Z. Ministër: Gjej njëherë kush janë legenat, pastaj kërko armët!

Postuar në 14 Shkurt, 2017 14:47

Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri vazhdon fushatën e sensibilizimit për dorëzimin e armëve, përmes një nisme ligjore që synon të amnistojë të gjithë personat që posedojnë armë zjarri. Në parim nisma duhet përshëndetur dhe ndoshta duhej ndërmarrë vite më parë si një prej masave për të reduktuar pasojat e konfliktive me armë zjarri. Por a është vërtet ky problemi kryesor për sigurinë sot? 

Ministri Tahiri ndalesën e radhës e kishte në Elbasan ku mes të tjerave tha se "Shqipëria që duam është ajo pa armë". 
Në fakt ajo që duam është një Shqipëri e sigurtë, për të cilën ministri nuk na del dot garant, edhe nëse shqiptarët e zakonshëm dorëzojnë 100% të armëve që kanë mbajtur të fshehura. 
Shqipëria është e pasigurtë për arsye që nuk kanë të bëjnë vetëm me dorëzimin e armëve, por me të ashtuquajturën strehë të pushtetit për të inkriminuarit. Ministri ishte në Elbasan, ku "mbretëron" Qazim Sejdini, lidhjet e të cilit e tejkalojnë Shqipërinë pa armë, e për të cilin javën e kaluar nuk munguan akuzat nga më të rëndat. Në krah me Sejdinin, në Durrës sundon Vangjush Dako i cili siç morëm vesh doli garant për lirimin e kreut të bandës famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha. Mes këtyre dy babaxhanëve që u duhet hequr kapelja se fitojnë bindshëm në zgjedhje, qëndron karizmatiku i Rilindjes, Elvis Roshi. Ky është trekëndëshi i sigurisë në Shqipërinë e Mesme. 

Dhe nëse do te zbresim poshtë në terren do të prekim edhe realitetin. Perceptimi është se shteti mbron njerëzit e pushtetit dhe jo qytetarët dhe këtë shqetësim ministrit ia përcolli edhe Arqipeshkvi Katolik Anxhelo Massafra, sa për të përmendur dikë që nuk ka dashakeqësinë e medias.  "Shteti duhet të bëjë më shumë për sigurinë e jetës që njerëzit të mos kenë frikë", tha ai në takimin në Dajç.  Pasi me pasigurinë justifikohet në një farë mënyre edhe hezitimin e njerëzve për të dorëzuar armët. 

Edhe sikur të duam t'i besojmë policisë kjo e fundit ka evidentuar të paktën probleme shqisash siç e pamë në dëshminë autentike për Armando Prengën, ku policët nuk kishin paraë gjë, edhe pse deputeti i Partisë Socialiste qëlloi me armë në oborrin e komisariatit. 

Na u tha nga Edi Rama kur mori në dorë frenat e shtetit se policia e Berishës ishte e tradhëtuar nga brenda, por kohët vërtetuan se tradhëtia mbeti po aty siç e vërtetoi rasti më i fundit i ish-shefit të Rendit në Policinë e Vlorës, i cili në një bisedë me Elton Çiçën(siç u raportua në media), të akuzuarin për trafik droge foli për legena në Policinë e Shtetit. Ndaj në emër të pasigurisë së plotë kemi një kërkesë për ministrin e Brendshëm: Zoti Tahiri,  gjej kush janë legenat, pastaj kërko armët!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.