“Shqipëria e gatshme të hyjë në luftë” – Bëjini një “like” politikës së jashtme ju lutem!
“Nëse Serbia cenon 1 cm të territorit tonë, Shqipëria e Kosova do të jenë gati t’i përgjigjen”. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka kapur edhe njëherë trenin e ngjarjeve mediatike duke e konvertuar politikën e jashtme në shoë personal.
I ftuar në “Zona e Debatit” që drejtohet nga Baton Haxhiu, një gazetar I afërt me pushtetin në Tiranë, Edi Rama, në prezencë të Hashim Thaçit, deklaroi gatishmëri numër 1 për përballjen me Serbinë:
“Shqiptarët, Shqipëria dhe Kosova, janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial. Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i çojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi ç’u bëjmë. Por nëse duan të cenojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi”, tha ai.
Është e qartë se qëndrime të tilla nga një kryeministër i një vendi që ka problem të sigurisë kombëtare arrestimin e një njeriu dhe hashashin, janë joproporcionale. Nëse ky kryeministër po mendon përfshirjen në luftë me Serbinë si opsion retorik përpara zgjedhjeve, atëherë ai po ndihmon edhe homologun Aleksander Vuçiç, që njëherë shfaqet si i pandalshëm në kërcënime, e njëherë tjetër si negociatori i vetëm që rrëzon mure. Vuçiçit i duhen problemet në Kosovë tani që afrojnë zgjedhjet dhe ndërkohë që blen armë në Rusi, ai mund të shtyjë ca kohë me debate në distancë. Njësoj si miku i tij Edi, edhe Aleksandri po e shndërron politikën e jashtme në shoë, sa kohë që asnjë prej të dyve nuk ka në dorë aq sa deklarojnë.
Në një dalje para gazetarëve, Vuçiç ka deklaruar se ai ka bërë maksimumin për të ruajtur paqen, se ka ambasadorë që kanë ndërhyrë keq në punët e Serbisë, por se ai nuk do lejojë që paqja të prishet. Më tej akoma, është lënë të kuptohet se BE-ja është tërësisht në krahun e kosovarëve, të cilëve tani u del krah edhe kryeministri i Shqipërisë, që sapo ka hedhur edhe njëherë rason e nacionalistit. Ja pra ku del para serbëve Vuçiç që ka një zgjidhje origjinale për të gjitha.
Patetizmi dhe shtirja e kësaj politike arrin maja kur në ndonjë media shfaqet dorëzimi i serbëve, rrëzimi i murit, e më tej akoma, në një shfaqje të cartoon – media, Edi Rama vlerësohet se qenka më aktivi në politikën e Jashtme që nga shpallja e Pavarësisë.
Dikur Sali Berisha u akuzua se përdorte retorikën e ashpër në disa raporte me jashtë për të mbuluar problemet e brendshme. Sot është rasti të thuhet se Edi Rama është dorëzuar tërësisht në këtë model, qoftë se kështu u largohet punëve me zarar në Shqipëri, qoftë edhe se fatkeqësisht mendon se po bën diçka në pikën e tij të fortë pas pikturës, që na qenka Politika e Jashtme. Mirëpo të vlerësosh këtë të fundit, njësosj si për çdo gjë tjetër, duhet bërë një bilanc. Dhe ky bilanc bëhet mbi arritje konkrete, jo mbi suksese mediatike personale.
Askush nuk flet se cilat janë këto arritje, se çfarë është arritur për të përmirësuar statusin e shqiptarëve, nëse siguria është shtuar apo jo. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk e kishin për gjë vitin e kaluar që të pranonin në kufi edhe policë gjermanë që do të survejonin kush hynte e kush dilte, ndoshta edhe duke bërë me sy matje antropologjike të shqiptarëve, ndonëse vetë refuzonte të pranonte se ikja masive ishte burimisht pasojë e politikës së tij.
Sot flitet për gatishmëri në luftë etj., por asnjë prej qeverisë nuk kujtohet të trajtojë problemin e përditshëm të kalimit në kufi me Greqinë, ku kthehen njerëz si pasojë e acarimit të marrëdhënieve.
Më e keqja është se kjo qasje është kallp dhe synon vetëm tregun e votive në Shqipëri. Asgjë më shumë. Pasi kryeministri e di shumë mirë se nuk e merr njeri seriozisht kur flet për ndërhyrje e për gatishmëri, kur nis ndonjë anije në Egje, apo edhe kur ndjek politikë të madhe në NATO, duke kufizuar përherë buxhetet. Por kjo nuk ka vlerë fare. Vlerë ka lajmi dhe klikimi, 18 qershori. Të tjerat nuk janë punët tona.
Add new comment