Si ta përkufizojmë LSI-në në kontekstin e interesit publik?
Ilir Meta duket se e ka lënë në vitin 2002 delirin e tij për t’i ngjarë sadopak Mehmet Shehut. Ish-kryeministri ka zëvendësuar teatralitetin e zakonshëm të politikanëve shqiptarë me ambicien për pushtet politik dhe ekonomik. LSI-ja e tij është një sipërmarrje e mirëorganizuar që duhet thënë se respekton të paktën disa protokolle komunikimi, por edhe ka regjistruar ndonjë iniciatvë me impakt deri diku social.
Kjo forcë e bashkë me të Meta, janë rritur në hijen e një pushteti më të madh, duke iu shmangur në mënyrë tinzare bilancit politik të qeverisjes së saj, apo asaj pjese që i takon asaj. Thithlopa, e quajti atë në vitin 2015 Astrit Patozi. Por një bilans duhet bërë pasi nga bilanci krijohet baza për kritikën, transparencën ndaj kësaj force që qëndron qëllimisht në hijen e dy të mëdhave.
LSI-ja ka si karakteristikë të ndryshme nga dy partitë e tjera, prevalencën e kryetarit të saj në raport me anëatrësinë dhe ekipin drejtues në skandale dhe akuza. Ilir Meta është i hiperakuzuar personalisht për shumëçka, ndërkohë që akuza që LSI-në Thithlopë qëndron në hava. Ministrat socialist dhe demokratë kanë nga pas nga një targë për korrupsion. Asgjë e tillë nuk mund të thuhet për ministrat e LSI-së që duken engjëj krahasuar sa për ilustrim me Ilir Beqajn. Kjo nuk ka sesi të jetë e vërtetë. Nëse kthehemi në kohën e videos së famshme Prifti – Meta, aty mund të shohim episodin e një pazari të prishur, ndoshta nga një ministër që ka nisur të hedhë vickla. Që mbase refuzon edhe të paguajë kuotizacionin për partinë. Por për këtë çështje tashmë ka folur gjykata dhe nuk kemi të drejtë ta ngacmojmë. Ne mund të hidhemi në akte të tjera krejt jo transparente. P.sh para disa muajsh u largua nga detyra e ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto, i rrethuar prej muajsh nga thashethemi se po mendonte të kalonte me PS-në. Arsyeja e vërtetë? Askush nuk e thotë. E njëjta histori me ish-ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço pak më parë Haxhinastos. Të dy i bashkon krushqia, por çuditërisht apo për koincidencë, lajmi post-ministror i vjedhjes së shtëpive. Lajm ky i dhënë nga disa media online dhe I pakofirmuar.
Edhe ikja e Ylli Manjanit është po aq tipike për formatin e LSI-së, pasi nuk kemi një bilanc, apo një dështim e mandej shkarkim për qëllim përmirësimi. Jo. Thjesht largim demonstrativ. Duhet pyetur nëse këta të shkarkuar kanë ndryshuar pozicion në defterin e Ilirit, pasi ai vlen më shumë sesa qarkullimi në ministri.
LSI-ja është një forcë që ka vënë në jetë modelin e fryrjes(jo detyrimisht fuqizim) përmes pushtetit. Ajo e ka jetike pushtetin që të vijojë të ruajë forcën e vet. Ilir Meta e kaloi “golgotën” politike disa herë dhe duket se aktualisht ndjek parimin: kur digjesh nga qulli i fryn kosit. Pozicioni politik i tij është më delikat se i të tjerëve, pasi nuk toleron humbjen. Vetëm në mos kjo të jetë një akt politik i mbuluar mirë nga qyrku moral I një force që siç preferon Meta të thotë “është kyç për stabilitetin e vendit dhe nuk është oportuniste”. Këto përkufizime janë një shkelje syri e pacipë nga një politikan që është abses në skenën e vendit. Dhe kjo jo duke e parë në kontekstin vetëm të akuzave, por edhe të bilancit të munguar qeverisës. Në katë vite qeverisje me PS-në, LSI-ja nuk ka refuzuar asgjë reale. Diçka në buxhetin e vitit të parë, ndonjë kundërshtim publik për ndonjë ligj si ai i kamerave, miratuar më pas me bekimin e saj dhe asgjë tjetër për t’u shënuar. Konsensusi i 21 korrikut ishte betejë për sigurinë personale dhe politike të Metës, ndërkohë që politika e cicmiceve dhe “thumbave” nuk përbën interes publik. Thumbat dhe deklaratat për shtyp që mundet edhe të shpallen si qëndrime personale, janë tipar i mesazheve të koduara për Pazar, karakteristike për Metën dhe gjarpërimin e tij politik. LSI-ja e tij nuk ka një profil publik të qartë, ajo ka kushtëzuar Edi Ramën në vendimmarrje të mbyllura, por nuk ka kushtëzuar politikat qeverisëse të caktuara në beteja publike. Ndikimi i saj hamendësohet edhe te prokurori i Përgjithshëm apo te “kauza mediatike” që mbijnë sa hap e mbyll sytë, por kjo nuk provohet. Mundet fare mirë të pyesim: çfarë përfaqëson kjo parti për interesin publik? Për të ardhmen dhe sabilitetin? Kujt i duhet kjo këpushë që gjeneron vetëm shantazhin duke provuar në katër vitet e fundit se ka preferuar të kontrollojë levën e peshores për vete, sesa të ndikojë sadopak në zhbërjen e disa marrëzive? Askujt veç grupit të interesit që përfaqëson. Loja e saj ka qenë që në fillim e thjeshtë sa më s’ka, por edhe kundrejt çdo konsiderate për moralin: ha majtas dhe premto djathtas. Pastaj ha djathtas dhe qaj hallin majtas. Gjithnjë me avantazhin se e ka ditur shpejt që kur vjen puna te paraja të gjithë harrojnë të majtën dhe të djathtën.
Comments
Ndoshta duhet konsideruar
Ndoshta duhet konsideruar roli qe ky personazh luan ne rotacionin politik ne Shqiperi. Nje parti ne fuqi nuk do te zvriste kurre nga pushteti aq kollaj, spese fuquzimi financiar qe vjen nga aktivitetet e paligjshme ne qeveri do te perdoreshin me eficience per blerjen e votave te radhes. Ilir Meta dhe LSI te pakten dy here ka qene vektor ndryshimesh dhe rotacioni. Pavaresisht interesave qe ka patur ky person dhe kjo organizate ne rotacione ne momente te caktuara, qe mund tja kritikojme kot tere diten, ky ka qene rol shume pozitiv. Dmth le ti nohim disa merita, pervec se i njohim te metat...
Artikulli ka disa gjera qe nuk kane kuptim per mua. Ilir Meta ka kompleks ti ngjaje M Shehut??? Nga erdhi kjo? Ka qejf te vrase njerez diten me diell? Nuk me rezulton. Dhe disa hope logjike te tjera...
Add new comment