Shqipëria dhe Kosova me Përfaqësim të Unifikuar diplomatik?
Nuk mund të kalonte edhe aktiviteti për dixhitalizimin e shërbimeve konsullore pa shfaqjen teatrale të kryeministrit të Shqipërisë, i specializuar tashmë në artin e pamundur të diplomacisë së mistrecit. Ministri i Jashtëm, Bushati ka folur për cilësinë e shërbimeve të reja, uljen e kostove, kalimin në shërbime me një sportel për një sërë shërbimesh konsullore që deri më sot u plasnin buzën njerëzve. Ministrja e Inavoacionit, Harito, ka shpjeguar më hollësisht se çfarë bën kjo infrastrukturë, si e realizon ajo këtë ndërveprim kaq të madh dhe si afron ajo standardin e shërbimeve publike me vendet e BE-së.
Me kaq ka mbaruar edhe shpjegimi për atë që është interesi publik: Pra ajo që është bërë në rrafsh teknik. Më tej në skenë ka hyrë më i mençuri në Ballkan, Edi Rama, që ka lëshuar shashka prej naivi duke qeshur vetmevete si zakonisht.
“Do të kemi vetëm shërbime konsullore të përbashkëta por edhe ambasada të përbashkëta me Kosovën. Fare mirë mund të bashkojmë asetet dhe burimet njerëzore dhe t’u shërbejmë në një sportel qytetarëve. Shumë shpejt do të kemi përfaqësim të unifikuar. Nëse kjo dikujt i duket Shqipëria e Madhe ky është problem i tij. Ky është një shkurtim drastik i kostove. Kushdo që ka dëshirë të na bashkohet ne jemi fare të hapur pa dallim feje, krahine, ideje dhe gjuhe…Falemnderit”, tha ndër të tjera kryeministri.
Është njëra gjë të ndjekësh praktikën e selive të përbashkëta për shkurtim kostosh dhe krejt tjetër të flasës për Përfaqësim të Unifikuar. Natyrisht që nuk gënjehet njeri me kumbullat e Tiranës, thjesht një minimum serioziteti kërkohet pas kësaj strategjie kaq të madhe e pas së cilës janë dëgjuar shumë fjalë.
Add new comment