Dështon përpjekja e parë e Perëndimit për të bindur Ivanov
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë treguar të drejtëpërdrejtë me presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov pas refuzimit të tij për t’i dhënë liderit të social –demokratëve Zoran Zaev mandatin për krijimin e qeverisë së re për shkak të platformës së partive shqiptare.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogerini, e cila vizitoi Shkupin këtë të enjte lëshoi një ultimatum në adresë të Ivanov, duke i kërkuar qe brenda ditës së hënë t’i japë mandatin përfaqësuesit të mazhorancës parlamentare dhe të lejojë bashkqeverisjen me BDI-në.
“Presidenti Ivanov të reflektojë mbi vendimin që mori dhe deri të hënën të japë mandatin për formimin e qeverisë së re të shumicës parlamentare. Situata është e ndërlikuar, prandaj duhet dhënë një zgjidhje, jo për Bashkimin Europian, por për Maqedoninë. Partitë politike të përmbahen nga çdo retorikë nxitëse që mund të çojë vendin në një konflikt ndëretnik dhe politik. Aktorët politikë duhet të kenë parasysh që Maqedonia është shtet multietnik dhe të drejtat e të gjithëve duhet të respektohen” -,theksoi Mogherini.
Ambasadori amerikan, Jess Baily, i bëri thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë vendimin dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të përmbahen.
“Si partner strategjik i Maqedonisë dhe mik, me respektin më të madh ndaj sovranitetit dhe bashkimit maqedonas, e thërrasim presidentin Ivanov ta shqyrtojë persëri këtë vendim. Njëkohësisht i thërrasim fqinjët e Maqedonisë që të tregojnë përmbajtje dhe të jenë konstruktiv në këto momente të ndjeshme për vendin”,- deklaroi ambasadori amerikan.
Por Presidenti Ivanov reagoi duke argumentuar se “në pajtim me Kushtetutën, nuk do të emërojë si mandatues për formimin e qeverisë dikë që negocion për platformat e shteteve të tjera prej të cilave rrezikohet sovraniteti, pavarësia dhe uniteti i shtetit”. Me këtë platformë Maqedonia vihet në pozitë nënshtrimi dhe varësie prej një shteti tjetër, tha Ivanov duke nënkuptuar se programi i partive shqiptare është hartuar nga Tirana zyrtare.
Add new comment