Parkimi me sms - vetëm 100 lekë, apo më shumë?
Ka disa ditë që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, po i bën publicitet nismës për prenotimin e parkimit të makinës me sms. Ja si e përcillte lajmin televizioni kombëtar Top-Channel, një ditë më parë duke i marrë prononcim një inspektori:
“Bashkia e Tiranës ka kontratë me të gjithë operatorët e telefonisë celulare në vend dhe për numrat me kontratë pagesa prej 100 lekë i bashkëngjitet faturës mujore. Për abonentët e thjeshtë u zbritet menjëherë nga krediti që kanë në telefon.
Ne jemi pajisur me tabletë dhe fusim targën e automjetit në sistem për të parë nëse ka paguar. Por ndryshe kur pagesën e bën në dorë kundrejt biletës, pagesa me SMS funksion për një orë edhe nëse ndërron vendparkimin dhe shkon në një tjetër rrugë.
Ndërkohë që orari i parkimit është duke përfunduar, kompania celulare të rikujton 10 minuta para afatit dhe në këtë rast, me një tjetër SMS mund ta zgjasësh kohën e qëndrimit edhe për një orë tjetër, kundrejt një tjetër pagese prej 100 lekësh”.
Duket se me 100 lekë mund të mbarosh punë. Dhe në fakt ashtu është. Veliaj po promovon këtë sistem duke dashur të flasë për cilësi tjetër shërbimesh, ndonëse ky mekanizëm mund të vihej në punë online. Kjo është tjetër histori. Por ajo që nuk thuhet është se faturimi për çdo prenotim është 100 lekë plus TVSh 20%, 120 lekë. Ndërkohë që kur paguan në dorë është vetëm 100 lekë. Bashkia është ent publik dhe nuk aplikon TVSh për shërbimet. Tjetër punë me kompanitë celulare, të cilat nuk dihet se çfarë roli dhe fitimi kanë në këtë mesele, me një shërbim që bëhet më i shtrenjtë sesa i njëjti shërbim kur ofrohet drejtpërdrejt. Nuk është çështja vetëm te tarifimi i pabarabartë, por edhe te mungesa e transparencës ndaj qytetarëve. Sa për kompanitë, ato një rrugë e kanë: adresimin e çështjes te organet tatimore.
Add new comment