Dimensioni kushtetues i krizës maqedonase
George Ivanov, presidenti i Maqedonisë, ka shkelur Kushtetutën kur ka mandatuar Nikolla Gruevskin për krijimin e qeverisë. Kjo sepse Kushtetuta maqedonase nuk flet për parti fituese, por parti që kanë shumicë, pra provojnë se kanë 61 mandate. Në këtë kuptim Ivanov ka luajtur në sintoni më Gruevskin, që u gjet i bllokuar nga ndërhyrja amerikane. Por Kushtetuta maqedonase nuk e ka si dispozitë të rregulluar interpretimin zyrtar të Kushtetutës për aktet e Presidentit, diçka që nuk ja njeh as Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë veprimet e Ivanov, në frymën e Kushtetutës nuk i nënshtrohen asnjë vlerësimi, duke mbetur si të tilla akte politike dhe institucionale me pasoja që interpretohen njëfarësoj vetëm politikisht.
Këtë shtjellim bën profesori i së drejtës Svetomir Shkariq, i cili në një intervistë për “Alsat” evidenton mangësitë e ligjit themeltar në Maqedoni. Sipas tij me kërkesën për shumicë, Ivanov “po hyn në rrjedhat kushtetuese”, por është e qartë tashmë se nuk ka një autoritet që të bëjë vlerësimin e akteve të tij. Shkariq thotë se në këtë zbrazëti ka vepruar i vetëdijshëm Ivanov duke luajtur me mandatimin, ndërkohë që kur mungon autoriteti intepretues i Kushtetutës, çdo interpretim fiton një vlerë artificiale.
Qasja e profesorit maqedonas është me vlerë sepse hedh dritë mbi një dimension kushtetues të krizës që sot po propozohet si një krizë politike e një shumice. Në fakt analizës i duhet shtuar një aspekt i pamohueshëm: Maqedonia erdhi në zgjedhje me qeverinë Gruevski-Ahmeti, të cilët pas zgjedhjeve u rikonfirmuan shumicë, ndonëse nuk arritën marrëveshje. Ky është fakti politik dhe elektoral që nuk mund të neglizhohet kur vjen puna te krijimi i qeverisë, i pezulluar nga ndërhyrje të huaja.
Add new comment