Votim elektronik për gjyqtarët, por jo për shqiptarët
Një aventurë me një përfundim të qartë: dështimin. Kështu ui cilësua votimi elektronik nga kryeministri Edi Rama më 20 janar të këtij viti. Si përherë, “argumenti” teknik është opinioni negativ i OSBE-ODIHR. E teksa rrëfen me siguri se dështimi është drejtimi ku të çon votimi elektronik, kryeministri dhe aleati i tij në qeveri, pranojnë që të “luajnë kumar” me këtë aventurë, kur e vënë atë në përdorim për shortin e gjyqtarëve. Në një dokument që është protokolluar më datë 28 shkurt 2017, pra dje, sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Shtylla, informon grupet parlamentare mbi një kontratë të nënshkruar me një bashkim ekonomik “Soft Solution” shpk dhe “Fastech” shpk, për “Blerje sistemi elektronik votimi në zbatim të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimine kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Dhe kjo kontratë që është për terma të infrastrukturës që do të vihet në punë dhe të softeve që funksionojnë mbi të, është identike me votimin elektronik që kërkohet nga opozita për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Natyrisht do të duhet që për këto çështje të mos përdorej si flamur neutraliteti një opinion i OSBE-së, pasi opinione të këtilla ka shumë. As edhe të sillej në formë propagandistike problematika e vendeve të tjera me votimin elektronik, por të ballafaqoheshin opionet e ekspertëve. Sepse nëse ka një reformë që është me të vërtetë dhe pikë së pari një teskt ekspertësh kjo është reforma zgjedhore.
Është krejt jashtë çdo logjike që të pranohet se për një numër të kufizuar anëtarësh të gjyqësorit, do të zhvillohen zgjedhje me garanci elektronike, ndonëse po flasim për një kategori që vendos me letër dhe firmë drejtësinë dhe hetimin në këtë vend. Pra për njerëz që kanë në dorë vendimmarrjen, vihet në veprim një standard i këtillë, ndërkohë që për zgjedhjet e përgjitshme, në të cilat mundësia e manipulimit dhe keqpërdorimit është e madhe, ai eliminohet si mundësi dhe cilësohet aventurë. Kryeministri nuk ka kërkuar opinionin e askujt për kontratën e nënshkruar nga partneri i tij, as edhe është ndjerë për ta kundërshtuar atë. Pasi veprimi me dy standarde është normalizuar. Dhe kjo sjellje merr tjetër trajtë deformuese kur sheh historikun e “dashuri-urrejtjes” që Rama ka me elektronikën dhe aplikimet e saj në zgjedhje
Partia Socialiste e tij aplikoi numërimin elektronik në një proces zgjedhor të brendshëm në dhjetor të vitit 2011. Dhe nuk i funksionoi. Makina ishte blerë privatisht dhe procesi synonte të tregonte se ajo që ndodhi me rivlerësimin e fletëve të votimit në Komisionin Qendror të Zdhedhjeve në zgjedhjet lokale të majit të atij viti, ishte pasojë e manipulimit njerëzor që mund të korrigjohej nga makina. Pra ai leximi që çoi në 10 vota më pak për Ramën mund të zgjidhej duke eliminuare faktorin njeri – ose Sali.
Beteja u zhvendos mandej në identifikimin elektronik të kartave të identitetit, deri te marrëzitë për identifikim biometrik. Në finale fitoren PS-ja e siguroi me votë dhe koalicion dhe këtë ja njohur edhe ai që e quante si shkatërrimtar të zgjedhjeve. Sot opozita po kërkon të njëjtën gjë: garanci maksimale, por në kushte të tjera. Parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj për dekriminalizimin duke pranuar kështu zyrtarisht prezencën e faktorit kriminal në vendimmarrjen politike. Për rrjedhojë njësoj siç Komisioni i Venencias arsyetoi për reformën në drejtësi se “këto janë amendamente në një situatë të jashtëzakonshme”, edhe kërkesa e opozitës bëhet në kushtet e jashtëzakonshme të një klime që nuk toleron mirëbesim.
Në finale, kryeministri është mirë që përpara se të kërkojë opinione nga OSBE-ja të marrë mendimin e ministrit të tij të Shëndetësisë, i cili ka drejtuar dikur një firmë që merrej me zhvillim dhe përshtatje softueresh. Pra të pyesë Ilir Beqajn nëse kompanitë shqiptare janë në gjendje të zhvillojnë dhe funksionalizojnë një sistem elektronik për zgjedhjet? Me siguri që do të marrë një përgjigje optimiste dhe kjo ka arsye të vetat që sigurisht që lidhen me profesionalizmin e Beqjas. Por edhe me faktin se aktualisht administrata e qeverisë Rama ka zhvilluar shumë Platformën Qeveritare të Ndërveprimit e cila siguron integrimin e sistemeve qeveritare, mes të cilave edhe Gjendja Civile. Pra infrastruktura ekziston. Edhe aventurizmi i Ilir Metës që aplikon votim elektronik në Kuvend po ashtu. Është patjetër maturia e Edi Ramës ajo që e lë Shqipërinë në drejtimin e duhur.
Add new comment