Rroftë 18 shkurti! Poshtë 18 qershori!

Postuar në 16 Shkurt, 2017 21:31
Ilir Mborja

Qysh i vogël më ka pëlqyer gjumi i mëngjesit dhe gjithmonë e kam pasur të vështirë të zgjohem para mesditës. Ngaqë isha gjumash i madh, nuk më çuan kurrë në kopsht. Më mbante gjyshja në shtëpi. Filloren e fillova dhe e mbarova mbasdite. Ndërsa gjimnazin dhe të lartën për filozofi, i bëra natën. Një vit përpara se të merrja diplomën përhapa fjalë se vuaja nga një sëmundje shumë e rrallë e syve, që me demek “më pengonte shikimin në dritën e ditës” dhe për këtë “mjekët më kishin rekomanduar që të qarkulloja vetëm kur të binte muzgu”... Nuk lashë gur pa lëvizur për t’u emëruar pikërisht aty ku desha dhe ia dola. Më caktuan mësues marksizmi në teknikumin bujqësor të mbrëmjes që ndodhej pranë fermës së Cërrujës.

Kështu pra, më 1986 fillova punë aty. Mësimi ishte tre herë në javë dhe niste në orën 4 mbasdite. Flija derisa dielli arrinte në zenit dhe kur zgjohesha isha gjithnjë i enjtur sikur të më kishin pickuar grerëzat. Në punë shkoja duke kënduar vargjet e mia: “E ëmbël shkollë e natës/ si shija e çokollatës”. Por lumturia ime nuk zgjati më shumë se pesë a gjashtë vjet. Në nëntor të 1989-s mora vesh se ishte shembur Muri i Berlinit. Fillimisht u gëzova, por më pas entuziazmi im nisi të shuhej. Parandjeva se era e re Perstrojkës që po frynte në Europën Lindore mund të përmbyste, bashkë me diktaturën e proletariatit, edhe shkollën e natës ku unë punoja. Prandaj, kur dëgjova që plasën protestat në Rumani, u tremba shumë. Ndërsa, kur ia filluan studentët në dhjetor të ‘90-s, e kuptova se rrezikun e kisha tek dera. Nuk më vjen mirë ta kujtoj, por, kur Sali Berisha u tha në shesh studentëve: “Ju sjell të falat nga Ramiz Alia”, u dhjeva në brekë më keq se bllokmenët. Aty e kuptova se demokracia kishte trokitur tamam dhe shkollën time të natës, përfundimisht, do ta merrte lumi. Bashkë me të, do të më duhej t’i thoja lamtumirë edhe gjumit deri në mesditë. Dhe ashtu ndodhi.

Shkolla e natës u mbyll dhe në ’92-shin mbeta pa punë. Gjumi im mori arratinë dhe të gjithë njerëzit rreth e rrotull i urreja se më dukeshin si rumunë. Gruaja dhe fëmijët më luteshin duke qarë, për të mos u bërë gazi i botës, të mblidhja toruan. Dy persona që m’u paraqitën si dashamirës më këshilluan se duhej ta shihja realitetin në sy dhe që të më kthehej gjumi, të paktën ai i natës, më rekomanduan vizitë te një psikiatër. Unë u thashë prerë jo. Ata m’u përgjëruan shumë dhe, për të mos ua prishur qefin, përfundimisht, pranova vetëm të më lidhnin duart. Pastaj, jashtë marrëveshjes, më lidhën edhe këmbët. U treguan të pabesë dhe më hipën në një furgon ngjyrë blu dhe më çuan në çmendinë. Mjeku më njohu dhe gati luajti nga mendtë kur më pa të lidhur. I bëri qepaze dy dashamirësit e mi të fuqishëm:

-Si nuk ju vjen pak turp? Lidhet kështu profesori i filozofisë?! Zgjidheni! - urdhëroi ai.

-Po ky ngrihet në mes të natës, hap dritaren dhe thërret: Çaushesk! Çaushesk! Ti je gjallë! Poshtë rumunët! Poshtë Amerika! Rroftë teknikumi bujqësor!” - i justifikoi ime shoqe ata që më lidhën.

-Mirë bën. Gjallë është Çaushesku. Edhe teknikumi bujqësor do të hapet përsëri. Shumë shpejt bile. – tha doktori. Pasi më vizitoi mirë e mirë, i la në dorë një recetë sime shoqeje, ndërsa mua më këshilloi që, bashkë me kurën e antidepresivëve që duhet të pija tre herë në ditë, të bëja çmos që të zboja nga mendja ime çdo kujtim të hidhur.

-Ju - iu drejtua pastaj familjarëve të mi – shkoni në shtëpi dhe hiqni që andej çdo send apo objekt që i sjell ndër mend Rumaninë dhe rumunët. Asgjë të tillë në shtëpi. Libra, fotografi, filma rumunë, sakën! Sa të pastroni ju shtëpinë nga rumunët, profesori do të rrijë këtu me mua. S’ka më të ndyrë se rumunët! - tha duke i përcjellë ata psikiatri... Dhe kam përshtypjen se fjalia e tij e fundit ishte ajo që më shëroi më shumë se shiringa që më bëri në tule... Më zuri gjumi. Nuk mbaj mend sa fjeta dhe kur dola që andej... Por, edhe kur u ktheva në shtëpi përsëri nuk më bënte zemra t’i falja rumunët... Sa inat i kisha marrë atëherë... Por atëherë ama, ndërsa tani jo më. E dini pse? Ja po jua shpjegoj më poshtë.

