhe dhe kjo edhe për arsye negative. Shqiptarët kontrollojnë 50% të tregut të kokainës në Britaninë e Madhe si dhe janë shumë të përfshirë në trafikimin e drogërave të tjera gjithashtu. Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të të burgosurve në burgjet e Britanisë si dhe shqiptarët janë një nga grupet më të mëdha që hyjnë ilegalisht në Britani. Shqiptarët tentojnë që të bëjnë gjërat mirë dhe një nga këto gjera është edhe krimi”, tha ai, i cituar nga mediat.
Duhet thënë qysh në fillim se Britania e Madhe ka qenë në garë prej kohësh me Italinë për të drejtuar misionin Pameca në Shqipëri. Në edicionet e fundit ka humbur, ndonëse sipas disa lajmeve jo zyrtare ka përdorur Irlandën për aplikim. Italia ka rezultuar më e aftë në kapjen e misionit që shoqërohet me disa financime nga BE-ja dhe është në vetvete ent që ndikon në politika. Gara ka muaj që është hapur dhe në muajin nëntor të vitit 2016, ResPublica, pyeti zyrën e Delegacionit të BE-së në Tiranë për këtë çëhstja, prej nga ku mori këtë përgjigje:
Thirrja për propozime për PAMECA V u publikua në qershor të vitit 2016. Ky projekt i ri do të financohet në kuadrin e buxhetit IPA 2015, për një shumë prej 6 milionë Eurosh. Vlerësimi po përfundon dhe aplikuesit do të njoftohen për rezultatet në javët e ardhshme. Meqë vlerësimi vazhdon, informacioni për ofertat nuk mund të zbulohet ende. Ekziston një perspektivë e qartë që kjo fazë e re të nisë në prill të 2017. Në këtë kuadër, projekti aktual PAMECA IV u zgjat pa kosto për gjashtë muaj, me qëllim që të sigurohej vazhdimësia e pandërprerë e asistencës teknike në sektorin e çështjeve të brendshme dhe sigurisë.
Çka do të thotë se bëhet fjalë për këto ditë. Kujtojmë se para disa kohësh Presidenti i Republikës u përplas me misionin PAMECA, ose më saktë kërkoi nga BE-ja që të shikojë veprimtarinë e saj. Kjo paralel në kohë me vizita të ambasadorit britanik në zyrën e Berishës. Në këtë kuadër duhet parë edhe kjo dalje e Norman. Shqipëria është bërë problem ndërkombëtar për drogën, pranuar tanimë gjerësisht. Ç’punë prish se një diplomat del e thotë se shqiptarët që banojnë në vendin e tij ia kanë marrë dorën biznesit të drogës? Asnjë punë, vetëm sa shton argumentin e opozitës që po proteston në bulevard. Në thelb kritika të këtilla nga diplomatë që bëjnë thjesht mesazherin shkojnë edhe për misionet e BE-së në Tiranë, për fondet dhe drejtimin e të cilave ka një garë të madhe. Njësoj si gara e mazhorancës me raportet e çuditshme të Guardia di Finanza, që po të lexojmë atë që na shërbehet, përmbysin rezultatet në pak muaj. Për ta lënë mënjanë këtë lojë të vockël të ambasadorit që i shtohet varganit të ambasadorëve që dalin e vetëprezantohen sikur kanë ndonjë gjë të rëndësishme për të thënë, një pyetje duhet bërë e mbase ky diplomat na jep përgjigje: Shqipëria konsiderohet vend me probleme të mëdha, të krimit dhe korrupsionit. Pse vallë i intereson publikut se çfarë bëjnë shqiptarët në Britani ku ka ligje dhe shtet tjetër? Pse duhet të na jepen këto të dhëna, ndërkohë që ka edhe marrëveshje riatdhesimi? Dhe si për ta mbyllur me humor anglez, ambasadori ka dhënë disa këshilla edhe për integrimin në BE:
“Për t’u integruar në BE zgjedhjet e lira dhe të drejta janë një temë shumë e rëndësishme. Ja pse ky është një moment kritik për Shqipërinë dhe një çështje me rëndësi për të ardhmen e saj”, tha ai, duke zbuluar se ndoshta ka votuar kundër Brexit.
Add new comment