Koha që roli i ambasadorëve të huaj të inkastrohet në suazën e ligjit dhe konventave
Dy vitet e fundit kanë nxjerrë në dritë tjetër për opinionin publik rolin e ambasadorëve amerikanë në Tiranë. Qytetarët shqiptarë kanë patur rast të njohin se çfarë ndikimi dhe pasojash prodhojnë ambasadorët që operojnë si parti politike mbi palët, në kohën kur në Shqipëri Mariza Lino merrte pjesë në gatimin e çorbës së përgjakur të vitit 1997. Më pas diplomatët amerikanë luajtën rol thelbësor në ngjarjet pasuese për të ardhur e krijuar profilin e një guvernatori. Ka patur konsensus të gjerë për këtë rol në kushtet e një Shqipërie të pastabilizuar, sikundër është e qartë se politika shqiptare është përpjekur të kapitalizojë deklarata apo sjelljet publike të tyre.
Por njëanshmëria e diplomatëve ra në sy në kohën e John Withers që kaloi në angazhim publik kundër qeverisë së Sali Berishës. Sot kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se Withers madje ka përsëritur të njëjtën sjellje konfrontuese si ajo që sot ndjek Donald Lu, në kohën kur zyra e ILDKP-së e drejtuar prej Llallës, nisi verifikimin e pasurisë së Edi Ramës. Llalla sqaroi në “Opinion” se verifikimi i pasurisë së Ramës – asokohe kryetar bashkie – nisi në bazë të shortit dhe ishte krejt rastësor, ndërkohë që Withers nisi të presonte dhe të paragjykonte punën e agjencisë. Kjo është një hollësi e panjohur që na tregon se Edi Rama ka gëzuar mbështetje alla Zaev nga ambasadorët amerikanë në Tiranë. Në këtë kuptim duhet kuptuar edhe shoku i madh që krijoi deklarata e Arvisusë për “Sali Berishën burrë shteti” pas ngjarjeve të 21 janarit 2011. Dhe në këtë kuptim duhet kuptuar ftohja kronike e Berishës me diplomatë amerikanë që po zbulojnë axhenda të njëanshme dhe destabilizuese në Shqipëri. Nuk përjashtohet që ky ekspozim t’i përgjigjet asaj ligjësie të komunikimit që sjell angazhimi publik. Por fakt është se të dhënat të çojnë drejt konkluzionit se selia diplomatike në Tiranë ndërhyn jo për politika të caktuara, por edhe në Politikën e Tiranës. Rasti i ambasadës në Shkup vjen në mbështetje të këtij fakti, çka sugjeron se roli i diplomatëve duhet kushtëzuar sa më shpejt në suazat e ligjit dhe sipas konventave.
Z. Lu po konsumon kredencialet e veta dhe të besimit që shqiptarët kanë ndaj ShBA për një axhendë që i përmbahet parimeve demokratike formalisht, por në mënyrë të përsëritur pajtohet me interesat politike të ditës së Edi Ramës dhe socialistëve të Tiranës. Kjo nuk ka sesi t’i shërbejë besimit të mëtejshëm ndaj rolit të Lu, njësoj sikundër Shqipëria nuk është ajo e vitit 2000 kur një fjalë e ambasadorit analizohet si ligj. Nuk janë vetëm sulmet direkte, por edhe akuzat e sotme të kryeprokurorit për ndërhyrje në hetime, që diktojnë një qëndrim nga institucionet shqiptare. Presidenti i Republikës ka për detyrë të ndajë për interes publik se ku fillon aspekti strategjik i ndërhyrjeve të Lu dhe ku axhenda politike e tyre.
Le të kuptohet mirë dhe qartë se ai parimi ekzistencial i ndarjes së pushteteve që sanksionohet në Kushtetutë afektohet rëndë edhe në momentin kur një diplomat fiton atributet e një pushteti të papërkufizuar dhe të pakontrollueshëm, duke zhbilancuar peshoren e raporteve në vend dhe duke profizlizuar veten si një gur destabilizues në një vend që e ka sëmundje kronike prishjen e rendit.
Shqipëria nuk ka hequr dorë nga detyrimet dhe as ka pse të heqë, por në këmbim nuk ka pse të pranojë si mbështetje trillet e politikave provinciale që ndiqen personalisht nga ambasadorë hibridë.
Comments
Bravo SHBA
Nqs shqiptaret e kane kuptuar kete gje tani, pune e madhe fort. SHBA kete politike nuk e ndjekin vetem ne Shqiperi por dhe ne vende teper me te fuqishme se ne, ne Europe dhe kudo. Lexoni wikileaks.
SHBA sot financon sigurine dhe zhvillimin tone ekonomik nderkohe qe klasa e politikaneve te korruptuar vazhdon t'ju vjedhe poshte hundes. E pse duhet ta durojne? Pavaresia e pushteteve ne Shqiperi eshte fiction, dhe duhet "kuptuar mire dhe qarte" qe klasa politike eshte e para qe e nuk e respekton ate. Mund te na vije keq qe kryeprokurori eshte vene ne presion per hetimin ndaj Bankers, por nuk eshte aspak e cuditshme qe SHBA nuk i beson nje prokurorie te korruptuar qe nuk ka denuar asnje rast korrupsioni te larte.
Madje ka dicka ironike ne faktin qe kryeprokurori i korruptuar qe nuk ka cuar asnje rast korrupsioni te larte ne gjykate ankohet qe nuk e lane te hetonte. WTF?
Une SHBA-ve ju them bravo burra,
Add new comment