Shoqata e Bankave: 7 muaj që kërkojmë standardizimin e transportit të parave. Askush s'ka vepruar

Postuar në 11 Shkurt, 2017 15:41

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri nuk ka gjetur dot mbrojtje tjetër për ngjarjen e grabitjes në Rinas përveçse të premtojë se ajo do të zbardhet.

Policia e Shtetit nuk dorëzohet dhe as intimidohet nga sulmet politike. Detyrën e ka bërë edhe atëherë ku përveç kriminalitetit në rrugë ka patur edhe banditizëm në Parlament”, ka thënë Tahiri.

Ndoshta ministri e ka fjalën edhe për rastet kur të kërkuar të ndryshëm strehohen në makina deputetësh dhe ku Policisë së tij nuk i ka mbetur veçse të fryjë sytë. Apo mos vallë ky ministër e ka fjalën që e përgjojnë në zyrë dhe nuk ka një fajtor apo një përgjegjës? Me siguri që as kjo nuk është. Fjala është që nëse statistika e sukseseve mbushet me arrestime plagosjesh, apo ndalime adoleshentësh, me kapje njerëzish që vjedhin energjinë elektrike, njollat e situatave reale vijojnë të zmadhohen në trupin higjenik të policisë.

Vrasja e Santos, pajisja përgjuese, grabitja brenda në aeroportin e Rinasit, janë vetëm disa nga ato ngjarje që e bëjnë ministrin të djersijë e të mos dijë çfarë të thotë.

Ai u shfaq i vendosur pas grabitjes së fundit duket thënë se paratë e bankave do të shoqërohen me policë, duke kritikuar Policitë Private se nuk kontribuojnë në sigurinë e vendit. 8000 janë policët e Policisë së Shtetit, 9500 janë ata të policive private. Rezultati? Grabitjet vazhdojnë. Por a kanë vërtet faj vetëm policitë private?

Në një deklaratë të sotme, shoqata e bankave hedh poshtë pretendimet e ministrit, duke kujtuar se licencimin e bën Ministria e Brendshme.

Sqarojmë se shërbimi i transportimit të vlerave monetare në industrinë bankare kryhet në përputhje me Rregulloren e Bankës së Shqipërisë nr. 67, datë 1.6.2016 “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet ku kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare” dhe të ligjit nr. 75/2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”.  Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve ku zhvillojnë veprimtarinë, kanë përgjegjësi të zbatojnë kërkesat rregullatore dhe ligjore për lidhjen e kontratës me një shoqëri Shërbimi Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF), e cila është e licencuar për transportimin e vlerave monetare, si dhe të bëjnë sigurimin e godinave, vlerave monetare në kasafortë dhe në lëvizje. Sipas ligjit, bankat nuk lejohen të transportojnë vetë vlera monetare. Ato nuk janë përgjegjëse për vendosjen e standardeve apo kërkesave për këtë veprimtari, sa kohë ligji nuk parashikon dhe nuk ja njeh këtë detyrë apo të drejtë. Shoqata Shqiptare e Bankave, pasi ka evidentuar elementët e rrezikut gjatë transportimit të vlerave monetare, ka kërkuar, për më tepër se 7 muaj, pranë autoriteteve vendosjen e standardeve për transportimin e vlerave monetare në kuadrin rregullator përkatës, i cili ende nuk është plotësuar

thuhet në deklaratë.

http://www.aab.al/al/article_view.php?id=247

Kjo do të thotë se ministri dhe Ministria e tij nuk kanë dëgjuar në këtë drejtim, ndonëse janë vërsulur të vendosin kamera në çdo qoshe të Tiranës.

Nuk dihet se çfarë justifikimi tjetër do të shpikë ministri i Brendshëm dhe ndonjë deputet që shkarravit statuse në Facebook, por fakt është se një vend ku tonelatat e hashashit nuk mbarojnë, edhe grabitjet do të shkojnë drejt normalizimit si dukuri. Fundja një aftësi duhet t’ia njohim kësaj qeverie: Ajo e normalizoi të keqen mes nesh, pasigurinë. Ajo e relativizoi ndëshkimin duke kthyer drogën dhe aludimin se në grabitje merr pjesë edhe segmente të policisë, dukuri që ndërveprojnë në funksion të një ekonomie të krimit. Ministri mund të mburret sa të dojë, e pas tij edhe kryministri mund të përgatisë një video me statistikë xixash, por përgjegësia është e tyrja dhe vetëm e tyrja. Sado të përpiqen që t’i ngjajnë përditë e më shumë strucit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.