Më 25 mars zyrtarizohet një tjetër BE - Europa e shumë shpejtësive
Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja kanë rënë dakord se shpëtimi i BE-së nga “shpërthimi” siç e quan presidenti francez, Hollande, është vetëm kalimi drejt një Europe me shumë shpejtësi. Gjatë një takimi në Versaille të Francës, drejtuesit e këtyre shteteve kanë dakordësuar ndryshimin e modelit ekzistues të integrimit, që do të shërbente si për të relaksuar tensionet e brendshme, ashtu edhe për të dhënë një përgjigje nga daljes së Britanisë së Madhe nga blloku I 27 vendeve.
“Kjo ide sot është e domosdoshme”, tha presidenti francez, Hollande në një intervistë për 6 nga gazetat kryesore europiane. Më 25 mars drejtuesit e BE-së do të takohen për të festuar 60 vjetorin e Traktatit të Romës që shtroi rrugën për komunitetin europian. Aty do të publikohet një deklaratë e cila do të shërbejë si “harta e perspektivës së BE-së për 10 vitet e ardhshme”, koment ky i kryeministrit Italian, Gentiloni. Pyetja është nëse ekziston një ide e qartë se çfarë do të thotë Europë me shumë shpejtësi, në kuptimin nëse kjo ide reflekton thjesht animozitetin e krijuar, apo është një formulë që mund të funksionojë.
“Do të ketë një pak të përbashkët, një treg të brendshëm me një monedhë të vetme për disa. Mbi këtë bazë do të jetë e mundur për shtetet anëtare që dotë duan, të shkojnë më tej në çështjet e mbrojtjes, harmonizimit në çështjet e taksave, në kërkime, kulturë, rininë. Ne duhet të imagjinojë shkallë për integrimin”, tha Hollande.
Duket se do të rikthehemi në Europën e fazës embrionale të krijimit të bashkimit franko-gjerman, me përvijimin e dy blloqeve të zhvillimit brenda kontinentit. Grupi i Vishegradit që bashkon Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikës Çeke, doli javën e kaluar me një deklaratë të posaçme duke vlerësuar se kjo politikë do të çojë në krijimin e diferencave dhe në shpërbërjen e bllokut. Këto dilemma ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë, që lihet kështu pas dhe në periferi të vëmendjes së BE-së. Tashmë politika e bllokut po kalon në një plan më të ngushtë duke ia lënë sfidën e integrimit vendeve dhe politikës së tyre, pa shtrëngimet dhe presionet që e lidhin tashmë sfidën e secilit prej tyre. Për më tepër që situata në Rumani provon se asgjë nuk mund të frenojë korrupsionin dhe problemet që lidhen me të. Në këtë kuadër, për Shqipërinë ndoshta merr një rol krejt tjetër rindërtimi i marrëdhënëies me Italinë, vend pa të cilin Europa nuk mund të mendohet dhe pa të cilin edhe Shqipëria ndoshta nuk do të kishte bërë këtë përparim në këto 25 vite.
Add new comment