Miniparlamenti i intelektualëve ambulantë
Keni dëgjuar sa shumë ankohen “intelektualët” për mediat dhe gazetarët? Sesa shumë moralizojnë për gjjuhën e përdorur në Parlament nga deputetët? Patjetër që kanë të drejtë. Mirëpo dikush mund të pyesë se çfarë bëjnë ndryshe këta intelektualë, vepra e vetme e të cilëve po mbetet moralizimi si ushtrim retorik?
Këta zihen. Zihen njësoj si deputetët në Parlament dhe me gjasë edhe shantazhojnë mes rreshtave njëri – tjetrin, duke na dhuruar teatrin e vetvetes, piramidës së vlerave ku jemi lëshuar revan të gjithë të hipim në majë, pasi poshtë kemi lëshuar të pëgërët tonë, që duam t’u ikim.
Rastet janë disa, por kjo e fundit, e përballjes për rolin e Diana Çulit në ekzekutimin e dy poetëve, Blloshmi dhe Leka, është lodhëse.
Lojën e ka hapur Agron Tufa, që në kohën e PD-së kalonte bajagi mirë. Tufa i është vërsulur Çulit duke e quajtur vrasëse. Më pastaj lindi “debati” ku kanë shtuar të gjithë “të shquarit” ndonjë çikë miell në zejen e veçantë të kritikës. Dhe nuk ka zgjatur shumë që shkrimtarët të bëhen një çikë deputetë.
Sadik Bejko postoi në Facebook ca rreshta, mes të cilave e quante Tufën të pagdhendur.
“A tufa B Njuma E Bardhuli A Peci, disa prej ketyre ish studente te m’i,po ngjajllin prape per interesa… antagonizma, protagonizma, preferencA paresh, bordesh a biznesi, pra, jo nga parime te qendrueshme e te larta morali jo se u plasi per Vilsonin dhe Genc Leken, por po debatojne si ne erresire per dicka qe une e kam dokumentuar e kthjelluar. Keta ish studente qe nuk lexojne paraardhesit shtiren te ngjiten ne qiej per te luftuar me diaj e me engjej, por per interesa tokesore. Jo parimore. Djajte jane rrezuar ne ferr prej kohesh dhe perjete e kane vendin ne ferr. Diana Culi nuk eshte vrasese. Me keq se nje vrasese, ajo eshte nje fantazme. O eshte nje fantazme e bukur. Nen teshat e fytyren e saj te bukur jane eshtrat e kalbura mishrat e kalbura jo te njerzve. Jo Diana nuk ka vrare Njerez. Njerezit i vriste Enveri, diktatura. A Tufa eshte I nxituar. Ai thote se Diana vrau njerez. C’i pagedhenduR qe e quan vten profesor. Madje profesor I studiuar ne Moske. Per mua disa nga kete pRofet jane fare”.
Tufa nuk ka vonuar fare, por haazërxhevap Bejkos me një status të vetin:
“Duket se ne gryke Bejkos i flet rakia dhe produktet e Qoftore “Tymi”. Bekjo e di mire se Tufa ne ketë histori nuk ka leverdi projektesh, perveçse zavalleve. Nuk ka leverdi financiare, siç pati ai me librin e tij “Vilsoni dhe Genci”, ku nuk guxoi te permendte enrat realë te atyre qe bene akt-ekspertizat, a thua se ato i shkruan zogjte e malit.Por dihet: e verteta ben shumë armiq! Dhe raportet me të Verteten, lavdi Zotit, nuk m’i kushtezojne dot njerez te mbeshtjelle me kunfuzione e mjegulla si Saturni me unazat…”.
Të vjen të qash kur kupton sa leshko del teksa lexon titujt e magazinës informative, “Panorama” që i publikon këto xhevahire dhe lëshohesh të kuptosh ndonjë gjë për poetët dhe rolin e Çulit. D.m.th ndonjë gjë të re, me besimin se gazetarët e kulturës, këta periferikë permanent të faqeve të fundit, po dalin në dritë me ndonjë kontribut të mirëqenë. Jo. Ti lexon akuza për tendera e projekte, lëviz leku me dosje poetësh e të tjera si këto. Xhanëm romuzet për rakinë e qoftoreve mbeten kënaqësia stilistike që merr nga këta babaxhanë të letrave që avash avash po popullojnë Olimpin policenrik që la pas Olimpi i zvjerdhur i Lidhjes së Shkrimtarëve e që këta po i shohin leverdinë.
Sa të del rrudhja e buzëve nga ky sherr fshati si për krushqi të prishura, lexon se Shaban Murati qenka përplasur për çështjen e kombit me Artan Fugën. Murati ka zbuluar se Fuga/t hanë në dy sahanë: një të qeverisë e një të opozitës. Kjo sipas tij bën lidhjen te Katovica që në Shqipëri është shndërruar në karikaturë. I është përgjigjur në mënyrë ambula(nte)tore Artan Fuga, me siguri nga tastat e celularit, ku zhvillohet së fundmi gjimnastika filozofike e brenda unazës.
“U çmend edhe Shaba”, shkruan Fuga, duke lënë të kuptohet se ai shikon shumë të çmendur në këtë vend.
“Iku! Komike! Unë tendera?! Hahaha! Gërmo qen gërmo se taren e ngordhur do të gjesh!” shprehet profesori i Filozofisë.
Pak më poshtë një fjali që i shton lezetin debatit:
“U mo Shabë kujton se do të merrem me ty, ti që ke ditur dhe katovicën, kakovicën, edhe katuan, por jo vetëm”.
Kjo është shqipja e të lëçiturve. Të paktën na provojnë se poshtë titujve që marrin, çmimeve dhe siç thonë edhe vetë, poshtë verdhushkave, qëndron njeriu, e brenda tij, shqiptari si opus magnum e kësaj treve. Ndaj mos kuotoni me pritmëri shkarravinat e këtyre njerëzve që shfaqen sa nga njëra gazetë në tjetrën, që dinë të shajnë dhe mallkojnë më mirë e më shpesh se kushdo tjetër. Polemika e të cilëve orbiton te rromuzet e Kinostudios, për të tërhequr zvarrë e katapultuar për publikun, mëritë, cinizmin dhe pse jo urrejtjen që kanë për njëri-tjetrin. Vallë idetë e prodhojnë këtë kataklizëm kolosësh? Patjetër edhe ato. E kemi për traditë që përplasemi për idetë. Aq më tepër që tani Facebook të hap udhë të reja.
Shaptilografisti
Add new comment