Opozita, bojkot zgjedhjeve dhe çadra në gjithë vendin
Një takim i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me aleatët vendosi mosregjistrimin e partive të opozitës në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nëse nuk pranohet kërkesa për qeveria teknike. Takimi i partive të opozitës u shoqërua me një deklaratë ku thuhet se “koalicioni Opozitar vendosi ngritjen e Kuvendeve Qytetare Për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme anembanë Shqipërisë, me përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe të gjithë grupeve të interesit, si pjesë e Lëvizjes Popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Praktikisht kjo do të thotë se Partia Demokratike dhe opozita do ta shtrijë protestën në të gjithë vendin, me çadra të ngjashme si ajo në bulevardin kryesor.Më tej në deklaratë thuhet se “koalicioni Opozitar ritheksoi vendimin e marrë nga bashkimi popullor i 18 shkurtit se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin, dhe do të angazhohet në luftën ndaj drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Ky vendim i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj e fut vendin praktikisht në një spirale tensioni që do të shtrihet në qytetet kryesore duke shtuar ndjeshëm presionin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama që deri tani nuk kanë dhënë shenja tërheqjeje.
Add new comment