***

Një ish nxënësi im, më idioti i klasës, që punonte karrocier në fermë, u bë biznesmen. Them kot idiot se, Dyli në fakt, ishte ai që më ndryshoi jetën. Ishte ai që më ktheu përsëri gjumin. Të natës dhe të mëngjesit...

***

Duhet të ketë qenë vjeshtë e ’93-shit, sa kisha dalë nga spitali dhe po shëtitja, kur dëgjova një zë që më drejtohej:

-Ku je presor? Si të kam?- Ishte Dyli që dilte nga një Benz i zi. E kuptova. Për atë e bënte. Më kapardisej që t’i shihja veturën luksoze. “Zoti ndihmon budallain ndërsa të mençurit si ty i lodh. Apo jo presor? Ëë?..Si thua? Ja mua përshembull më ka ndihmuar... Megjithëse ti më shembje me katra. Por s’ka gjë. Të kam falur.

Pasi më hodhi një vështrim mëshirues nga koka te këmbët vazhdoi:

-O presor! Pse nuk merresh me biznes?.. Të ndihmoj unë po deshe.

Po si? - e pyeta unë.

-Shit dyshekë! Mall që nuk skadon kurrë. T’i sjell unë. Edhe dyqanin ta gjej unë. Kur të shiten, të shiten. Atëherë edhe paratë. Fitojmë të dy. Hë? Si thua?

E pranova ofertën se edhe psikiatri më kishte këshilluar që të merresha me ndonjë punë të lehtë. Që nga ajo ditë, kanë kaluar njëzetë e ca vjet që unë jam bërë shitës dyshekësh. Dyqanin e hap fiks në 12, se para asaj ore askush nuk ngutet të blejë dyshek. Dyl Dyshekun, ish nxënësin tim të teknikumit të natës, që dikur e përçmoja, e kam pronar. Por, ndryshe nga ç’e kisha përshtypjen dikur, ai është i shkathët dhe shumë praktik. Me mua sillet shumë mirë. Mbase ngaqë e di që kam qenë edhe i sëmurë. Në fakt, nuk ka arsye pse të mërzitet me mua. Tani është ai që më shpjegon mua filozofinë e “kapitalizmit shqiptar” dhe unë ai që e dëgjoj me vëmendje. Ndryshe nga ai, që ia fuste gjumit në bankën e fundit kur i shpjegoja “Kapitalin” e Marksit, unë e dëgjoj gjithë sy e veshë që t’i kuptoj sa më mirë ato që më thotë. Sa herë që vjen në dyqan, Dyli, me një celular petë të hollë nga ata që komandohen me rrëshqitje gishti, porosit dikë të na sjellë kafetë dhe ca pije me gaz që thotë se të zgjojnë nga gjumi. Në çdo rast biseda vërtitet rreth dyshekëve dhe gjërave që lidhen me fjetjen. Domethënë, për gjumin dhe ëndrrat. Dyli nis i pari gjithmonë duke më pyetur:

-A nuk më thua pak? Çfarë ëndrre pe sot presor? (Asnjëherë nuk gabon të më thotë “Çfarë ëndrre pe mbrëmë?”, se e ka kuptuar që unë shoh ëndrra vetëm paradite... Hajde mos i thuaj psikolog!..) Atëherë unë gjithë qef i tregoj për ëndrrën që kam parë pak para se të zgjohesha, se vetëm atë mbaj mend. Pastaj pres me vëmendje shpjegimin e tij. Ai nuk ka lexuar as Zigmund Frojd e as Karl Jung, por ka një mënyrë shumë origjinale për t’i deshifruar ato. Psh, për ëndrrën time që pashë njëherë sikur: “Edi Rama vdiq. Në vend të tij vunë kryeministër Lulzim Bashën dhe Donald Lu-në e arrestuan.” Dyli ma shpjegoi aty për aty:

-Thjesht fare. Gjithnjë duhet marrë e kundërta. Luli s’ka për t’u bërë kurrë kryeministër dhe Edi Ramës i zgjatet ymri. Ndërsa Lu-së i rruajnë Trampin...- Ja, nga këto muhabete kuvendojmë me Dyl Dyshekun sa herë vjen në dyqan duke pirë kafenë, aty mes stivave të dyshekëve të mbështetur pas mureve...

Kur erdhi para dy ditësh, ishte shend e verë dhe, pa u futur mirë në derë, më tha:

-Pa më thuaj shpejt e shpejt! Çfarë ëndrre pe sot në mëngjes?..Pastaj do të them unë një haber të mrekullueshëm!”

-Po ja - fillova t’i tregoj unë. - Gjullurdi të madhe shikoja. Protesta. Rrëmujë. Herë më bëhej sikur isha në Bukuresht, e herë më bëhej sikur isha në Laprakë... Ç’të të them... Aty nga ora 10 u zgjova se më bëhej ujët. Duket se më ka filluar prostata. -Pastaj? Po pastaj?- më pyeti Dyli.

-Pastaj u shtriva përsëri dhe kur më zuri gjumi përsëdyti, për çudi, pashë vazhdimin e të njëjtës ëndërr. Vazhdonte protesta. Kallaballëk i madh në Bukuresht. Rumunët derdhur të gjithë në bulevardin “Zagari i parë” dhe gjuanin me gurë drejt xhamave të maternitetit “Nëna Xhozefinë”... Pastaj dolën tek “Rruga e Elbasanit”... Ndërsa Bukureshti, mbushur me parrulla që kërkonin lirimin e Balilit dhe arrestimin e Donaldit... Ëë? Ç’i thua kësaj? Si e shpjegon këtë? – iu drejtova Dylit që më shikonte me ngazëllim.

 

-Këto janë ëndrra me shurrë në mes dhe dalin ashtu siç i shikon.- m’u drejtua gjithë kopetencë ai.

-Thuamë ti tani haberin tënd! – iu drejtova unë. E dini ç’më tha?..

-Ti presor je profet. Hallall rroga që të jap. Haberin e mrekullueshëm e ke parë ashiqare në ëndërr. Më 18 shkurt Luli do të ngrerë miletin në protesta. Do të bëhet si në Bukuresht edhe në Tiranë, por me parrulla të kundërta. Atje “Ndëshkoni të korruptuarit!” këtu “Mos i ndëshkoni të korruptuarit!” dhe do të thërrasin aq fort sa të tundet “Rruga e Elbasanit”. Ç’lidhje ka me dyshekët tanë, do të thuash ti. Ta shpjegoj unë. Do të dalin protestuesit nëpër rrugë? Do të dalin. Bukur shumë. Por shumica e njerëzve nuk do të dalin. Shumica do të rrinë shtrirë në divan dhe me pultin në dorë, do ta ndjekin gallatën nga televizori. Janë tre kanale që japin lajme non stop 24 orë dhe do ta pasqyrojnë direkt protestën... Me të tre ato televizione kam lidhur kontratë për publicitet. Gjatë protestës, në çdo pesë minuta, do të futet reklama jonë: “Blini dyshekë të rehatshëm! Blini një dyshek që t’i thoni pirdhu spondeliatrozës!”. Njerëzit do të shikojnë nga ekranet protestën me dyshekët tanë në mes dhe të nesërmen, shumë nga ata, i ke këtu në dyqan me paratë në dorë për t’i blerë... Kështu shpjegohet ëndrra jote me shurrë në mes. Ja! Erdhi 18 shkurti dhe ke për ta parë. – i dha fund muhabetit Dyl Dysheku duke fërkuar shuplakat gjithë gëzim.

-Po, po. Vërtet. Ja! Erdhi 18 shkurti dhe bashkë me të, edhe protesta e Lulit me dyshekët në mes – aprovova unë...

U gëzova sinqerisht dhe, për herë të parë, më lëvizi diçka si biçim ngazëllyese mes rropullive të barkut. E ndjeva. E kuptova: Ishte simpatia për rumunët që po lindte më në fund tek unë. Edhe për Dylin, bamirësin tim shpirtmadh, më bëhej qefi që të fitonte ca para me këtë rast. Por mrekullia e beftë e “rumunëve të Tiranës”, ishte e papërballueshme për mua. Po ma hiqte petllën... M’u ndez gjaku. Kafka po më përvëlonte e gjitha. Tëmthat më kishin marrë zjarr. S’kishte haloperidol të ma freskonte tutuçkën. U ngrita, dola vrap tek dera e dyqanit dhe shpërtheva si atëherë kur më lidhën për të më çuar në çmendinë:

-Rroftë 18 shkurti! Poshtë 18 qershori! Rroftë kryeministri ynë Lul Bukureshti!

-Boll, boll! Qetësohu se i trembe njerëzit! Ku i ke ilaçet?.. Lul Basha do të bëhet kryeministër, kur të shohësh ndonjë ëndërr tjetër, nga ato me shurrë në mes...- mundohej të më përmblidhte Dyli që më kishte mbërthyer nga krahët dhe nuk më lëshonte, pa i treguar më parë se ku i kisha ilaçet...

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Shume gjate i paske rene per te na thene qe Luli nuk do te behet kurre kryeminister, dhe Rama do te jete i perjetshem. Nje vere ne uje ke bere; pervec shprehjes se gjitheditur "endrra me shurre ne mes"

Submitted by Dyl Dysheku (not verified) on

Po mor Tom! Gjatë i kam rënë, se kam ndjekur Lulin, që, për të protestuar kundër atij kinezit të Rrugës së Elbasanit, i bie nga Bukureshti...

Submitted by Dyli (not verified) on

Gjatë, por jo më gjatë se Luli, që për t'i folur Trumpit që heqë Lu-në nga Rruga e Elbasanit, i bie nga Bukureshti...

Submitted by Kola (not verified) on

Bravo Lirke! Nje pamflet shume i bukur e me humor te kendshem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.